Kulturë

Ermonela Jaho – e pakapërcyeshme në top-zërat botërorë të vitit

Ka qenë një vit i jashtëzakonshëm për sopranon shqiptare Ermonela Jaho, zërin të cilin bota ka kohë që e njeh. Sukseset ia ka njohur edhe sivjet, me disa çmime e role madhore. E, për këto arritje emri i saj është i pakapërcyeshëm në top-lista zërash që shënuan 2023-n në botën operistike, siç është edhe ajo e “OperaWire” me njëmbëdhjetë këngëtarët e vitit

Revista e shquar e skenës operistike botërore, “OperaWire”, e ka vazhduar traditën e shpalljes së top-këngëtarëve të vitit e në listë është i pashmangshëm emri i sopranos shqiptare, Ermonela Jaho. Përzgjedhja bëhet midis atyre që u dalluan, bazuar në kritikat pozitive dhe te rolet madhore. I tillë ka qenë viti 2023 edhe për Jahon.

“Është e vështirë të përshkruhet përkushtimi i Ermonela Jahos për çdo rol që ajo sjell në skenë. Ka një intensitet dhe një vërtetësi të madhe që bën të ndihet çdo gjë që personazhet që ajo luan po kalojnë”, e nis “OperaWire” përshkrimin për Jahon. Kujton se më 2023 ajo u vlerësua si Artiste e Vitit nga “International Classical Music Award” për “bukurinë unike të zërit të saj të lavdishëm, të udhëhequr me siguri e vezullim”. Gjithashtu veçohet edhe incizimi i “Turandot”, i cili u nominua për çmimin “Gramofon” dhe kritika e renditi si njërin prej incizimeve më të mira të vitit. Jaho, siç e rikujton “OperaWire”, u nominua gjithashtu për ‘Opera Award’, për këngëtaren më të mirë të vitit.

“Por asnjë nga këto çmime nuk do të ishin të mundura pa paraqitjet e arrira të saj. Jaho e nisi vitin 2023 me rikthimin në ‘Metropolitan Opera’ me një ‘La Traviata’ historike, që ishte ndoshta njëra nga performancat më të mira të kësaj vepre ndër vite”, shkruan revista online e themeluar më 2016, e që konsiderohet si njëri prej mediumeve kryesorë që përcjell skenën operistike gjithandej nëpër botë. Për rolin e saj në “La Traviata”, “OperaWire” do të theksonte se “Ermonela Jaho shfaq shpirtin e saj në një performancë magjepsëse” dhe se në skenë ishte “magnetike”. Këto paraqitje shënuan herën e parë që ajo kishte interpretuar këtë rol që nga viti 2020.

“Ka pasur paraqitje me ‘Adriana Lecouvreur’ në Australi dhe një rikthim në Royal Opera House me ‘Turandot’. Jaho gjithashtu ka performuar në Bayerische Staatsoper me ‘Dialogues of the Carmelites’ dhe ka bërë turin e saj në Japoni me ‘Traviata’ me Teatron Massimo di Palermo”, ka rikujtuar revista në pjesën për sopranon shqiptare, në listën ku të përzgjedhurit renditen sipas alfabetit.

Për Jahon shkruan se sezoni i saj 2023-24 nisi me një produksion të ri të “La Rondine”, ku ajo pati rolin e Magdas e për të cilin ka marrë vlerësime të larta. “Kritikët theksuan se Ermonela Jaho dha një interpretim emocionalisht tronditës të Magdas. Aftësia e saj për të kapur thelbin e një personazhi përloti shumë njerëz në audiencë. Shtrirja e saj vokale prej sopranoje solli thellësi në personazhin e Magdas, pianissimi dhe filati i saj i shkëlqyer sollën dhe nuanca emocionale. Ishte një performancë e jashtëzakonshme”, ka cituar kjo revistë.

Po në këtë paraqitje shkruan se audienca në krejt botën pati mundësinë ta shihte Jahon në një riproduksion të “Turandot” në Operën e Parisit kur kompania transmetoi interpretimin e saj. “Gjatë vitit sopranoja nderoi dhe Maria Callas, si dhe mori pjesë në koncertin e 14 korrikut në Paris, i cili u shfaq nëpër botë”, ka shkruar “OperaWire”.

Lista e top-11 këngëtarëve të vitit nis me Aigul Ahkmetshinan, mexosoprano ruse, e cila u vlerësua për performancat e saja për vitin 2023 duke ia dhënë edhe epitetin e “New Netrebko”(Netrebko e re) si vlerësim për solistet e reja. “Piotr Beczala nuk ka nevojë për prezantim”, thuhet për tenorin polak, i cili u quajt “Lohengrini i kohëve tona”. Është vlerësuar edhe tenori amerikan Lawrence Brownlee, i cili ndër të tjera u veçua me rolin e tij në “Rising”. Joshua Guerrero dhe arritjet e tij me tri produksionet “Verismo”, Leah Hawkins me debutimin e saj në rolin e Toscasm janë po ashtu në listë tok me Lucia Lucas me premierën “Lili Elbe” e shkruar për eksperiencën e një gruaje transgjinore. Quinn Kelsey vlerësohet për Rigoletton në Spanjë, Ailyn Pérez me shkrimin e historisë si protagonistja e veprës së parë operistike latino-amerikane e Jonathan Tetelman me performancën e bujshme me “La Boheme” në Dortmund. Lista përmbyllet me sopranon Elza Van den Heever, sopranon nga Afrika e Jugut.