Kulturë

“Erdh lezeti” në Prishtinë sfidon shiun për nëntë orë muzikë

Prishtinë, 6 maj – Moti me shi nuk ka qenë pengesë që audienca e zakonshme të nisë qëndrimin para skenës qysh në orarin e paralajmëruar. Parkingu përballë kafe-librarisë “Dit’ e Nat’” ka nisur të mbushej me njerëz menjëherë pas mesditës të së dielës. Audienca besnike e festivalit “Erdh lezeti” këtë vit, pos më shumë bendeve, ka pasur edhe më shumë shoqëri.

Festivalit i është shtuar audienca e organizatorëve u ka hyrë mendja që të ndërrojnë vend. E në një tjetër “hapësirë” të pranishmit i ka zhvendosur muzika. I pari që është ngjitur në skenë për t’ia bërë sefte për sivjet në ngjarjen që, sipas motos, feston “ardhjen e verës e ikjen e dimrit”, ishte muzikanti Art Lokaj me bendin e tij.

ashtu siç njihet, për atmosferë “block-party” (festë e lagjes), të pranishmit kanë nisur t’i bashkoheshin muzikës. Inspiruar nga Shën Gjergji, “Erdh lezeti” në esencë është festim i vlerave të ndërsjella kulturore të të gjithë kosovarëve. “Erdh lezeti” Lokaj ka thënë se tashmë është njëfarë shtëpie e tij. Kësaj radhe ka performuar për herë të tretë.

Bateristi Nesim Maxhuni, i cili ka qenë në skenë bashkë me Lokajn, ka thënë se "Ky festival është duke lulëzuar”.

“Sercuk & Nizo Brass Band” ishte pjesë e “menysë” artistike duke sjellë muzikë që është dëgjuar shumë në Maqedoninë Veriore, vend ky prej nga vjen bendi. Këngëtarja rome-hungareze, Mónika Juhász Miczura, e njohur si Mitsoura, ka zhvendosur të pranishmit në melodi të përziera sa u përket zhanreve. E një surprizë më vete ka qenë një bend që është futur në publik.

Një super-pritje i është bërë hip-hop artistit boshnjak Edo Maajka nga Kroacia.

Alamet atmosfere ka krijuar edhe grupi “Bloody Foreigners” me treshen nga Kosova që jeton në Londër, Fatos Bejta, Fatos Derguti, Ardi Kelmendi dhe Josef Cookun. Si gjithnjë “Bloody…” vjen me plot energji me hitet tashmë të njohura ndër të cilat edhe “S’po du banane, po du rrush”. Shumica e këngëve të këtij grupi – prej të cilave “Katunare”, në tetorin e vitit të kaluar u dëgjua edhe në intervistën e punk-muzikantit të njohur Iggy Pop pasuar edhe nga “Ballkan Mania” e bendit “Gipsy Groove” – janë satirike.

(Gjerësisht, sot në "Kohën Ditore")