Trupi i gruas është kryefjalë në “Ëndrrat e Mes-Dheut”. Prania e tij është e dukshme në pikturë e në hapësirën që është ndarë edhe për skulpturat e Genti Tavanxhiut, në galerinë “Da Vinci”. Që në shikim të parë dallohet se bëhet fjalë për një artist që synon të prekë disiplina të ndryshme. Skulptori e piktori shkodran, i cili jeton tash e disa vjet në Itali, ka thënë se forma e trupit të gruas i përshtatet më fort punës së tij, mirëpo ajo nuk është në esencë të subjektit të cilin e trajton. Lidhja e tij artistike synon të përforcohet me gjithçka që e karakterizon Mesdheun, andaj gjithë krijimtarinë e vet e ka bazuar mbi mitet e ëndrrat e kësaj zone.
Artisti veprimtarinë e tij e quan të bollshme, pikërisht pasi që zanafillën e inspirimit e ka te Mesdheu. Në pikturat që ka sjellë në ekspozitën e parë personale në Kosovë hetohet prania e ngjyrave të ndezura, e cila bëhet edhe më e dukshme përmes kontrasteve. Disa prej punimeve që përthekojnë “Ëndrrat e Mes-dheut” janë realizuar gjatë pesë vjetëve të fundit, ndërsa shumica e tyre janë punë intensive të muajve të parë të këtij viti, që artisti shkodran i ka përgatitur posaçërisht për këtë ekspozitë. Madje ai edhe një ditë para se të nisej nga Italia ka punuar në njërën prej veprave të ekspozitës, që u hap të mërkurën mbrëma në galerinë private në Prishtinë, e inauguruar në fund të vitit të kaluar.
“Kam sjellë me vete një seri punësh që përbëhen nga disiplina të ndryshme, duke filluar nga vizatimet, letër në pëlhurë me akrilik dhe vaj, pastaj me skulpturën ku kemi gurin, drurin, metalet e gurë të ndryshëm. Përbrenda ekspozitës kam sjellë një seri të veçantë që quhet ’cover’, që është një seri punësh që ua kam dedikuar mjeshtërve të mëdhenj”, ka thënë Tavanxhiu.
Piktura “Dasma shkodrane” e maestros Kol Idromeno, e punuar në vitin 1924, ka qenë edhe një nga inspirimet e piktorit, në serinë e punimeve të titulluara “Cover”. Tablonë që paraqet skenën e një dasme në një bashkësi katolike shkodrane, Genti Tavanxhiu e ka sjellë në Prishtinë në tri versione, e formate të ndryshme.
“Tri punime ia kam dedikuar Kol Idreomenos, bashkëqytetarit tim.
Kuratorja e ekspozitës Blerina Mali ka thënë se ekspozita është koleksion i formuar nga piktura, ku mbizotërojnë penelatat e forta me kolorit të pasur dhe skulptura në materiale të ndryshme mermeri dhe druri.
Edhe
“Vagullnaja vizuale” – pikëpyetje për paqartësi e paqëndrueshmëri
Piktori Faton Kryeziu, njëkohësisht edhe udhëheqës i galerisë “Da Vinci” , e ka vlerësuar Tavanxhiun pikërisht për mënyrën se si ndërvepron me skulpturën e pikturën.
Ekspozita e tij “Ëndrrat e Mes-Dheut” do të qëndrojë e hapur për një muaj në galerinë “Da Vinci”, në Prishtinë.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)