Personazhi i radhës në emisionin “Pro X” është këngëtari Arif Ziberi, i cili ka ndarë copëza kujtimesh nga katër dekada rrugëtim me grupin “Elita 5”.
Nga salla ku interpretoi për herë të parë, Arif Ziberi u kthehet kujtimeve më të veçanta të grupit “Elita 5”.
Ai tregon se si nisi dëshira e tij për këndimin, por që duke qenë i ndrojtur si karakter, ai fshehu talentin e tij për shumë kohë. Në emisionin “Pro X”, ai rrëfen edhe se si u zbulua talenti i tij për këndimin dhe si u bë pjesë e grupit “Elita 5”.
Sipas Ziberit, çelësi i suksesit të grupit është se për gati katër dekada histori me muzikën, kanë qëndruar i njëjti formacion. Po ashtu një pjesë të suksesit ia dedikon edhe besnikërisë ndaj publikut dhe faktit që s’kanë bërë kompromise me vlerat e prezantuara në skenë. Ai në emisionin “Pro X”, zbulon se cilën këngë e vlerëson si pasaportë të grupit.
“Pasaporta e grupit “Elita 5” është kënga “Nuk jam Al Kapone” që sot e kësaj ditë është shumë e kërkuar dhe e kënduar. Mendoj që ajo është kënga që e krijoi identitetin e grupit “Elita 5””, ka thënë Ziberi në emisionin “Pro X” të KTV-së.
Arif Ziberi, këtë të diel në “Pro X” zbulon më shumë për familjen, për kuptimin e emrit “Elita” në jetën e tij dhe shumë histori të tjera të grupit. Mos e humbisni “Pro X”-in e së dielës prej orës 17:40 në Kohavision.