Kulturë

Elbenita Kajtazi gati për debutimin si konteshë në “Dasmën e Figaros”

“Është plotësisht e pakuptueshme për mua se si dikush ka mundur të krijojë diçka kaq perfekt”, kishte thënë kompozitori gjerman Johannes Brahms, për “Dasmën e Figaros”. “Asgjë e tillë nuk është kompozuar më herët, madje as nga Beethoveni”, kishte shtuar ai. Opera me katër akte e Wolfgang Amadeus Mozart u kompozua në vitin 1786. Për këtë kompozim vazhdojnë të thuren lavde edhe pas kaq shumë shekujve.

“Mozarti është një ndër kompozitorët që ka ditur të shkruajë shumë bukur dhe ta përshtatë orkestrën shumë mirë duke e vënë në pah zërin”, ka thënë të mërkurën sopranoja Elbenita Kajtazi. Ajo e ka rolin e konteshës pikërisht tek opera “Dasma e Figaros”, që të shtunën ka premierën në “Theater Erufurt” në Gjermani.

Debutimi me konteshën bën që ajo të përvetësojë rolin e tretë nga kjo operë. Debutimin e parë e kishte me rolin e Barbarinës në vitin 2016 në teatrin “Aalto, në qytetin gjerman Essen. Rolin e dytë që këndoi ishte Susanna në vitin 2019 në Operën shtetërore të Hamburgut, ndërsa tani i ka ardhur radha rolit të konteshës.

“Jam jashtëzakonisht e kujdesshme në rolet që këndoj, kam shumë dëshirë që aty ku dëshiroj të arrij të ngjitem ngadalë dhe me hapa shumë të sigurt duke mos dëmtuar zërin dhe duke shijuar çdo rol, sado rol i vogël apo i madh të jetë”, ka thënë Kajtazi.

Sipas përshkrimit në uebfaqen e Teatrit me muzikën e tij, Mozarti ekspozon njerëzit, nevojat e tyre të mbyllura, frikën, xhelozinë dhe rebelimet.

Konti Almaviva e paraqet veten si një sundimtar zemërmirë, ​​por beson se mund të marrë çfarëdo. Njerëzit përreth tij, duke u përpjekur që të avancojnë në shoqëri, e imitojnë atë. Kur konti mendon se Suzana, nusja e shërbëtorit të tij Figaro, duhet të jetë shoqëruesja e tij e ardhshme në shtrat, gjërat marrin teposhtën. Kontesha Figaro dhe shërbyesja dinake Marcellina e vë re këtë. Përpjekjet për të përmbushur interesat e tyre të ndryshme, rezulton me krijimin e një rrejti kompleks intrigash.

Kajtazi ka thënë se ka punuar shumë për të kaluar nga një rol i vogël si ai i Barbarinës, pastaj Susannës deri te kontesha.

“Tani me shumë punë kam arritur deri të një nivel për të kënduar role më lirike si është kontesha, Manoni, Mikaela, Violeta, Mimi e të tjera. Roli i konteshës është shumë më ndryshe se ai i Susannës, pasi që ajo brenda operës është shërbëtorja e konteshës”, ka thënë ajo. Ka shtuar se roli kërkon një qëndrim komplet tjetër në skenë”, ka thënë ajo. “Një lojë komplet tjetër që duhet bërë dhe gjithashtu për nga zëri kërkohet një zë më lirik, më i mbushur dhe duhet të tregohet pjekuri jashtëzakonisht e madhe për shkak të peshës që ky rol ka”. Ka treguar se ka tri javë që mbajnë prova çdo ditë nga shtatë deri në tetë orë.

“Dasma e Figaros” konsiderohet si një nga operat më të mira të shkruara ndonjëherë, është një gur themeltar i repertorit dhe shfaqet vazhdimisht në mesin e dhjetë operave më të mira. Në vitin 2017, “BBC News Magazine” u kishte kërkuar 172 këngëtarëve të operës të votonin për operat më të mira të shkruara ndonjëherë. “Dasma e Figaros” u rendit në vendin e parë nga revista.

Kajtazi për këtë sezon ka të planifikuar debutimin me katër role. E nisi mbarë në shtator të këtij viti me rolin e Ritës nga opera "Deux hommes et une femme", kompozuar nga Donizetti.

“Sopranoja e re Elbenita Kajtazi nga Kosova mahniti dhe magjepsi në rolin e Ritës me zërin e saj të mrekullueshëm, si dhe na bëri për vete me timbrin e saj sensual qysh para daljes së saj në skenë. Me humorin dhe temperamentin e saj të jashtëzakonshëm e mëshiroi rolin e saj bindshëm dhe në mënyrë simpatike. Në arien e saj, ajo nuk i mbeti borxh asnjë ngjyre, sepse ajo u dëgjua me kënaqësi të jashtëzakonshme. Nuk është aspak e çuditshme që Kajtazi këndon në shtëpitë e mëdha operistike si në Dresden, në Festivalin e Salzburgut, si dhe është bartëse e shumë çmimeve në shumë gara, me shpresë që kjo të përjetohet edhe shumë herë”, kishte shkruar revista gjerman “Kultura-extra”

Rrugëtimin e saj lirik do ta vazhdojë me rolin Manonit nga opera “Manon” e kompozitorit francez Jules Massenet, në janar të vitit të ardhshëm në “Staatsoper Hamburg”. E debutimin me rolin e Mimit nga opera “La Boheme” do ta ketë në qershor të 2022-tës në “Semperoper Dresden”. Datat e këtyre shfaqjeve, përfshirë edhe premierën e “Dasmës së Figaros” e caktuar më 27 nëntor, varen nga situata me pandeminë.