Kulturë

Efektet e regjimit, migrimit e tradita, në ekranin e “DokuFestit”

DokuFeset

“Në parajsën socialiste (Nuk bie kurrë shi)” me autore Ermela Telin eksploron propagandën në kohën e diktaturës në Shqipëri

Të mërkurën mbrëma në platenë e kinemasë “DokuKino” në Prizren është shfaqur sesioni i fundit me filma kombëtarë. Një film për propagandën mbi artin në kohën e regjimit socialist në Shqipëri, histori imigrantësh praktikat tradicionale muzikore të këngëve me tepsi e ajo e grave të pakicave greke në Shqipëri që mbajnë traditën e këndimit polifonik, janë kapitulli i radhës në kategorinë e këtyre filmave në “DokuFest”.

Një film për propagandën mbi artin në kohën e regjimit socialist në Shqipëri, histori imigrantësh, praktikat tradicionale muzikore të këngëve me tepsi e ajo e grave të pakicave greke në Shqipëri që mbajnë traditën e këndimit polifonik, janë kapitulli i radhës në kategorinë e filmave kombëtarë në “DokuFest”. Secili komunikon me publikun me gjuhë autentike e poetike në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër. 

Plateja e “DokuKinos” për edicione me radhë është adresa e filmave kombëtarë. 

Seria e shfaqjes së filmave ka nisur me filmin “Në parajsën socialiste (Nuk bie kurrë shi)” me autore Ermela Telin. 

Filmi eksploron propagandën në kohën e diktaturës në Shqipëri. Sesi është përdorur arti për të kontrolluar jetën publike. Aty është edhe historia personale e regjisores Ermela Teli.

Me një fotografi të viteve ’80 të një gjenerate shkollore e ilustron narrativën e saj se ata ishin brezi i fundit i pionierëve. Ka thënë se ka dashur gjithmonë të punonte në një film për njeriun kontradiktor të ideologjive. Filmi është përplot pamje arkivore të jetesës së njerëzve, të fshehur nga sistemi. Por imazhet e lumtura në këtë periudhë filluan të shembeshin. Edhe për të. Babai i saj ishte burgosur. Një nga temat ishte edhe mungesa e shiut në komunizëm. Studimi i Gëzim Qendros, studiues i artit thoshte kështu. 

Studiuesi i artit Ermir Hoxha thotë se shiu mungon në veprat shqiptare të kohës së artit socialist. Julian Bejko, studiues i shkencave sociale është tjetri personazh në dokumentar. Kabineti i diktatorit Enver Hoxha në pamje arkivore vlerëson se veprat e artit duhet të jenë në shërbim të popullit. 
Historianët e artit shprehen në dokumentar se në artin e kësaj kohe shfaqet imazhi shkëlqyes, i kundërt me atë që ngjante në peizazhet e vendeve me sistem komunist. 

Aty tregohet se në vitet '70 nisi të shfaqet frymë liberalizmi kur nisën të shfaqen veprat që vërtetë e portretizojnë komunizmin socialist. Shenjat e errësirës te populli janë në vepra dhe studiuesit i shpjegojnë ato. 

Në kinemanë e viteve 70' gjithashtu nisin të përmenden tema si vetëvrasja, vdekja, makthi e jo vetëm. E errët është edhe muzika që përdoret për filma, pos temës. 

Shumë artistë persekutoheshin. Kubizmi e ekspresionizmi ishin frymat e tyre të shprehjes brenda mundësive. Realizmi socialist i monometalizmit të hiçit të së hirtës që mbizotëronte jetën, dominonte. 

“Ata ishin pjesë e lojës dhe e dinin se do të ishin viktima”, thuhet në filmin “Në parajsën socialiste…”. 
Shteti ndërhynte jo vetëm në art, por edhe në histori. Ndërhynte në mënyrë të dhunshme në piktura e në libra të historisë. Ekzistonte “fondi i zi” ku futeshin shumë prej këtyre veprave. 

“Në mesin e viteve ‘80 për herë të parë në parajsën e socializmit në Shqipëri, bie shi”, thotë regjisorja në filmin e saj dokumentar. Kjo qe koha kur vdiq Enver Hoxha. Në vitet ‘90 regjimi po shembej, populli ishte ngritur në këmbë. Janë imazhe të mbushura me heshtje dhe mungesa.

Regjisorja Teli ka thënë se me këtë film të saj mbetet e hapur pyetja se çfarë nga ndryshuar sot nga ajo periudhë të cilën e trajton ajo. 

“Është më shumë një qasje personale, ka qenë qëllimi im që të bëj një dokumentar që nuk ka përshtypjen të rishkruajë historinë e Shqipërisë, por që t’i rikthehet së kaluarës duke e përjetuar me ato imazhe që kam si fëmijë dhe me ato pyetje që kam pasur që në vitet ’80 kur kam lindur, e që vazhdoj t’i kem. Kështu që kjo ka qenë një nga arsyet që unë nisa një rrugëtim të tillë, sepse ka akoma shumë çështje të pazgjidhura në lidhje me të kaluarën dhe mendoj se është e qëllimshme. Mbetet pyetje e hapur se çfarë ka ndryshuar që nga rënia e komunizmit dhe ky është thelbi për mua”, është shprehur ajo. 

Efektet e kësaj propagande mbi lirinë dalin të jetë afatgjate dhe me ndikim dhe në kohët e sotme, sipas saj. 

“Ky realitet personal që ishte krejtësisht i ndryshëm dhe ky lloj dyzimi, imazhi dhe marrëdhënie sekrete me vetën time më ka përndjekur gjithmonë. Mungesa e vërtetësisë për mua ka qenë mesazhi. Të jetosh në një realitet të orientuar nga shteti që nuk është aspak e vërtetë, në ndërkohë të kesh një realitet që është i vërteti por ti nuk guxon ta thuash, as ta kërkosh, është e trashtë të jetosh në një iluzion shoqëror që orientohet nga shteti. Vazhdojmë t’i kemi këto qasje”, ka thënë Teli. 

Sipas saj, edhe sot vërehet në Shqipëri frika për t’u përballur me të vërtetën. 

“Edhe sot në Shqipërinë aktuale njerëzit kanë frikë të flasin për kë duan të votojnë dhe kjo sepse kemi trashëguar një mentalitet që të vërtetën nuk e pranojmë si shoqëri dhe jam e sigurt që kjo është fatalja e shoqërisë sonë. Ne kemi frikë të përballemi me të vërtetën. Ky ishte mesazhi im”, ka thënë Ermela Teli më tej. 

Filmi i shkurtër artistik "Flutura” i Astrit Ismailit eksploron praktikat tradicionale si këngët me tepsi

Filmi “Mama Klorin” me regji të Doreida Xhogut lidhet fort me historinë e regjisores. Si bijë emigrantësh, ajo takon gratë mirëmbajtëse në Greqi, përfshirë edhe nënën e saj si dëshmi e zellit të tyre. 

Njëra prej tyre tregon se si nuk konsideron pastërti pa përdorimin e kimikateve të forta. Njëra prej grave madje krijon vepra arti që kanë formën e ambalazheve të pajisjeve higjienike. 

Filmi i shkurtër artistik ‘Flutura” i Astrit Ismailit eksploron praktikat tradicionale si këngët me tepsi.

Rrëfimi është poetik. Astrit Ismaili këndon me rrotullimin e tepsisë si homazh për gratë që këndonin duke përdorur mjetet tradicionale të këngës. Ne anglisht e shqip, kënga e tij gjen gjuhën e përbashkët. I këndon fluturës, nënës dhe jo vetëm.

Vepra e tij shfaqet edhe brenda filmit tek personazhi i vetëm që qëndron krah tij e bart një veshje që është shumë e ngjashme me një pjesë të veshjeve tradicionale shqiptare. 

Kjo vepër qe shfaqur edhe në Galerinë Kombëtare të Kosovës. Në janar të këtij viti qe shfaqur si pjesë e ekspozitës “Ajo që ia thotë këngës…” në kuadër të ekspozitës ndërkombëtare të fotografisë dhe imazhit lëvizës “Gjon Mili”, kuruar nga Valentine Umansky. Njashtu sikur edhe filmi “Kisha pambuk të bardhë në oborrin tim, e ushqeva, e ujita” me regji nga Klodiana Millona dhe Endi Tupja që kishte fituar çmimin “Gjon Mili”.

Ky film është shfaqur krejt në fund të kësaj serie me filma kombëtarë. 

Shpalos tregimin për një grup grash nga pakica greke në Shqipëri që mbajnë gjallë traditën e tyre të këndimit polifonik. Millona e Tupja aty eksplorojnë ndërlidhjen e muzikës me vendin, migrimin e identitetin. Rrëfimet janë tejet poetike. Njëra prej këngëve ka varg edhe titullin e filmit. 

Bashkëregjisorja e filmit, Klodiana Millona, ka thënë se projekti është ndër përvojat e para me imazhin lëvizës, ngase ka prapavijë arkitekturën.

“Kështu që jam gjithmonë e interesuar në hapësira, sidomos në politikat e padukshmërisë në sfera të ndryshme. Qasja ime me grupin e grave këngëtare që janë subjekt i filmit ka qenë që nëpërmjet një projekti arkitekturor dhe ka qenë pikërisht puna e padukshme e vazhdimësisë së një lloj tradite e cila gjatë periudhës së komunizmit është institucionalizuar por asnjëherë nuk është parë poetikja e punës së këtyre grave që e mbajnë gjallë”, është shprehur ajo.

Ka theksuar se ky komunitet është i ndarë midis dy vendesh dhe se në jetë përballet me mungesa të thella. 

“Sidomos në një gjeografi kufitare e cila është thellësisht e prekur me mungesa të shumta dhe një komuniteti që është gjithmonë I ndarë midis dy përkatësive dhe asnjëherë i mirëpritur nga asnjëra anë. Ishte më shumë një eksperiment për të kuptuar se si mund të flasim për politikat hapësinore nëpërmjet zërit”, ka vazhduar ajo më tej. 

Millona ka thënë se polifonia në filmin e tyre është trajtuar si element që lidh historitë e grave, por jo si subjekt kryesor. 

“Ka qenë pikërisht shumëfishmëria që polifonia kërkon si strukturë. Nëse trupat nuk janë bashkë në një vend, nuk mund të ekzistojnë. Prandaj historitë personale të këtyre grave janë qendrore në film. E më shumë se historitë e tyre janë ndërprerjet e historive, të dendura nga migrimi. Mungesat e shumëfishta që kanë këto gra, e që e bëjnë polifoninë të pamundur, është pikërisht ardhja së bashku që polifonia mund të ekzistojë si strukturë”, është shprehur ajo. 

I shumtë është publiku që merr pjesë në shfaqjen e filmave kombëtarë. 

Biologia Aneta Muhali-Xhiku ka thënë përshtypje i ka lënë filmi “Në parajsën socialiste” i Ermela Telit. Ka konsideruar se është temë që nuk është trajtuar pothuajse fare. 

“Filmat e kësaj periudhe që kemi, që pasqyrojnë jetën shqiptare në regjim komunist, janë të paktë. Edhe ata që janë bërë janë paksa të njëanshëm. Ky film është bazuar në imazhe, në rekorde, dokumente filmike që ne shqiptarët i kemi shumë të njohur. Pothuajse të gjithë ata që pamë janë imazhe me të cilat jam rritur me to. Të vendosura në mënyrë të tillë që krijonin një tablo unike dhe gjithëpërfshirëse, e ndërthurur me aspektin personal”, është shprehur ajo duke thënë se është bërë punë e madhe nga regjisorja. 

“Mendoj se ishte bërë një punë shumë e mirë. E pyeta jo rastësisht se sa i ka zgjatur procesi i realizimit të filmit, sepse në pamje të parë duket diçka e thjeshtë. Ajo ka marrë materiale që janë gati dh e nuk i është dashur të filmojë, por fakti që pati një përshtypje kaq të thellë e një finesë për mua që e kam jetuar atë kohë, tregon që është bërë një punë me rrënjë, punë e vështirë”, ka thënë Muhali-Xhiku më tej. 

Ky ka qenë sesioni i fundit i filmave kombëtarë në kuadër të edicionit të sivjetmë të festivalit ndërkombëtar të filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”.