Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

“E vërteta...” me harta jugosllave për kufirin Kosovë-Mali i Zi

Inxhinieri i makinerisë, Ali Kelmendi, s’ka mëdyshje për kufirin midis Kosovës e Malit të Zi. Prerazi e ka titulluar edhe librin e tij.

“E vërteta për kufirin e vjetër Çakorr-Hajlë-Zhleb”, është titulli. Në 100 faqe ka përmbledhur harta dhe tekste ku citon e komenton të dhënat e gjetura, shkruan sot “Koha Ditore”.

Si burime ka shfrytëzuar enciklopeditë e ish-Jugosllavisë, përfshirë edhe ato ushtarake. Bazuar në to, sipas tij, kufiri midis dy shteteve është në majën e Çakorrit dhe vijon në Hajlë e Zhleb. Në shumë raste, rugovasi që jeton në Zvicër, citon Enciklopedinë e Jugosllavisë të botuar më 1956.

“Citoj nga origjinali:…Në drejtim me Republikën Popullore të Serbisë (KSAK) kufiri përçon Majat (Qafat) e Bogiçevicës, Çakorrit, Hajlës dhe Zhlebit. Më pastaj bëhen hartografitë dhe shënohen në Enciklopedinë e ish-Jugosllavisë, me autorët dhe ekspertët më eminentë nga e gjithë Jugosllavia”, ka shkruar mes tjerash në këtë libër ku përmblidhen të gjitha tekstet që ka shkruar Kelmendi për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi.

Recensenti i librit, Riza Smaka, ka thënë se Kelmendi veçanërisht gjatë dy-tre vjetëve të fundit është prononcuar në media elektronike e të shkruara dhe ka publikuar shumë artikuj e letra të hapura kundër redilimitacionit korruptues në vend të demarkacionit kufitar të Kosovës dhe Malit të Zi. Smaka ka përmendur disa prej titujve të analizave të Kelmendit.

Edhe OpEd Gënjeshtra e Çakorrit po vazhdon edhe në segmentin e kufirit me Serbinë!

“Sinqerisht e përgëzoj autorin Ali Kelmendi për përcaktimin e drejtë, përkushtimin e mirëfilltë dhe për punën e dobishme të bërë në kohën, dhe vendin e duhur në të mirë të vendit dhe popullit tonë”, ka thënë Smaka në përurimin e librit të premten në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës, “Pjetër Bogdani”. Sipas tij, Deklarata e përbashkët e presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, dhe atij të Malit të Zi, Filip Vujanoviq, nuk ka kurrfarë vlere juridike në raport me Marrëveshjen për kufirin midis dy shteteve.

Recensenti tjetër, Zymer Neziri, ka thënë se autori dhe brezi i tij rugovas është i lindur pas pushtimit të Rugovës dhe viseve të tjera më 1944, pas kryengritjes, burgosjeve dhe pushkatimeve. Ka thënë se Rugova më 1945 mbeti pjesë e Kosovës... (më gjerësisht lexoni sot në “Koha Ditore”)