Qendra “Multimedia” dhe puna juaj specifike si dramaturg dhe ajo e Blertës si regjisore janë sot prej organizimeve më të mira artistike në hapësirën e Ballkanit. Dramat tuaja teatrale janë përkthyer në kaq shumë vende dhe ka mjaft kërkesa në ShBA dhe Evropë për rezidenca e punëtori. Ky duhet të jetë burim krenarie, por edhe një mënyrë për ta bërë të qartë se kultura tejkalon kufijtë. Për ironi, Kosova sot është më e famshme për dramat tuaja sesa për ngjarjet e luftës apo që njerëzit mund ta kuptojnë historinë edhe përmes filtrit të teksteve tuaja. Kjo do të thotë që ju bëni një punë që i shërben imazhit të Kosovës. Çfarë ngjau atëherë?
Neziraj: Thuhet “no one is a prophet in their own land’. Puna ime si dramaturg dhe e qendrës “Multimedia” kanë nisur të merren më seriozisht në Kosovë vetëm pas suksesit ndërkombëtar. Megjithatë, fakti që ne jetojmë dhe krijojmë në Kosovë, për shumë njerëz këtu, përfshirë edhe për politikanët, nuk jemi mjaftueshëm të suksesshëm, sepse, sipas logjikës së tyre, për të qenë artist i suksesshëm ti duhet të jetosh kudo tjetër në Evropë, por jo në Kosovë.
Vlera jote në Kosovë rritet vetëm kur largohesh nga Kosova, kur fillon të krijosh diku në Evropë apo Amerikë, atëherë të çmojnë, sepse ata nuk besojnë që ti mund të jesh një artist i rëndësishëm duke krijuar në Kosovë. Pra, është krijuar njëfarë logjike e çuditshme dhe dekurajuese, prandaj shumë artistë preferojnë të largohen. Ne me punën e qendrës “Multimedia” deri diku e kemi thyer këtë mit. Kemi treguar që mund të jetosh në Kosovë dhe të jesh artist dhe teatër ndërkombëtarisht i suksesshëm.
Roli ynë në Kosovë është fuqizuar falë këtij suksesi ndërkombëtar. Megjithatë, duke qenë se ne jemi kritikë për zhvillimet politike e sociale në Kosovë, kjo politikanëve u lë shije të keqe. Shumica prej tyre besojnë që ne duke nxjerrë mbi sipërfaqe problemet në Kosovë, po kontribuojmë në rrënimin e imazhit të Kosovës ndërkombëtarisht. Ata presin nga ne të jemi si tip agjentësh propagandistikë, që shëtisim me shfaqjet tona nëpër Evropë dhe u tregojnë të tjerëve për “Kosovën e mrekullueshme që po lulëzon”. Dhe ne nuk e bëjmë këtë gjë, natyrisht. Por ne, po, e promovojmë teatrin kosovar, e promovojmë Kosovën, duke qenë kritik, sepse kritika jonë është dashamirëse; ne e qortojmë, sepse e duam këtë vend. Ne nuk jemi, si ta zëmë plot media cinike evropiane, që çdoherë kur shkruajnë për Kosovën, reprodukojnë klishetë e njohura, për Kosovën si vatër krimi e si një vend i rrezikshëm. Ne shkojmë përtej, dhe kritika jonë nuk synon poshtërimin e këtij vendi, por ndryshimin.
Prandaj jetojmë këtu, prandaj duam të bëjmë teatër këtu, sepse e duam këtë vend dhe duam ta ndryshojmë, ta bëjmë një vend më të dinjitetshëm për njerëzit që jetojnë këtu. Dhe ky insistim yni për ta ndryshuar këtë vend e ka koston e vet natyrisht, dhe fakti që ne e humbëm hapësirën e provave që kishim, është pjesë e atij çmimi.
Autoriteteve natyrisht nuk u bëhet vonë për këtë gjë. Dhe ka plot njerëz që nuk na duan, që na shohin si armiq të këtij vendi, si artistë antikombëtarë, agjentë e tradhtarë që u shërbejmë interesave të huaja – plot prej tyre, në shumë raste edhe na e kanë dëshiruar vdekjen e zhdukjen publikisht, por në anën tjetër, ka edhe një ushtri të tërë mbështetësish, publik i zakonshëm, artistë e intelektualë që besojnë në punën tonë, besojnë në angazhimin tonë për ta ndryshuar këtë vend, besojnë në kualitetin e punës sonë artistike…