Kulturë

Dyshja virtuoze franceze përmbyll “ReMusican” e tingujve për ditë të reja

Festivali “ReMusica” ka përmbyllur dekadën e vet të dytë. Rrugëtimi i sivjetmë muzikor ka përfunduar me koncertin e dy vëllezërve francezë: violinistit Pierre Fouchenneret dhe pianistit Theo Fouchenneret. Ekipi i Festivalit shpreson që kapitulli i ri t’i gjejë duke festuar së bashku me publikun

Që në fillim të rrugëtimit, festivali “ReMusica” ide themelore e pati popullarizimin e muzikës bashkëkohore. Kështu ishte edhe në këtë edicion, i cili bëri bashkë artistë të mëdhenj vendas dhe të huaj. Edicioni jubilar me moton “Rikthim para”, ka hedhur një vështrim në arritjet e deritanishme, si themel i vlefshëm për atë që pason. Kapitulli i sivjetmë u përmbyll me koncertin e dy vëllezërve francezë: violinistit Pierre Fouchenneret dhe pianistit Theo Fouchenneret.

Dyshja i dha përmbylljes delikatesën franceze, me koncertin që u titullua “The Franch Touch”. Pierre është një nga violinistët më të mirë francezë që u bë i njohur si i ri. Ndërkaq vëllai i vogël, pianisti Theo, i cili shkurt iu drejtua publikut para fillimit të koncertit, njihet për lojën e tij virtuoze dhe bashkëpunime me festivale e artistë të njohur.

“Përshëndetje! Jemi shumë të lumtur që do të luajmë për ju dhe urojmë që t’ju pëlqejë ky koncert”, ka thënë pianisti në hapje të koncertit.

Koncerti u hap me “Sonata no.1” të Robert Schumannit, që konsiderohet si një nga kompozitorët më të njohur të periudhës romantike. Më pas sollën “Rhapsody no.1” të kompozitorit hungarez, Béla Bartók, që e gjeti te muzikantët francezë, si Claude Debussy, për ta përmbyllur me “Sonate no.2” të francezit Gabriel Fauré që ishte inspirim i shumë kompozitorëve të shekullit XX.

Ekipi është shprehur i kënaqur me këtë edicion që u mbajt në formatin online, për shkak të masave për parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Shaban Behramaj, koordinator i “ReMusicas”, ka treguar se sivjet pasi që ishte shënimi i jubileut e kishin menduar organizimin krejtësisht ndryshe.

“Si një festë të madhe, sepse është 20-vjetori dhe kemi bërë një përmbledhje, madje edhe një film dokumentar në mënyrë që ta pasqyrojmë komplet jetën e Festivalit për këta 20 vjet. Në momentet e fundit ndërroi situata me pandeminë dhe rregullat e reja që vendosi Qeveria, por prapë se prapë me një punë të madhe ne si ekip organizativ kemi arritur me e realizuar komplet festivalin, me disa modifikime të vogla, por duke sjellë përmbajtjen e njëjtë”, ka thënë ai.

Ishte dokumentari “20 Vjet ‘ReMusica” nga Hana Agimi – përmbledhje përvojash e kujtimesh nga ata që kryesisht punuan në fillet e festivalit – ai me të cilin mbrëmjen e 13 shtatorit u parapriu koncerteve.

Ani pse takimi fizik këtë vit u pamundësua, sipas Behramajt, vullnetin dhe dashurinë që të sjellin koncerte dhe programe të larmishme me artistë të shquar nga vendi dhe bota, asnjëherë dhe asgjë nuk do të mund ta ndalë e ta kufizojë. Behramaj ka treguar se tashmë i janë përveshur punës edhe për edicionin e ardhshëm, me shpresën se do të mbahet me praninë e publikut.

“Puna për Festival është e vazhdueshme. Për këtë edicion kemi punuar pothuajse gjatë gjithë vitit dhe tashmë kemi filluar që të mendojmë për edicionin e ardhshëm. Shpresoj shumë që do të jetë me publik, i hapur, se do të kalojë kjo gjendje e rëndë me koronavirusin dhe njerëzit do të kenë mundësinë ta shikojnë nga afër muzikën me interpretë nga vendi e të huaj”, ka thënë ai.

Teksa është kthyer te koncerti përmbyllës i dy vëllezërve francezë, ka thënë se artistë të kalibrit të tillë do të ishte një kënaqësi edhe më e madhe sikur të dëgjoheshin në salla koncertale.

Pierre dhe Theo Fouchenneret e përmbyllën këtë dekadë të “ReMusicas”, që sipas kryeministrit Albin Kurtit, ka kuptimin e muzikës së re, por edhe të ringjalljes dhe rindërtimit. Në një postim në rrjetet sociale, Kurti ka thënë se Festivali u bë një ndër shtyllat kryesore të zhvillimit të jetës kulturore artistike në Kosovë, duke promovuar krijimtarinë e kompozitorëve të Kosovës dhe duke mundësuar ballafaqimin e natyrshëm të krijuesve tanë me ata botërorë.

“Gjatë këtyre viteve, krahas koncerteve me artistë kulmorë të skenës ndërkombëtare, ‘ReMusica’ solli edhe programin tematik ‘Veprat e reja pedagogjike për instrumente’. Në përmbyllje të edicionit të 20-të të ‘ReMusicas’, falënderoi organizatorët dhe krijuesit për themelimin e ngritjen e këtij festivali që pasuron jetën kulturore e artistike të vendit dhe literaturën tonë pedagogjike”, ka shkruar ai.

Drejtoresha e Festivalit, Donika Rudi, ka thënë se sot “ReMusica” është zgjeruar dhe në vete përmban koncerte të tipave të ndryshme duke arritur që publikun ta ketë të larmishëm, duke arritur kështu edhe synimin e Festivalit që të jetë i hapur për të gjithë.

“Angazhimi im si udhëheqëse direkte e Festivalit është jetësuar në dekadën e dytë të Festivalit, pikërisht në vitet kur edhe ndërron fizionomia e Festivalit dhe ‘ReMusica’ fillon dhe shtrihet edhe në epokat e tjera stiliste, duke futur kështu ne repertor muzikën e vjetër, muzikën e Barokut, Renesancës dhe kështu me radhë gjithmonë duke pasur në fokus natyrisht muzikën bashkëkohore”, ka thënë ajo duke shtuar se kjo do të mbetet thelbësore edhe për edicionet që do të vijnë më pas. Dekada e tretë e “ReMusicas” pritet të nisë në prillin e vitit të ardhshëm.