Kulturë

Dy projekte të arkitektit nga Kosova në garë për “EUmiesaward”

Me projektin e Xhamisë në fshatin Tupallë të Medvegjës dhe atë për shtëpi banimi në Gremnik të Klinës, arkitekti Arbër Sadiki është nominuar në ciklin e sivjetmë të çmimit të Bashkimit Evropian për arkitekturë bashkëkohore “EUmiesaward”. Arkitekti Arber Sadiki ka thënë se vetë nominimet për një çmim ndër më të rëndësishmit në Evropë në fushën e arkitekturës janë një vlerësim më vete. “Ajo që më gëzon edhe më shumë është mundësia për të promovuar disa kualitete modeste, të cilat arrihen me vështirësi në një ambient tejet jomiqësor ndaj arkitekturës”, ka thënë ai

Janë dy projekte moderne të cilat kompleksiteti i thjeshtësisë dhe përshtatja me natyrën përreth i bën të veçanta, sidomos në konkurset ndërkombëtare. Njëri veçse është dëshmuar në një prej konkurseve më të njohura të arkitekturës së objekteve të kultit islam.

E tash pos Xhamisë në fshatin Tupallë të Medvegjës, Arbër Sadiki është në garë për një tjetër çmim prestigjioz edhe me një shtëpi banimi. Në ciklin e sivjetmë të çmimit të Bashkimit Evropian për arkitekturë bashkëkohore “EUmiesaward”, Xhamia në Tupallë dhe “Vila SHM” janë midis 362 nominimeve nga 38 vende evropiane.

Sipas përshkrimit në ueb-faqen e “EUmiesaward” që mban emrin e arkitektit gjermano-amerikan, Ludwig Mies van der Rohe, shpjegohet se qasja kryesore e dizajnit për Xhaminë në Tupallë ishte krijimi i një hapësire të rehatshme, funksionale dhe shpirtërore për një komunitet të vogël mysliman, me një kosto financiare minimale.

“Dizajni arkitektural i kësaj hapësire paraqet parimet e modestisë, sinqeritetit dhe pastërtisë, duke përdorur forma të pastra gjeometrike, të bardha si jashtë edhe brenda ndërtesës. Pozicionuar në një rajon malor me një komunitet të vogël mysliman dhe pa asnjë objekt kulturor përreth, xhamia synon të ofrojë mundësi për aktivitete kulturore jashtë aspektit religjioz”, shkruhet në koncept. Aty sqarohet se salla kryesore e lutjeve ka mure të gërshetuara dhe me dritë, duke krijuar një atmosferë ku besimtarët ndodhen në një ambient me dritë natyrore pa pamje të drejtpërdrejtë jashtë. Aty jepen edhe të gjitha të dhënat teknike. Me këtë projekt Sadiki në marsin e sivjetmë qe shpallur laureat i ciklit të katërt të çmimit “Abdullatif Al Fozan”.

“Hapësira më e mirë për të reflektuar është ajo e hapura. Kur dikush lutet në ambient të jashtëm, mundësia e reflektimit është shumë e hapur. Por kur mund të arrihet që kjo ndjesi dhe ky reflektim të jenë të mundur në një hapësirë të brendshme në një mënyrë të thjeshtë, mendojmë se është e arritura e madhe që xhamitë në të ardhmen duhet të tentojnë ta bëjnë”, kishte arsyetuar çmimin juria për projektuesin e Xhamisë prej 84 metrash katrorë.

Sadiki tash në ciklin e 18-të të çmimit të themeluar më 1987 ka të nominuar edhe projektin e realizuar në Kosovë.

Sipas konceptit të publikuar në ueb-faqen e Fondacionit që ka përsipër konkursin, “Vila SHM” në Gremnik të Klinës ka në fokus krijimin e një plani të kuptueshëm për aktivitetet e përditshme duke përdorur betonin dhe tullat natyrale si elemente kryesore. Është një shtëpi banimi e konkretizuar në vitin 2022.

“Në aspektin arkitektonik ndërtesa merr formën e një kubi me një theks horizontal, duke u përputhur me siluetën e Alpeve Shqiptare në sfond. Ky dizajn siguron që struktura përshtatet pa problem në peizazhin përreth pa shfaqur elemente të papërshtatshme për natyrën. Ndërsa dy fasadat që shikojnë rrugën kanë hapje minimale, duke krijuar kështu përshtypjen e kufizimit të furnizimit me dritë natyrale, ndërkaq brendësia e shtëpisë është e ndriçuar mirë përmes dizajnit strategjik”, shkruhet në koncept. Sipas sqarimit që jepet aty, fasadat në drejtim të juglindjes dhe jugperëndimit kanë dritare të mëdha, duke përmbytur brendësinë me dritë, të cilat gjithashtu ofrojnë pamje të mrekullueshme të mjedisit natyror. Ka edhe lidhje me trashëgiminë kulturore.

“E gjithë struktura është ndërtuar me tulla natyrale, duke e nderuar kështu vendndodhjen e afërt të lokalitetit arkeologjik të periudhës romake, Dresnikut, i cili është ndërtuar kryesisht me të njëjtin material”, shkruhet për shtëpinë në 196 metra katrorë përfshirë garazhin për dy makina. Dresnikun antik të gjurmëve dardane e ka afër rreth 5 kilometra.

Arkitekti Arber Sadiki ka thënë se vetë nominimet për një çmim ndër më të rëndësishmit në Evropë në fushën e arkitekturës, janë një vlerësim më vete. Sipas tij, ajo që e gëzon edhe më shumë është mundësia për të promovuar disa kualitete modeste, të cilat arrihen me vështirësi në një ambient tejet jomiqësor ndaj arkitekturës.

“Në këtë drejtim, vlerësimi ndërkombëtar, nëse pak ndikon edhe për një vetëdijesim lokal pasi – siç thotë Nënë Tereza ‘secili nuk mund të bëjmë gjëra të mëdha, por secili mund të bëjmë gjëra të vogla por me dashuri të madhe’ – do të isha i lumtur”, ka thënë Sadiki i cili aktualisht është drejtor i Urbanizmit në Komunën e Prishtinës.

Midis objektivave të çmimit “EUmiesaward” janë promovimi dhe kuptimi i rëndësisë e cilësisë dhe pasqyrimi i kompleksitetit e rëndësisë së vetë arkitekturës në aspektin e arritjeve teknologjike, ndërtimore, sociale, ekonomike, kulturore dhe estetike.

Juria do të përzgjedhë 40 projekte të dalluara në atë që njihet si lista e ngushtë dhe më pas në finale do të jenë 7 projekte. Parashihet që më pas të vizitohen projektet finaliste duke pasur kështu mundësi për të intervistuar arkitektët, ekipet e tyre e klientët.

Këtë vit juria kryesohet nga francezi Frédéric Druot, dhe anëtarë janë Martin Braathen (Oslo), Pippo Ciorra (Romë), Tinatin Gurgenidze (Tbilisi/Berlin), Adriana Krnáčová (Pragë), Sala Makumbundu (Luksemburg) dhe Hrvoje Njiric (Zagreb).