Kulturë

Dy muaj pas kontratës prej 52 mijë eurosh, “Eminxhiku” larg restaurimit

Ndërtesa e shekullit XIX në kompleksin “Eminxhiku” e njohur si Shtëpia e familjes, në fund të tetorit ka hyrë në vitin e tretë prejse ka nisur të konservohet e restaurohet. Me kontratën e radhës të nënshkruar para dy muajsh ishte paraparë që punimet të përfundoheshin për 120 ditë pune, prej të cilave tashmë kanë kaluar 40 e s’ka asnjë lëvizje në këtë drejtim

Prishtinë, 1 dhjetor – Janë bërë gati dy muaj prejse Ministria e Kulturës ka lidhur kontratë me një kompani për të nisur konservimin dhe restaurimin e njërit nga dy objektet e Muzeut Etnologjik në Prishtinë. Por në praktikë ende nuk është bërë asnjë hap dhe nuk ka ndonjë afat se kur do të nisë puna. Këtë nuk e di as institucioni punëdhënës.

Përderisa situata është e paqartë, ndërtesa e shekullit XIX në kompleksin “Eminxhiku” e njohur si Shtëpia e familjes, në fund të tetorit ka hyrë në vitin e tretë prej kur kanë nisur konservimi e restaurimi. Muret i kanë mbetur të zhveshura prej fasadës, pa shumicën e dritareve, ekspozuar ndaj kushteve atmosferike e një gjendjeje e tillë e rrezikon edhe më qysh se u ndërprenë punimet në fund të dhjetorit të vitit 2017.

Prej atëherë Muzeu Etnologjik vepron vetëm me njërën shtëpi, atë që njihet si Shtëpia e zjarrit.

Kur u ndërprenë punimet, si një prej arsyeve u përmenden kushtet meteorologjike. Plotësimi i projektit ishte arsye tjetër.

Ministrisë së Kulturës i janë dashur dy vjet e gjysmë që të fillojnë me procedurat e prokurimit për këtë kompleks të trashëgimisë kulturore, më të vizituarin në vend e po ashtu më të rekomanduarin nëpër guidat e agjencive që merren me turizëm.

Kontrata e nënshkruar më 5 tetor të këtij viti midis Ministrisë së Kulturës dhe “Albi Company” me seli në Rahovec për punimet në “Eminxhik” peshon 52 mijë e 308 euro. Kur ishte nënshkruar kontrata, shtëpia e shekullit XIX ishte e rrethuar me skelet që kanë qëndruar aty për tre vjet. Sipas shkresave të lëndës, del se punëmarrësi nuk ia ka dalë të dakordohet me pronarin e skeleve që t’i përdorë ato.

Më 10 nëntor Ministria e Kulturës e kishte njoftuar punëmarrësin që skelet paraprake janë larguar dhe janë krijuar kushtet për fillimin e punës. Madje i ishte kërkuar që brenda dy ditëve të organizonte fillimin e punimeve dhe të njoftonte MKRS-në për fillimin e punimeve. Por gjërat nuk kishin ecur. Në ditën e 16-të të këtij muaji MKRS-ja prapë nëpërmjet një shkrese elektronike kishte kërkuar fillimin e punës. Në këtë shkresë është cekur se kontrata ishte nënshkruar më 10 tetor dhe hapësira ishte e gatshme për të nisur punimet.

“Kërkohet nga ju që nesër (e martë) datë 17.11.2020 të fillohet me vendosjen e skeleve dhe pastaj të procedohet me punë tjera sipas kontratës”, shkruhet në këtë shkresë. Kompanisë i është kërkuar po ashtu që të njoftojë MKRS-në për fillimin e punimeve. Institucioni më i lartë kulturor në vend, nëpërmjet menaxheres së kontratës, arkitektes Ardiana Qorraj, punëmarrësit i ka dhënë edhe arsye të tjera se përse duhet të nisë puna.

“Ndërtesa është vlerësuar nga profesionistët e institucioneve se nuk mund të qëndrojë pa mbajtëse vertikale”, shkruhet në këtë shkresë.

Sipas kontratës, punët duhet të kryhen në afat prej 120 ditësh pune. “Afati, sipas meje, nis që nga dita e parë”, ka thënë arkitektja Ardiana Qorraj. Megjithëse në kontratë ceket që punëmarrësi duhet të përdorë skelet e veta për t’i kryer obligimet, “Aby Company” është duke kërkuar që për këtë punë të paguhet me mjete shtesë.

“Punët demoluese do të kryhen sipas projektit, që do të thotë me shpenzimet e veta duhet t’i përdorë veglat ndihmëse, si dhe skelet e nevojshme për kryerjen e punimeve”, shkruhet në kontratën që është publike.

KOHA ka provuar që të flasë me punëmarrësin Qazim Bytyqi. Përmes një mesazhi elektronik ka thënë se do të lajmërohet pasi është në një takim. Por nuk e ka bërë një gjë të tillë e as nuk u është përgjigjur pyetjeve që KOHA ia ka dërguar qysh para një jave.

Burim Reçica, drejtor i Departamentit të prokurimit në MKRS, ka thënë se do të përdoren nenet e kontratës sa u përket vonesave.

“Për çdo vonesë do të ekzekutohen penaltitë deri në shkëputje të kontratës”, ka thënë ai.

Ajet Leci, drejtor i Muzeut të Kosovës, që e ka nën menaxhim edhe kompleksin “Eminxhik”, ka thënë se punimet është dashur të nisnin qysh në tetor, por ende nuk ka ndonjë afat se kur do të fillojnë konservimi e restaurimi.

“Jemi shumë vonë dhe do të jetë shumë problem edhe për shkak të kushteve meteorologjike”, ka thënë ai.

Me projekt parashihen punime qysh prej shkallëve e derës hyrëse.

“Te dritaret pjesët e mbetura do të gërryhen, do të shtohen pjesët e dëmtuara, si dhe pjesët e qelqit. Do të lyhen me ngjyrë, e cila përcaktohet nga mbikëqyrësi. Tavanet do të lyhen me ngjyrë, që përcaktohet nga mbikëqyrësi. Tek elementet e drurit pjesët e munguara dekoruese në mure do të zëvendësohen me të reja, po ashtu pjesët e drurit në hyrjen e hollit do të gërryhen dhe ngjyrosen me ngjyrë e cila përcaktohet nga mbikëqyrësi”, shkruhet në dosjen e tenderit. Sipas dosjes, do të rregullohen dyshemetë, muret do të përforcohen nga strukturat mbajtëse me elemente druri dhe do të bëhet mbushja me qerpiçë.

“Gilinderët ose rrethojat do të gërryhen dhe do të lyhen me ngjyrë, e cila përcaktohet nga mbikëqyrësi. Sipas projektit të statikës, kulmi nuk do të largohet, por do të përforcohet me trarë dhe shtylla të çelikut”, shkruhet në dosjen e tenderit. Aty sqarohet se në muret e jashtme mbështjellja me kashtë do të konservohet dhe mbi atë do të vendoset shtresa e suvasë me bazë gëlqereje në atë të shtresës së vrazhdë.

Muzeu Etnologjik deri në nisjen e restaurimit të shtëpisë kryesore ishte vendi i vetëm ku ekspozoheshin vlerat etnografike në nivelin e institucioneve qendrore. Sapo kishte nisur ndërhyrja qe konstatuar se ky objekt rrezikonte të shembej. Dritaret, dyert, vitrinat ekspozuese, ashtu sikurse eksponatet e drunjta e ato të tekstilit, po ashtu planifikohet t’i nënshtrohen procesit të restaurimit. Trajtimi i tyre për herë të fundit ishte bërë më 2006. I gjithë kompleksi përbëhet nga katër objekte. Dy shfrytëzohen nga Muzeu. Ai i shekullit XVII pritet të restaurohet pas atij ku tash e tre vjet po zvarriten punimet.

Por restaurimi i dy prej katër objekteve të “Eminxhikut” nuk është problemi i vetëm sa i përket ansamblit arkitekturor. Prej majit të vitit 2017 kompania, që ishte duke bërë ndërhyrje emergjente në objektin që njihet si ahur në këtë kompleks, nuk ka pasur ndonjë aktivitet. Ministria e Kulturës ende s’ka zgjidhje me qendrën për art bashkëkohor “Stacion” në lidhje me shfrytëzimin e Shtëpisë së Gurit, që është objekti i katërt i këtij kompleksi. MKRS-ja i kishte akuzuar udhëheqësit e “Stacionit” si uzurpatorë, që prej vitit 2010 nuk kanë leje për shfrytëzimin e objektit. Kishte dhënë edhe afat për lëshimin e objektit, por ai nuk qe respektuar.

Image