Kalaja e Shkodrës dhe Kalaja e Lëkurësit në Sarandë janë në pritje të qiraxhinjve. Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e Shqipërisë ka marrë vendim që këto dy monumente t’i japë me qira teksa ka procedurë të konkurrimit publik, përmes së cilës njofton “dhënie në përdorim ambienti shërbimi në pasurinë kulturore Kalaja Rozafa Shkodër dhe Kalaja e Lëkurësit Sarandë, monumente kulture, kategoria e parë me qëllim rijetësimi”. Subjektet e interesuara kanë kohë deri më 21 gusht.
Kalaja e Lëkurësit në fakt ka qenë e dhënë në përdorim edhe më herët. Ndërsa një procedurë e ngjashme me qëllim rijetëzimi u propozua edhe nga qeveria Berisha në fund të mandatit të saj në vitin 2013 duke ngjallur debat të madh publik. Asokohe, Partia Socialiste në opozitë doli kundër dhënies me qira të monumenteve dhe me të ardhur në pushtet anuloi disa prej kontratave duke u përballur me bizneset edhe në gjykatë.
Pas hapjes së kësaj procedure nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Forumi për Mbrojtjen e Trashëgimisë ka dalë kundër. Përmes një postimi, e cilëson atë si një shaka ndërsa shtron pyetjet nëse Kalaja e Lëkurësit “është piceri apo trashëgimi kulturore?”
“Kalaja e Lëkurësit e dhënë me qira nga ministri i Kulturës Edi Rama ishte përcaktuar të kthehej në një pikë kulturore në shërbim të trashëgimisë së zonës. Pas 25 vjetësh kjo kala është simboli i përdhosjes së trashëgimisë ku vetëm vlera kulturore nuk ka më”, ka reaguar Forumi.
Sipas këtij grupimi specialistësh të trashëgimisë, kalaja e ndërtuar mbi rrënojat e një kishe bizantine është shndërruar në një seri restorantesh picerish dhe kafenesh duke i hequr çdo vlerë kulturore.
Kalaja e Shkodrës ose e Rozafës bart mbi muret e saj, pos histori e kultura të vendit, edhe legjendën që i dha emrin duke na kujtuar sa fjalën e dhënë po aq edhe mitin e ndërtimit e shkatërrimit.