Kulturë

“Dy jetë për muzikë” me Mulliqin e Pagarushën ikonikë

Kompozitori Rexho Mulliqi e këngëtarja Nexhmije Pagarusha janë protagonistë të librit. Një lloj simfonie e përbashkët e pasionit e përkushtimit për qëllimet e njëjta. Botimi “Dy jetë për muzikë” me autore Kristina Palokaj-Perkolajn është vlerësuar produkt muzikologjik i nevojshëm në vend. Promovimi i monografisë përkon me përvjetorët e lindjes së artistëve

Monografia “Dy jetë për muzikë” është festa për jetën dhe krijimtarinë e dy figurave të shquara, njëkohësisht ikona të muzikës shqiptare. Kompozitori Rexho Mulliqi e këngëtarja Nexhmije Pagarusha janë protagonistë. Një lloj simfonie e përbashkët e pasionit e përkushtimit për qëllimet e njëjta. Botimi me autore Kristina Palokaj-Perkola është vlerësuar produkt muzikologjik i nevojshëm në vend.

Promovimi i monografisë përkon me 100-vjetorin e lindjes së Mulliqit dhe atë të 90-tin të Pagarushës. Në qendrën “BogdaniPolis” të enjten është shpalosur pak nga mozaiku i rrëfimit në libër. I ndarë në dy pjesë vepra shtjellon biografinë dhe krijimtarinë artistike të Mulliqit e Pagarushës. Kapitulli i parë i kushtohet biografisë, veprave dhe rëndësisë historike të punës së Mulliqit.

Në të dytin, materialet e hulumtuara marrin formë për kapitullin “Diskursi tingullor, analitik dhe estetik në disa vepra të rëndësishme të Rexho Mulliqit”. Aty përfshihen përpunimet e stilizimet, analiza për “Bareshën”, veprat kamertale dhe orkestrale, si dhe kontributi i tij për muzikën skenike dhe filmike.

Në pjesën e dytë të librit me redaktore Indira Çipën, protagoniste është këngëtarja Nexhmije Pagarusha. Nis me poezinë “Voc, vocis” të Mirko Gashit kushtuar asaj. Biografia e karriera, pjesëmarrja e saj në festivale e skena të tjera muzikore në vend e më gjerë, si dhe rrugëtimi artistik i Pagarushës si aktore janë prej temave që ka gjurmuar autorja.

Nëpër faqet e librit përfshihen edhe lista me tituj këngësh të kënduara ndër vite e fotografi të disqeve me këngët e saj. Një kapitull i veçantë përfshin ngjarje, koncerte e dedikime për nder të këngëtares që nisën në fillimvitet e këtij shekulli dhe që janë mbajtur deri në vitin 2023.

Prej ngjarjeve me të cilat u nderua vepra e bilbilit të Kosovës e që përfshihen në libër është edhe busti në bronz që në tetor të këtij viti u vendos në vendlindjen e saj në fshatin Pagarushë të Malishevës. Aty si imazh zë vend edhe koncerti kushtuar asaj në kuadër të festivalit ndërkombëtar të operës “Ramë Lahaj”. Të përpunuara me kujdes, programi me perla nga repertori i saj ishin shpalosur para publikut në natën përmbyllëse të edicionit të tretë të Festivalit që u mbajt në fund të muajit korrik të vitit të kaluar.

Autorja Palokaj-Perkola shkruan në libër se nëse analizohet literatura e botuar deri më tash del se “personaliteti i Nexhmije Pagarushës është trajtuar mjaft nga gazetaria muzikore, por ndoshta jo mjaftueshëm nga muzikologjia”. Ajo thekson se nuk ka asnjë libër monografik të botuar për kompozitorin Mulliqi.

Libri përfshin materiale arkivore me fotografi e faksimile të gazetave që ndër vite kanë dedikuar artikuj për Pagarushën.

Image

Autorja Kristina Palokaj-Perkola e ka vlerësuar monografinë si udhëtim narrativ për dy figura të mëdha.

“Kjo monografi shpalos udhëtim narrativ përmes linjës së jetës dhe veprës së këtyre dy personaliteteve, një kompozitori dhe një këngëtareje, të cilët kanë frymëzuar brezat në forma të ndryshme. Ajo me zërin e saj e ai me stilin e tij krijues. Kompozitori Mulliqi ka bërë që emocionet të shpalosen me muzikë dhe ka hapur hapësira të reja artistike ndërsa këngëtarja në binarë krejtësisht të tjerë artistikë na ka emocionuar me zërin e saj unik dhe ka triumfuar mbi shumë sfida, në një periudhë aspak të lehtë për gratë për të depërtuar në botën e artit”, ka thënë muzikologia Palokaj-Perkola.

Ajo ka thënë se me këtë botim ndihet e përmbushur profesionalisht e shpirtërisht duke treguar se ka qenë synim i kahershëm i saj.

“Të jetosh në të njëjtën periudhë me personalitete të mëdha është me të vërtetë fat i veçantë, sepse kjo të mundëson të kapësh në kohë reale momente të rëndësishme të historisë së njerëzimit. Kur ky privilegj mungon atëherë është sërish fat të jetosh në këso periudha përvjetorësh që të japin mundësinë dhe motivin për të hulumtuar dhe dokumentuar të bëmat e këtyre personaliteteve që me punën dhe veprën e tyre kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në historinë kombëtare në fusha të ndryshme”, ka thënë autorja e librit të përkrahur nga Ministria e Kulturës e që si botim mban çmimin 15 euro.

Sipas Kristina Palokaj-Perkolas, monografia i kontribuon fushës së muzikologjisë në vend.

“Muzikologjia shqiptare nuk ka arritur të mbajë hapin me aktivitetet kompozicionale dhe interpretative, prandaj çdo prurje e re në fushën e muzikologjisë për ne muzikantët do të thotë shumë. Natyrisht u shërben gjeneratave të reja për hulumtime të mëtutjeshme”, ka thënë Palokaj-Perkola, hulumtuese e pozicionuar kryesisht në fushën e muzikologjisë historike.

Recensentja e monografisë, Violeta Krasniqi, ka thënë se me këtë botim mblidhen copëzat e shpërndara për jetën e veprën e dy personazheve në një. Ka përmendur faktet jetësore e arritje të personazheve të përfshira në monografi.

“Autorja thekson se jeta personale në vitet ’90 ishte reflektim i gjendjes së përgjithshme politike, ekonomike, sociale, nëpër të cilën po kalonin shqiptarët pas uzurpimit të autonomisë së Kosovës dhe aplikimin e politikës së hapur diskriminuese kundër tyre dhe dhunë tradicionale të serbëve ndaj shqiptarëve. Kristina Palokaj -Perkola me analizën e detajuar të veprimtarisë artistike dhe jetësore të Nexhmije Pagarushës përfundon se asaj me të drejtë iu dha epiteti ‘Bilbili i Kosovës’”, ka thënë Krasniqi derisa e ka vlerësuar monografinë si prurje të rëndësishme për historiografinë dhe muzikologjinë e vendit, por edhe si objekt studimi për studentë.

Sipas Krasniqit, “autorja e veprës në figurën e Nexhmije Pagarushës sheh femrën shqiptare që me aq vështirësi dilte nga periudha e gjatë e diskriminimit shoqëror. Me shembullin e saj hapte rrugën e emancipimit kulturor, social e ekonomik”. Ka thënë gjithashtu se ajo bën analizë të plotë instrumentale, kamertale e orkestrale të veprave të Rexho Mulliqit.

Redaktorja e botimit, Indira Çipa, ka thënë se monografia prek aspektin kulturor, historik, muzikolog, shkencor e informativ.

“Një material i pasur me një sasi të konsiderueshme fotosh, fragmentesh notale dhe tabelash paraqet një trajtim me gjuhë, mjete dhe artefakte shumë të fuqishme argumentuese për lëndën që shtjellon. Rexho Mulliqi, kompozitor, dhe Nexhmije Pagarusha, këngëtare dhe aktore, për audiencën e sotme muzikore-kulturore paraqesin figurat e adhuruara në historinë kulturore kombëtare, figura që përmbushën jetët e gjeneratave të kaluara që mund të duken të mistershme për cilësitë që ata përfaqësuan dhe për pasurinë shpirtërore të skalitur në kujtesën tonë nacionale”, ka thënë Çipa.

Veprën e ka vlerësuar si shpagim kolektiv ndaj thesarit të çmuar që e lanë trashëgim Mulliqi e Pagarusha. Sipas saj, “autorja ka bërë organizim të shkëlqyer të fakteve, artefakteve dhe argumenteve”.

“Monografia sjell rezultatet nga hulumtimi shumëdimensional. Është e fuqizuar nga botime të botuara muzikologjike, nga mediumet informative, nga artefaktet e koncerteve dhe produksionet e tjera relevante, nga intervistat e protagonistëve, nga arkivat private dhe publike, nga hulumtimet e vetë autores, nga konkludimet profesionale të autores e të tjera. Si në pjesën e parë, ku flitet për Rexho Mulliqin, ashtu edhe në pjesën e dytë, kushtuar Nexhmije Pagarushës, studiuesja Perkola tregohet si selektuese dhe organizuese e shkëlqyer e informatave dhe fakteve”, ka thënë redaktorja e monografisë, Indira Çipa.

Në “Dy jetë për muzikë” bashkëdyzohet udhëtimi jetësor i dy figurave që lanë pas perla të muzikës klasike e këngës popullore.