EXPRESS

“Dy jetë për muzikë” me Mulliqin e Pagarushën ikonikë

Monografia “Dy jetë për muzikë” është festa për jetën dhe krijimtarinë e dy figurave të shquara, njëkohësisht ikona të muzikës shqiptare. Kompozitori Rexho Mulliqi e këngëtarja Nexhmije Pagarusha janë protagonistë. Një lloj simfonie e përbashkët e pasionit e përkushtimit për qëllimet e njëjta. Botimi me autore Kristina Palokaj-Perkola është vlerësuar produkt muzikologjik i nevojshëm në vend.

Promovimi i monografisë përkon me 100-vjetorin e lindjes së Mulliqit dhe atë të 90-tin të Pagarushës. Në qendrën “BogdaniPolis” të enjten është shpalosur pak nga mozaiku i rrëfimit në libër. I ndarë në dy pjesë vepra shtjellon biografinë dhe krijimtarinë artistike të Mulliqit e Pagarushës. Kapitulli i parë i kushtohet biografisë, veprave dhe rëndësisë historike të punës së Mulliqit.

Në të dytin, materialet e hulumtuara marrin formë për kapitullin “Diskursi tingullor, analitik dhe estetik në disa vepra të rëndësishme të Rexho Mulliqit”. Aty përfshihen përpunimet e stilizimet, analiza për “Bareshën”, veprat kamertale dhe orkestrale, si dhe kontributi i tij për muzikën skenike dhe filmike.

Autorja Kristina Palokaj-Perkola e ka vlerësuar monografinë si udhëtim narrativ për dy figura të mëdha.

“Kjo monografi shpalos udhëtim narrativ përmes linjës së jetës dhe veprës së këtyre dy personaliteteve, një kompozitori dhe një këngëtareje, të cilët kanë frymëzuar brezat në forma të ndryshme. Ajo me zërin e saj e ai me stilin e tij krijues. Kompozitori Mulliqi ka bërë që emocionet të shpalosen me muzikë dhe ka hapur hapësira të reja artistike ndërsa këngëtarja në binarë krejtësisht të tjerë artistikë na ka emocionuar me zërin e saj unik dhe ka triumfuar mbi shumë sfida, në një periudhë aspak të lehtë për gratë për të depërtuar në botën e artit”.

Recensentja e monografisë, Violeta Krasniqi, ka thënë se me këtë botim mblidhen copëzat e shpërndara për jetën e veprën e dy personazheve në një. Ka përmendur faktet jetësore e arritje të personazheve të përfshira në monografi.

“Autorja thekson se jeta personale në vitet ’90 ishte reflektim i gjendjes së përgjithshme politike, ekonomike, sociale, nëpër të cilën po kalonin shqiptarët pas uzurpimit të autonomisë së Kosovës dhe aplikimin e politikës së hapur diskriminuese kundër tyre dhe dhunë tradicionale të serbëve ndaj shqiptarëve. Kristina Palokaj-Perkola me analizën e detajuar të veprimtarisë artistike dhe jetësore të Nexhmije Pagarushës përfundon se asaj me të drejtë iu dha epiteti ‘Bilbili i Kosovës”.

Redaktorja e botimit, Indira Çipa, ka thënë se monografia prek aspektin kulturor, historik, muzikolog, shkencor e informativ.

“Një material i pasur me një sasi të konsiderueshme fotosh, fragmentesh notale dhe tabelash paraqet një trajtim me gjuhë, mjete dhe artefakte shumë të fuqishme argumentuese për lëndën që shtjellon. Rexho Mulliqi, kompozitor, dhe Nexhmije Pagarusha, këngëtare dhe aktore, për audiencën e sotme muzikore-kulturore paraqesin figurat e adhuruara në historinë kulturore kombëtare, figura që përmbushën jetët e gjeneratave të kaluara që mund të duken të mistershme për cilësitë që ata përfaqësuan dhe për pasurinë shpirtërore të skalitur në kujtesën tonë nacionale”.

Në “Dy jetë për muzikë” bashkëdyzohet udhëtimi jetësor i dy figurave që lanë pas perla të muzikës klasike e këngës popullore.