Një emision edukativ për fëmijë është duke u përgatitur në Kohavision dhe pritet të nisë transmetimin në muajin shtator.
Është fjala për “Programin fluturues të fëmijëve”, i cili rikthehet me një format tërësisht të ri. Emisioni këtë herë u dedikohet veçanërisht fëmijëve parashkollorë, të cilët do të njihen me shkronjat, numrat dhe format e ndryshme. Përmes këtij emisioni, shikuesit e vegjël do të mësojnë edhe për kafshë të ndryshme, ku gjenden, çfarë hanë e çfarë u pëlqen të bëjnë. Ata edhe do t’i shohin për së afërmi disa prej kafshëve që gjenden në Kosovë.
Po ashtu, fëmijët do të njihen me profesione dhe hobi të ndryshëm. Cila është puna e ciceronit? Po e veterinerit? Si duhet vepruar një zjarrfikës në raste emergjente? Cilat janë rregullat e komunikacionit? Për këto dhe shumë më shumë, do të mësojnë fëmijët drejtpërsëdrejti nga profesionistët e caktuar. Dhe jo vetëm kaq, ngase “Programi fluturues i fëmijëve” do të ketë edhe rubrikën “Punëdore”, ku fëmijët do të mësojnë hap pas hapi se si të krijojnë gjësende të ndryshme me materiale të ndryshme. Arti do të përfshihet edhe në rubrikën “Ngjyra ngjyra”, në të cilën ilustrohet një vizatim i caktuar të cilin, më pas, edhe mund ta ngjyrosin në shtëpitë e tyre.
“Fëmijët sot kanë aq shumë mundësi të mësojnë, por shumë informacione i marrin në gjuhën angleze. Për këtë arsye kam menduar të krijojmë një emision i cili do t’iu dedikohet, veçanërisht, parashkollorëve duke i njohur me shkronjat, numrat dhe shumëçka tjetër dhe duke i përgatitur në njëfarë forme për shkollë në të ardhmen. Të gjitha do të vijnë në formë të lojës dhe argëtimit, në mënyrë që të jetë sa më e kapshme dhe argëtuese për shikuesit tanë të vegjël”, ka thënë producentja e emisionit Edona Bekteshi-Shala.
Fëmijët do të sfidohen edhe me kuizin tonë, i cili do t’u mësojë atyre për veten, kafshët, bimët, sendet, vendet dhe çdo gjë që i rrethon.
Gjithashtu, fëmijët do të mësojnë edhe gjuhën angleze nga arushi Bada dhe shokët e tij. Bada është një arush, i cili bashkë me miqtë e tij, përmes lojës, këndimit e vallëzimit, ua bën më të lehtë fëmijëve mësimin e gjuhës angleze.
“Programi fluturues i fëmijëve” do të nisë transmetimin nga 7 shtatori.
“Emisioni transmetohet të shtunave pasdite në Kohavision. Transmetimit të tij në KTV do t’i paraprijë një tjetër emision i ri, po ashtu, për fëmijë, ‘Treni’, i cili është një përmbledhje e filmave të ndryshëm të animuar për fëmijë dhe u kushtohet fëmijëve të moshave të ndryshme”.
“Treni” përmban në vete një seri filmash vizatimorë si: “Polo”, “Baby Beatles”, “Agi Bagi”, “Learning with Timmy”, “Octonauts”, “Thomas Edison’s Secret Lab” dhe “Extreme Football”.