Kulturë

“Dushkaja” e Buxhovit vjen si autopsi psikologjike në transicion

Prishtinë, 20 prill – Rrëfimi i një personazhi që autori e ka zgjedhur të jetë piktor, ecën nëpër mjegullën e transicionit. I bie të përballet me çlirimin pa liri. E këtë e shpreh edhe nëpërmjet gjendjes shpirtërore.

Kësisoj, gazetari veteran, historiani e shkrimtari Jusuf Buxhovi studimet e tij për historiografi i ka përkthyer në romanin “Dushkaja” që është promovuar të enjten në Prishtinë e sot (e premte) do të promovohet edhe në Pejë. Përderisa i ka hyrë projektit studimor për dy dekadat e transicionit – që do të futet në tri vepra, të cilat do t’u shtohen pesë vëllimeve “Kosova” – të dokumenteve e mesazheve politike që lidhen me shtetin më të ri në Evropë, ka vendosur t’u japë dimension shpirtëror. Romanin e ka quajtur produkt të intermexove gjatë hulumtimeve për veprën e radhës kapitale.

Nazmi Rrahmani, drejtues i shtëpisë botuese “Faik Konica”, që së bashku me “Jalifat Publishing” nga Houstoni i ShBA-së kanë botuar veprën e Buxhovit, ka thënë se romani është interesant jo vetëm për nga tema që trajton, nga mënyra e shkrimit e vlera artistike, por edhe për mënyrën e re në të cilën autori përpiqet të paraqesë një pjesë të historisë përmes shikimit të një krijuesi dhe veprave të tij, të cilat pasqyrojnë momente, ngjarje dhe situata të ndryshme.

“Nëpër këto situata kalon piktori, e veprat e tij pasqyrojnë periudhat e historisë”, ka thënë ai.

Recensenti i librit, Ramadan Musliu, ka thënë se pas romaneve “Dosja e hapur” dhe “Dosja B” që kushtimisht janë të karakterit dokumentar, autori vjen me romanin “Dushkaja” që është pothuajse tematikisht i njëjtë, mirëpo ndryshon në procedim. Titullin që shtron plot dilema e ka përshkruar si toponim, metaforë, alegori e deri tek përmasat mitologjike (gjerësisht, sot në “Kohën Diutore”).