Pas qëndrimit gjatë muajit shtator në portin e Vlorës, libraria më e madhe lundruese në botë “Logos Hope” ka mbërritur të enjten në portin e Durrësit, ku u mirëprit nën kujdesin e Autoritetit Portual-Durrës dhe nga grupi artistik i drejtuar nga koreografi Arian Plaku.
“Logos Hope” ka më shumë se 5 mijë tituj librash dhe në bord ka një ekuipazh vullnetarësh nga rreth 60 vende të ndryshme nga e gjithë bota. Është një staf prej rreth 400 vetash.
Anija e veçantë është duke zhvilluar një tur lëvizës në Mesdhe, ndërsa pas Vlorës, u ndal dhe në Durrës, duke i dhënë mundësinë më shumë liridashësve të ngjiten në bordin e saj.
Është hera e tretë që libraria e madhe lundruese mbërrin në Shqipëri. Qëllimi i këtij ekuipazhi është ndarja e shpresës, njohurive dhe dijeve me njerëzit në mbarë botën.
Panairi lundrues i librit, siç shkruhet në uebfaqen om.org, vizitorëve të shumtë u ofron mundësi për të parë dhe për të blerë vepra cilësore.
“Brenda anijes qëndron një ekuipazh ndërkombëtar dhe staf vullnetarësh të cilët jetojnë dhe punojnë në të. Gjatë ndalesave ekipet shkojnë në zonat përreth për të ofruar ndihmë dhe kujdes për komunitetin. Në çdo port, ekuipazhi i anijes bashkohet me organizatat e atij vendi për të sjellë shpresë dhe për të ofruar dashuri për njerëzit, pavarësisht nga rrethanat, kultura ose prejardhja e tyre”, shkruhet aty.
Edhe
Libraria më e madhe lundruese ankoron në bregdetin shqiptar
Anija “Logos Hope” është pronë e “OM Ships”, që daton që nga viti 1970. Anija e parë është quajtur “The first logos” dhe kishte lundruar për 17 vjet me radhë. “Pastaj, më 1988, ‘OM’ bleu anije ‘Logos II’, e cila shërbeu deri më 2008, ndërsa anija tjetër ‘Doulos’, e blerë më 1977, shërbeu deri në vitin 2010. Më 2009 u ble anija aktuale ‘Logos Hope’, e cila është dyfish më e madhe sesa ‘Logos II’”, shkruhet në om.org. Po aty bëhet e ditur se deri më sot anijet kanë qëndruar në çdo port prej dy deri në katër javë dhe kanë hapur rrugën për mijëra e nganjëherë për dhjetëra vizitorë. Që nga viti 1970, anijet e “OM-it” kanë pasur mesatarisht një milion vizitorë në vit. Siç shkruhet në “OM Ships International”, “Logos Hope” e filloi jetën në Rendsburg, në veri të Gjermanisë, në vitin 1973, si traget i makinave “Gustav Vasa” me kompaninë “Lion Ferry AB”. Për dhjetë vjet ajo e ka bërë të njëjtën rrugë midis Malmös (Suedi) dhe Travemündes (Gjermani). Më vonë rruga e saj u zgjerua, duke përfshirë Rønne (Danimarkë) dhe Trelleborg (Suedi). “Pas një periudhe të mëtejshme planifikimi dhe mbledhjeje fondesh, rinovimet e gjera filluan në kantierin e anijeve ‘Brodotrogir’ në Trogir, Kroaci, në qershor 2005.
Në nëntor 2007 anija u nis nga Kroacia për në Kiel, Gjermani, ku ajo u pasurua dhe rinovua edhe më tej, ku u shtua edhe numri i vullnetarëve në bord. Më maj të 2008 ajo u nis për në Landskrona, Suedi, ku përveç renovimeve të përgjithshme, iu vendos edhe një gjenerator i ri. Më në fund “Logos Hope” u rikthye në shërbim në shkurt të vitit 2009. Në maj të 2022 “OM Ships” ka blerë edhe një anije, e cila u quajt “Doulos Hope”. Pas një renovimi, i cili do të bëhet gjatë një periudhe prej 12-18 muajsh, “Doulos Hope” pritet ta nisë lundrimin më 2023. “Logos Hope” vjen në Shqipëri pas ndalesës që pati në Valletta të Maltës. Në javën e parë të nëntorit do të jetë në Tivar të Malit të Zi.