Me përpikëri virtuoze, violinistja nga Shqipëria e pianistja nga Kosova u bashkuan si “Duo Ko-Art”. Abigeila Voshtina e Artemida Qarri - Haxhiaj sollën larmi mes veprave të dëshmuara ndërkombëtare e shqiptare, teksa i dhanë jetë edhe premierës “Scherzo” të Drinor Zymberit
Pavarësisht diferencave si instrumente, ishin Abigeila Voshtina e Artemida Qarri - Haxhiaj ato të cilat sollën harmoni muzikore e skenike në koncertin e katërt të edicionit të 21-të të Festivalit Ndërkombëtar të Prishtinës “ReMusica”.
Me përpikëri virtuoze dhe koordinim, violinistja nga Shqipëria e pianistja nga Kosova bënë bashkimin e forcave rreth muzikës nën emërtimin “Duo Ko - Art”. Dyshja, e cila u bashkua enkas për festivalin e dëshmuar të muzikës, i solli publikut një program të larmishëm mes veprave vendore e ndërkombëtare. Pjesa që thonë t’i ketë lidhur më së shumti përgjatë punës së përbashkët kishte qenë dashuria e të dyjave ndaj veprave të Schumanit e Brahmsit, të cilat edhe vendosën t’i kenë në repertor.
Pasioni në tingujt e ndryshueshëm të “Mit teidenschaftlichem Ausdruck”, qetësia që të rrëmbente në thellësi e “Allegretto” dhe “Lebhaft” mes gjallërisë e vrazhdësisë, i bëri instrumentistet të performojnë gati “pa frymë” në jetësimin e “Sonatës 1 për violinë” të mjeshtrit e kompozitorit me prejardhje gjermane, Robert Schuman.
Baraspeshën mes pianos e violinës e dëshmuan edhe veprat e Johannes Brahms. “Sonata për violinë e piano No.2 në la maxhor, op.100”, e cila e ndarë në tri pjesë që fillimin e kanë pak a shumë të njëjtë, kumbuan në 125-vjetorin e vdekjes së kompozitorit, i cili shumë shpesh përmendet krahas Bethovenit e Bahut.
Por në rrafshin vendor, adresë kryesore patën kompozitorin i cili u bë shkollë me profesionalizmin e tij për shumë gjenerata të muzikës klasike, Çesk Zadeja. Në 95-vjetorin e lindjes së tij, publikut iu rikthye “Sonata për violinë e piano”. Ishte pikërisht magjia e veprave të Zadesë, ajo që i bëri instrumentistet ta ndërrojnë renditjen e programit, duke i luajtur në fillim të koncertit veprat e kompozitorit shkodran në nderim të tij.
Në një koncert të pasur nuk kishin se si të mungonin edhe prurjet e reja. Ashtu siç nisi me melodi shqiptare, po njësoj edhe përfundoi. “Scherzo” nga profesori universitar, Drinor Zymberi, erdhi premierë në koncertin e “Duo Ko-Art” si dialog mes instrumentisteve e si vulë e frymës bashkëkohore.
Programin e përzgjedhur e ka cilësuar si “mjaft ambicioz” pianistja Qarri – Haxhiaj, teksa për violinisten Voshtina, për “ReMusica” duhet kujdes i veçantë për shkak të konsistencës muzikore.
“Mendoj që sidomos ‘ReMusica’ që qe 21 vjet e ka publikun e vet, është e domosdoshme për muzikën të zhvillohet, të ketë shtëpi të veten ku kompozitorët mund të shprehen. Është shumë e bukur dhe ju duhet ta mbani këtë gjë”, ka thënë violinistja që ka luajtur edhe në “Teatro della Scala”, “Orchestra Simfonia Verdi” e bashkëpunëtorja e dirigjentëve të famshëm, si Valery Gergiev, Philip Masur, Riccardo Muti e Lorin Maazel.
Veprat ndërkombëtare i cilësoi si shumë klasike, teksa gjen edhe të përbashkëta mes kompozitorëve, duke përmendur mënyrën e të shkruarit.
“I kam për zemër. Kanë lidhje e afinitet mes vete. Schumani ishte ai që i hapi rrugë Brahmsit”, ka thënë violinistja me shumë pasion. “Ajo egërsia dhe rreptësia e Brahmsit, me atë gjendjen ‘sipas hënës’. Schumani nuk ishte i jashtëzakonshëm, por ishte shumë special si njeri”.
Pikërisht admirimi që kanë ndier për Schumanin dhe Brahmsin, i ka bërë dyshen të gjejnë gjuhë të përbashkët muzikore.
“Kjo ka qenë impulsi i parë që na ka lidhur. Ky program është duo, e shkruar për piano e violinë, kënaqësia ishte aty pikërisht se këtu të mos jetë roli im karshi violinistit - solistit, por të kemi hapësirën të shprehim kapacitetin dhe aftësitë muzikore”, ka thënë pianistja, e cila po vazhdon studimet e doktoratës në drejtimin interpretativ në “Sv. Kiril i Metodij” në Shkup.
Për pjesën shqiptare, ato vlerësojnë se koncerti i cili ishte planifikuar të mbahej para dy vjetësh – e që u shty për shkak të pandemisë – ia ka dhënë publikut mundësinë e pranisë së dy poleve, Çesk Zadenë, si baba të muzikës shqipe dhe brezin e ri krijues si Drinor Zymberi.
“U munduam të kishim një panoramë të qartë të muzikës shqiptare”, ka thënë Voshtina për përzgjedhjen e dy kompozitorëve shqiptarë duke vazhduar për veprën e cila erdhi premierë. “Nuk kemi pasur mundësi të punonim bashkë, andaj i dhamë shpirt atij ritmit që kishte shkruar. Është ritëm e vajtim tipik ballkanik, shkruar në disa modalitete tonale. Ishte diçka e bukur për të mbyllur koncertin, një ‘Scherzo’ e shkurtër me ndikim”.
Vetë profesori universitar, kompozitori i “Scherzo” ka pranuar se është i kënaqur me interpretimin e veprës.
“Natyrisht jam i kënaqur me interpretimin. Shihet që janë instrumentiste të nivelit, gjithmonë në vepra premierë ka pak më shumë kërkesa se në ato që bëjnë pjesë për standardin qoftë të pianos qoftë të violinës. Përgjithësisht ka qenë mirë dhe jam i kënaqur”, ka thënë Zymberi.
Për të, “ReMusica” përbën vend të veçantë në karrierën e tij meqenëse, siç ka thënë ai, e kanë mbështetur e prezantuar në skenë.
“Kjo vepër muzikore nuk është kompozuar tash. Është vepër që shpërfaq një ide që është vazhdimisht në proces e përpunim që nga fillimi deri në fund, vetëm se paraqitet në forma të ndryshme, në formë të dialogut qoftë në violinë qoftë në piano, me harmoni pak a shumë bashkëkohore”, ka thënë Zymberi.
Instrumentistet u detyruan që të riktheheshin në skenë edhe pas përshëndetjes së fundit, për shkak të duartrokitjeve të gjata të publikut. Madje, koncerti i “Duo Ko – Art” u cilësua edhe si freski muzikore.
“Ishte program i jashtëzakonshëm me kërkesa shumë të mëdha muzikore e teknike”, u shpreh profesoresha Lejla Pula, duke tërhequr edhe paralelen e kushteve nën të cilat operojnë muzikantët. “Edhe pse kjo sallë për koncerte solistike është pak e madhe me akustikë jo të mjaftueshme, por shpresojmë se do të bëhet salla koncertale”, ka thënë ajo në Sallën e Kuqe të Pallatit të Rinisë.
Të dyja i ka cilësuar si instrumentiste të jashtëzakonshme, e për “Scherzo” të Drinor Zymberit ka vlerësuar se është vepër “shumë efektive, e jashtëzakonshme, me një shtrirje shumë të bukur”.
Planet e Abigeila Voshtinas e Artemida Qarri - Haxhiajt janë që koncertin e parë të “Duo Ko - Art” ta zhvendosin edhe në Tiranë.