“Dumbo”-ja i ri i Tim Burtonit vjen në ekranet e mëdha me një jehonë të mbytur. Fjala është për elefantin e vogël me veshë të mëdhenj të filmit që trajton turpërimin e shekullit 21 nga ideja e kafshëve të mbyllura të cirkut, por që e stërngatërron versionin e parë të filmit, e humb drejtpërdrejtësinë, e braktis rrëfimin origjinal, përdor muzikë vend e pa vend dhe më në fund katandiset në njëfarë soji të “Jurassic Parkut”, mbushur përplot me kapitje retro-futuriste, madje aq sa i bezdis edhe fëmijët.
Versioni i ri i skenaristit, Ehren Kruger, bazohet në klasikun e vitit 1941 të “Disney”-it dhe në rrëfimin origjinal të ilustruar të 1939-s të Helen Abersonit dhe Harold Pearlit, rreth një elefanti të vogël cirku të quajtur “Jumbo Junior”. Jumboja ka veshë jashtëzakonisht të mëdhenj dhe për këtë ai e merr madje nofkën “Dumbo”. Por këta veshë bëjnë që ai të mundë të fluturojë – si rosaku i vogël që bëhet një mjellmë në fluturim.
Por ky film – një aksion energjik me një Dumbo CGI – e stërngarkon gjithë rrëfimin me një akt të tretë llahtarshëm të kotë, të stërgjatë dhe jointeresant rreth shitjes së Dumbos një qendre të pamëshirshme argëtimi. Performancat e Colin Farrellit, Eva Greenit dhe Michael Keatonit, ngujohen në një ambient të ngrysur, me mimika fytyrash të vrenjtura dhe buzëqeshje të mbytura.
Versioni i ri i filmit prodhon një hallakamë prej skenës më të famshme: momentit brutalisht brilant, pothuajse të papërballueshëm për t’u shikuar, kur nëna e Dumbos zemërueshëm kap disa djelmosha nga audienca që po e ngacmonin të voglin e saj dhe u jep ca shpulla me hundën e saj, për ç’arsye lidhet dhe burgoset në një karrocë të vogël me afishen në të cilën shkruan: “Rrezik, elefant i tërbuar”.
Dumboja i gjorë mund ta vizitojë nënën e tij tinëz, gjatë natës, duke e zgjatur hundën e tij të vockël drejt të së ëmës, të cilën ajo e zgjat përtej grilave, shkruan “The Guardian”, transmeton “Koha Ditore”. Ky është momenti më prekës në krejt rrëfimin e “Disney”-it, akoma më pikëllues se vdekja e nënës së “Bambi”-t apo e babait të “Simba”-s, sepse nëna e Dumbos është akoma gjallë, duke e përjetuar një makth të turpërimit dhe mizorinë e robërisë.
“Dumbo”-ja i ri e humb fillin në këtë pjesë. Krejt ngjarja përkufizohet me një sekuencë të vetme, monotone, pothuajse të turpshme pas një lëmshi që nuk e ngërthen vuajtjen e njëmendtë dhe zemërimin ndaj padrejtësisë, shkaku se filmi shfaqet i druajtur në cilësimin si “djelmosha të këqij” të atyre qenieve njerëzore, që pritet të marrin pjesë në fundin e lumtur – dhe incidentalisht e shfuqizon shokun më të mirë dhe të vetmin të Dumbos, miushin Timothy. Këtu, miqtë e Dumbos janë ekskluzivisht homosapienët.
Me zhvillimin e ngjarjes, drama përfshin qëllimshëm një numër karakteresh të liga, synim i të cilëve është që ta karantinojë statusin heroik të njerëzve të mirë. Stërvitësi i lig i kafshëve në filmin e parë (roli i të cilit është që të bëhet pretekst për ndëshkimin e nënës së Dumbos), është edhe në të riun, duke e reflektuar ashpërsinë e njëjtë dhe i pranishëm është natyrisht edhe sipërmarrësi i ri i lig, VA Vandevere (Keatoni). Ndër karakteret pozitive është drejtori zemërar i filmit origjinal, luajtur nga Danny DeVito, artistja e trapezit Colette (Green) dhe stërvitësi i ve, Holt Farrier (Farrell), dy fëmijët e të cilit bien në dashuri me Dumbon e vogël. Në aspektin narrativ, Burtoni mund të kishte bërë shumë më tepër në skenën kur Dumboja ndahet prej nënës së tij të gjorë. Megjithatë, ky faktor i rëndësishëm është pothuajse i harruar në vorbullën e pamjeve virtuale, ekzotike të Burtonit.
Edhe
Quinta Brunson do ta sjellë në ekran versionin e ri të personazhit legjendar Betty Boop
Filmi i parë ishte xhiruar më 1941 dhe ky version na shpie në periudhën pas Luftës së Parë Botërore. E në versionin e ri të 2019-s, filmi shpërfaq turpërimin për gjithë idenë e detyrimit të kafshëve që të bëjnë spektakle para njerëzve. Ky është mësimi që filmi në fund e përqafon, ama, qysh në fillim, elefantët shfaqen si kafshët më të mëdha të cirkut. Dhe filmi në fund të fundit e përfytyron për heronjtë e tij një version pa njerëz të fatit të “Jungle Book”, ndonëse nuk dihet qartë se si do të funksionojë ky fat përbrenda ekonomisë së menaxhimit të cirkut.
Nuk është se nuk më kanë pëlqyer të gjitha ripërpunimet e Burtonit. “Plannet of the Apes”-i i tij ishte i tmerrshëm teksa filmi “Alice in the Wonderland” ishte shumë më i mirë, ama “Sweeney Todd”-i i tij qe interesant, ndërsa teksa versioni i “Charlie and the Chocolate Factori” qe shumë i mirë ani pse pak a shumë i keqkuptuar.
Edhe në këtë film, janë disa momente të arsyeshme në fillim, kur Dumboja mundohet që të fluturojë. Por këto momente janë anuluar sherri se ishin të bezdisshme, paarsyeshëm ngatërruese dhe janë tërhequr nga vija e rrëfimit, teksa historia shkon drejt përfundimit të lodhshëm. Krejt puna është dëmtuar në mënyrë të dhimbshme.