Kulturë

Drejtoresha e re e Teatrit të Gjakovës: Drama shqipe, prioritet

“Përveç që të sjellim regjisorë sa më të dëshmuar, besoj se një pjesë të madhe do t’ia kushtoj dramës kombëtare që shihet se është e nevojshme në secilin teatër të Kosovës, ta përkrahim dramaturgjinë tonë. Gjithashtu do të mundohem të krijoj kushte më të mira teknike në Teatër, pasi ka mungesë të elementeve teknike që i nevojiten teatrit”, ka thënë Albulena Kryeziu-Bokshin në ditën kur ka marrë detyrën si drejtoreshë e Teatrit “Hadi Shehu” të Gjakovës

Aktorja Albulena Kryeziu-Bokshi ka marrë postin e drejtoreshës së Teatrit të Gjakovës “Hadi Shehu”. Të premten, kur zyrtarisht e ka pranuar këtë pozitë, ajo ka thënë se njëri prej prioriteteve gjatë mandatit të saj do të jetë dramaturgjia shqipe. Emri i saj në krye të këtij institucioni është bërë publik nga kryetari i Komunës së Gjakovës, Ardian Gjini.

“Albulena ka dëshmuar kapacitetin e vet në fushën e aktrimit dhe jam i bindur se të njëjtin përkushtim do ta ketë edhe në menaxhimin e njërit prej institucioneve më të dashura të qytetit tonë”, ka shkruar ai në postimin e shoqëruar me foto nga pritja që ia kanë bërë Kryeziu-Bokshit bashkë me drejtoreshën për Kulturë, Rini dhe Sport, Adea Roka. I ka premtuar përkrahja asaj dhe stafit të Teatrit. Në takim ka qenë edhe drejtori i deritanishëm i Teatrit, Edi Kastrati.

Me zgjedhjen e Kryeziu-Bokshit, institucioni me histori afër gjysmëshekullore përmbyll një proces që ka nisur gati para një viti. Prej shkurtit të 2022-tës, Teatri qe udhëhequr me zëvendësues të drejtorit, e konkursi u hap tek në shtatorin e vjetëm. Në tetor u shpall lista e ngushtë. Kundërkandidatë të Kryeziu-Bokshit kanë qenë Behar Zenelaj e Aurita Agushi. U testuan në nëntor e me 79 pikë në test me shkrim e 63 në intervistë, Kryeziu-Bokshi doli në krye të listës. Prej të premtes, për katër vjet do të jetë në krye të Teatrit.

Ka thënë se gjatë mandatit të saj rëndësi të veçantë do t’i kushtojë dramaturgjisë shqiptare.

“Përveç që të sjellim regjisorë sa më të dëshmuar, besoj se një pjesë të madhe do t’ia kushtoj dramës kombëtare që shihet se është e nevojshme në secilin teatër të Kosovës, ta përkrahim dramaturgjinë tonë. Gjithashtu do të mundohem të krijoj kushte më të mira teknike në Teatër, pasi ka mungesë të elementeve teknike që i nevojiten teatrit”, ka thënë Kryeziu-Bokshi në një prononcim për KOHËN.

Kryeziu-Bokshi ka thënë se së shpejti do të hartohet plani i këtij viti i Teatrit dhe se shumë shpejt do të publikohet. Sipas saj, nevojat e teatrit do të plotësohen edhe në bashkëpunim edhe me Komunën e Gjakovës dhe Drejtorinë për Kulturë.

Ka qenë Këshilli Drejtues – në përbërje të Migena Arllatit, Muradije Ramiqit, Erzen Valës, Pëllumb Vulës e Florent Kocit – i emëruar në majin e vitit të kaluar, ai që ka bërë vlerësimin e kandidatëve. Menaxhimi financiar, administrativ, teknik e promovimi i Teatrit, sikurse edhe zbatim i vendimeve të Këshillit Drejtues të Teatrit, propozimi i organizimit të brendshëm, i buxhetit vjetor, janë disa prej detyrave dhe përgjegjësive të drejtorit të Teatrit.

Për 12 vjet këto detyra e përgjegjësi, sikurse edhe të tjera, i ka kryer Edi Kastrati. Ai nuk ka kandiduar për mandat të katërt të drejtorit në Teatër.

“Nuk kam dashur të vazhdoj edhe një mandat të ri dhe nuk kam aplikuar. Kam pritur zgjedhjen e drejtorit dhe ka ardhur Albulena që sot është bërë pranim-dorëzimi i postit”, ka thënë Kastrati. Periudhën gjatë së cilës ka drejtuar Teatrin e ka vlerësuar si tejet të suksesshme. “Kemi fituar çmime kombëtare e ndërkombëtare. E kam nisur mandatin me dy punëtorë dhe po e lë me njëzet”, ka thënë Kastrati, teksa ka bërë të ditur se kërkesë e tyre ka qenë që fillimisht të zgjidhet udhëheqësi artistik.

“E drejtë e imja ka qenë t’ia dorëzoj postin drejtorit të ri, edhe pse kërkesë e jona ka qenë të bëhet së pari udhëheqësi artistik, të jetë i pari, e më pas drejtori i përgjithshëm, mirëpo kështu ka vendosur Komuna dhe nuk e di a do të kemi udhëheqës artistik, gjë që është shumë e nevojshme”, ka thënë Kastrati. Me një postim goxha emocional, ka lënë postin e drejtorit.

“Ky prolog, nga puna ime me teatër është një transformim fizik, ku unë e marr krejt të natyrshëm me ndërtimin tim që kam për jetën, për punën, e për komunikimin me masën. Teatri i Gjakovës është aty ku dikush i mençur e krijoi. Të tjerët lozëm dhe punuam për ta ruajtur, e sigurisht të gjithë së bashku edhe ia kemi shtuar vlerat, se i druheshim publikut të Gjakovës, se ata dinë me ta thanë me loçke të zemrës nëse ia huq”, ka shkruar ndër të tjera Kastrati. Ka thënë se jeta është teatër, e koleges së tij, i ka uruar sukses në krye të institucionit që ai e udhëhoqi për më shumë se një dekadë. “Që sot teatri ka drejtori të re, me miken time Albulena Kryeziu-Bokshi, aktore e rritur në skenë. Dhe, ajo nuk është vetëm, jemi aty se nuk na lë publiku të ikim. Andaj, një fillim i ri, për një lojë të mbetur në heshtje të pakuptimtë për një vit, për ne, e për ju publik i dashur. Aq sa kisha mundësi punova, duke mos u lodhur me drejtësi dhe ndershmëri”, ka shkruar Kastrati, i nënshkruar “tani, ish-drejtor i Teatrit ‘Hadi Shehu’ – Gjakovë”.

Albulena Kryeziu-Bokshi kreu studimet për aktrim në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës. Në bagazhin e saj numërohen shumë role në film dhe teatër duke qenë pjesë e Teatrit Profesional të Gjakovës, teatrit “Dodona” në Prishtinë, Teatrit Shqiptar në Shkup e të tjera. Ka luajtur në filmat shqip “Anatema”, “Kodi i Jetës”. Pos në skenën vendore, në atë ndërkombëtare ka fituar çmimin si aktorja më e mirë në “Mediterranean Film Festival” në Itali për rolin në filmin “Cheating for Papers” . Për të njëjtin rol, në festivalin e filmit “DC” në Francë fitoi çmimin si aktorja më e mirë në vitin 2016. Sipas biografisë së saj, viteve të fundit, ka luajtur disa role të ndryshme, duke pasur ndikim në zhvillimin dhe suksesin e shumë prej prodhimeve të teatrove në Kosovë. Ndër vite ka luajtur në filma, shfaqje teatrale e seri televizive. Pos filmit në të cilin është vlerësuar me çmime në dy festivale të mëdha, ajo njihet edhe për rolet në “Stinë Dashurie”, “Kolona” dhe “E dashura Nita”. Kontributin artistik e ka shprehur ndër vite në skenën e teatrit për shfaqjet “Lulëkuqet”, “Shi në Uerto Monte”, “Betohem se...”, “Letër nga burgu...letër në burg”, “Peer Gynt”, “39 hapat” e të tjera.