Njëri prej dorëshkrimeve të punës së Albert Einsteinit për teorinë e gjerë të relativitetit, i llogaritur të kapë shumën prej dy deri në tre milionë euro, do të nxirret në ankand, ka njoftuar shtëpia e njohur e ankandeve “Christie’s”, me seli qendrore në Londër.
“Padyshim se bëhet fjalë për dorëshkrimin më të çmueshëm të Einsteinit që është nxjerrë ndonjëherë në ankand”, ka njoftuar “Christie’s”. Ankandi pritet të mbahet më 23 nëntor në shtëpinë franceze të ankandeve “Aguttes”. Dorëshkrimi është punim origjinal në 54 faqe në të cilin prej në vitet 1913 dhe 1914 në Zürich kishin punuar fizikani me nam dhe bashkëpunëtori e miku i tij, Michele Besso, inxhinier zvicrano-italian. Në fakt, falë Bessos është ruajtur ky dorëshkrim pasi Einsteini – i cili i konsideronte këto shënime krejt të zakonshme gjatë punës – nuk do ta ruante dorëshkrimin, ka sqaruar “Christie’s” në njoftimin me të cilin ka paralajmëruar ankandin.
Pas Teorisë së relativitetit të cilën më 1905 e përthekoi më formulën E=mc2, Einsteini në vitin 1912 nisi të punojnë në Teorinë e gjerë të relativitetit.
Einsteini dhe Besso iu rrekën problemit i cili me dekada sfidonte komunitetin shkencor: anomalitë e orbitës të Merkurit. Dhe ia dolën ta zbërthenin këtë enigmë, rikujton “Christie’s”. Dokumenti tjetër që daton prej asaj kohe i njohur si “Shënime nga Zürichu” nga fundi i vitit 1912 dhe fillimi i vitit 1913, gjendet në arkivin e Universitetit Hebraik në Jerusalem.