Kulturë

Dokumentari i regjisores shqiptare garon në festivalin më me nam në Zvicër

Prishtinë, 7 janar – Dokumentari “Wake Up on Mars”, nën regji të Dea Gjinovcit, është në garë në dy kategori, në atë që njihet si festivali më i vjetër në Zvicër. Garon në kategorinë “Opera Prima” dhe “Prix de Soleure”, në festivalin “Solothurn Film Festival”. Edicioni i sivjetmë, i 56-i me radhë, do të mbahet prej 20 deri më 27 janar.

Themeluar më 1966 në Zvicër, festivali i përvitshëm “Solothurn Film Festival”, është një përzgjedhje e filmave zviceranë, atyre të gjatë, të shkurtër, dokumentarëve dhe produksioneve të tjera filmike. Nëpërmjet diskutimeve, audienca takon figura me rëndësi të industrisë së filmit dhe diskutohet për filmat e shquar, si dhe kulturën e filmit në Zvicër. Me më shumë se 60 mijë vizitorë çdo vit, “Solothurn Film Festival” radhitet në mesin e ngjarjeve me më nam në Zvicër.

Historia e dokumentarit “Wake U pon Mars” i regjisores kosovare nis me një artikull që regjisorja e kishte lexuar në “New Yorker”. Aty në mënyrë të detajuar flitet për jetën e një familjeje rome nga Kosova që jeton në Suedi, dy vajzat e së cilës kanë qenë në komë për disa vite. Ato vuajnë nga e ashtuquajtura “sindromë e tërheqjes traumatike”.

Dea Gjinovci, regjisorja e lindur në Zvicër, ka thënë për KOHËN se të lansosh një film në vitin 2020 ka qenë e vështirë, prandaj çdo festim ishte edhe më i vlefshëm.

“Të lansosh një film debutues në vitin 2020 ka qenë shumë e vështirë, kështu ishte edhe për shumë regjisorë edhe në aspektin global. Pritshmeritë që i ndërtova rreth lansimit në festival të filmit ishin të mëdha, sepse realizimi i filmit ju jep shumë, por gjithashtu edhe merr shumë nga ju. E pas një udhëtimi të gjatë, ajo që dëshironi për ekipin tuaj, shokët, familjen dhe mbështetësit është që të festoni arritjet dhe të ndiheni që tani mund t’ia lini filmin botës – se ai do ta gjejë rrugën e vet”, ka thënë ajo.

Regjisorja u bë e njohur me dokumentarin e saj të shkurtër “Sans le Kosovo”, kur në vitin 2017 fitoi çmimin për filmin më të mirë kombëtar në “DokuFest”. E dokumentari i saj debutues i gjatë “Wake Up on Mars” mori mbështetje nga “Sundance Film Institute” dhe “Ford Foundation JustFilms” të New Yorkut dhe fitoi “Perspectives d’un doc” në “Visions du Réel 2018” në Nyon të Zvicrës. Vitin e kaluar “Wake Up on Mars” ishte pjesë e festivalit “Tribeca Film Festival” në New York dhe “Visions du Réel Festival” në Nyon të Zvicrës. Premierën kosovare e pati në gusht në festivalin e filmit dokumentar dhe të shkurtër “DokuFest”. Bëri histori. Për herë të parë një film i një regjisoreje kosovare u bë pjesë e garës ndërkombëtare për dokumentarë të gjatë. Festivali, për shkak të pandemisë, u mbajt online nga 7 deri më datën 25 gusht.