Kulturë

Regjisorja e rrëfimeve të guximshme në eksplorim identitetesh

E citon Nina Simeonen kur flet për rolin e artit e të artistit. “Nuk kam si t’ia bëj. Është detyrë e një artisti, për aq sa unë jam e interesuar, që t’i reflektojë kohës”, kishte thënë kantautorja amerikane. Një gjë e tillë, për regjisoren kosovare Dea Gjinovci është veçmas e saktë për fimbërësit.

Vetë ajo është në fazën e karrierës në të cilën përpiqet që të tregojë histori që i ndihmojnë për të kuptuar aspekte të ndryshme të historisë së familjes dhe procesin e rritjes – histori për përkatësinë dhe imigrimin.

Kjo mund të ndryshojë më vonë. Por, tani për tani, autorja e dy filmave dokumentarë, që e ndan kohën midis Parisit, Londrës dhe Gjenevës, është në rrugën e duhur në fushën e kinematografisë. Dokumentari i saj i shkurtër “Sans le Kosovo” më 2017 fitoi çmimin për filmin më të mirë kombëtar në “DokuFest”, e dokumentari i saj debutues i gjatë “Wake Up on Mars” mori mbështetje nga “Sundance Film Institute” dhe “Ford Foundation JustFilms” të New Yorkut dhe fitoi “Perspectives d’un doc” në “Visions du Réel 2018” në Nyon të Zvicrës. Këtë vit, “Wake Up on Mars” është selektuar për “Tribeca Film Festival” në New York dhe “Visions du Réel Festival”.

Të hënën, kur Festivali Ndërkombëtar i Filmit Dokumentar dhe të Shkurtër shpalli programin garues, ajo bëri histori pikërisht me “Wake Up on Mars”. Për herë të parë, një film i një regjisoreje kosovare u bë pjesë e garës ndërkombëtare për dokumentarë të gjatë në “DokuFest”.

Vizualizimi i imagjinatës

Që e vogël, 27-vjeçarja e lindur në Zvicër ka ndjekur një varg aktivitetesh kulturore. Në një intervistë nga Parisi, ku jeton aktualisht, ka shpalosur rrugëtimin e saj në botën e artit. Mësime për balet, vallëzim bashkëkohor, për piano, dizajn grafik, e mësime teatrale, qenë hapat deri te bota e filmit.

“Kam pasur imagjinatë të pasur dhe nevojë për të krijuar dhe për të shpikur vazhdimisht. Mirëpo, asgjë nuk e përmbushte imagjinatën time më shumë sesa krijimi i skenave”, kujton Gjinovci.

Për të përmbushur këtë nevojë të saj, bashkë me shokët e fëmijërisë filloi që të realizonte shfaqje të vogla. Duke mos pasur bazë akademike, shpeshherë u ndje e dëshpëruar. Kur mbushi 17 vjet u bë pjesë e një kampi veror në Republikën e Çekisë, ku mori mësimet e para profesionale për profesionin të cilin tash e konsideron pasion. Shumë shpejt përfundoi duke realizuar dokumentarë që bartin vulën e saj regjisoriale.