Kulturë

“Dodona” me probleme të vjetra pret projekte për shfaqje të reja

Një shumë në vlerë prej 50 mijë eurosh, ka vënë në dispozicion Drejtoria e Kulturës e Komunës për projekte shfaqjesh teatrore për teatrin e qytetit të Prishtinës, “Dodona”.

Në thirrjen publike të shpallur nga Komuna e Prishtinës, në bazë të Rregullores për ndarjen e subvencioneve, organizata joqeveritare dhe biznese janë ftuar të aplikojnë me projekt-propozimet e tyre për prodhimin e shfaqjeve teatrore në “Teatrin për Fëmijë” dhe “Skenën e Mbrëmjes”, transmeton KOHA.

Sipas kësaj thirrjeje, të interesuarit mund të aplikojnë për prodhim të shfaqjeve teatrore si: komedi (autor shqiptar – “Skena e Mbrëmjes”); dramë (dramatizim i ndonjë tregimi, poezie, epi ose i çfarëdo gjinie letrare nga letërsia shqipe – autor shqiptar); dramë (autor i huaj – “Skena e Mbrëmjes”); solo performancë (monodramë, stand-up comedy, apo çfarëdo performance tjetër “one man show” – “Skena e Mbrëmjes”) dhe shfaqje për fëmijë (autor shqiptar ose i huaj – mund të jetë shfaqje vetëm me kukulla, vetëm me aktorë në skenë, apo edhe e kombinuar, “Teatri për Fëmijë”).

Teksa afati i fundit për dorëzimin e propozimeve është data 30 shtator, shuma maksimale për një projekt është 13 mijë euro.

Në mesin e kritereve kryesore është që të drejtë aplikimi kanë organizatat joqeveritare dhe bizneset të cilat veprojnë në Komunën e Prishtinës; OJQ-të dhe bizneset mund të subvencionohen vetëm një herë brenda vitit nga Komuna e Prishtinës; OJQ-të dhe bizneset, që nuk kanë përmbyllur raportin e subvencioneve të viteve paraprake nuk kanë të drejtë të përfitojnë nga subvencionet e Komunës së Prishtinës në këtë thirrje; OJQ-të dhe bizneset, të cilat nuk kanë pranuar mjete nga burime të tjera të financimit për të njëjtat aktivitete (për të njëjtat linja buxhetore); si dhe të mos ekzistojë asnjë konflikt interesi në mes të aplikuesit dhe institucionit publik.

“Do të konsiderohen për mbështetje financiare vetëm projektet që janë pranuar brenda afatit të paraparë me këtë thirrje publike, dhe të cilat i përmbushin plotësisht kushtet e përcaktuara sipas thirrjes publike”, thuhet në thirrjen e shpallur të enjten nga Komuna e Prishtinës.