Kulturë

DJ nga Kosova mban ritmin në “Berlin Beats 2024”

“Berlin Beats”

Kur përmendet muzika elektronike, Berlini është një prej kryeqendrave, e në fuqizimin e këtij epiteti pa dyshim që “Berlin Beats” synon të jetë njëra prej ngjarjeve kryesore. E ka dëshmuar këtë qysh me edicionin e parë vitin e kaluar e po aty është dëshmuar edhe DJ nga Kosova, Oda Haliti. Kjo duket të ketë qenë edhe arsyeja për një ftesë të radhës dhe atë hiç më pak sesa për ta hapur edicionin e sivjetmë. Data: 7 qershor. Adresa: “Hamburger Bahnhof” në Berlin, sot galeri e muze në top-listë botërore, dikur stacion hekurudhor me një histori që daton qysh prej 1847, për t’u shndërruar në galeri tri dekada më vonë. Shënon një çerek milioni vizitorë në vit, “Berlin Beats” i vjetëm kishte rreth 50 mijë adhurues të muzikës, Haliti qe e vetmja artiste jovendëse. Tash për të është rezervuar një natë speciale. 

Lajmi është bërë i ditur nëpërmjet komunikatës për media të mërkurën, ku shkruhet se “nga Prishtina në Berlin, për të dytën herë Oda Haliti performon përsëri në një prej netëve më të rëndësishme në ‘Berlin Beats’”. 

“Këtë vit më 7 qershor, Oda Haliti do të performojë në hapjen e ‘Berlin Beats 2024’ si pjesë e programit më të madh dhe më të rëndësishëm muzikor të ‘Hamburger Bahnhof. Ajo kryeson listën e DJ-ve që do të marrin pjesë këtë vit si headliner i eventit/ngjarjes, në një program serioz me artistë të tjerë të njohur botërorë”, shkruhet në komunikatë, pasuar me të dhënat për debutimin e saj.  
”Verën e kaluar në edicionin e parë të ‘Berlin Beats 2023’, 50.000 vizitorë shijuan programin muzikor nga artistë të mëdhenj të skenës së Berlinit. Oda Haliti ishte e vetmja artiste jovendëse e cila ishte e ftuar të performonte në ‘Berlin Beats’ në natën speciale ‘Lange Nacht Der Museen zu Berlin’, natë kjo e cila rezultoi me suksesin më të madh në programin e ‘Berlin Beats 2023’ - me audiencën më të madhe nga gjithë artistët e tjerë”, shkruhet në komunikatë. 

Siç shkruhet në komunikatë, Oda Haliti njihet gjerësisht në skenën elektronike muzikore të Kosovës dhe ndërkombëtarisht me mbi 15 vjet karrierë muzikore, mes stilit të saj të kuruar të muzikës techno/elektronike e me një ndërthurje të pagabueshme të rrymave të ndryshme eksperimentale dhe ekscentrizmit ritmik.  Cilësohet si “ndër pionieret e muzikës elektronike në Ballkan”. 

Sipas komunikatës, performanca e saj në “Hamburger Bahnhof” shënon “një pikë kyç në karrierën e saj, por edhe në kulturën muzikore të Kosovës e Shqipërisë, pasi ky institucion kulturor pret qindra mijëra vizitorë në vit, por edhe sepse mban një peshë të veçantë në zhvillimin e praktikave të artit bashkëkohor, përpos të pasurit një program muzikor tej mase të kuruar dhe të shumëpritur nga audienca”. 

Kjo seri e netëve me muzikë elektronike hap edhe sezonin e gjatë muzikor që do të vijojë deri më 29 gusht. Krejt kjo ngjan në kryeqytetin e Evropës dhe jo vetëm. Berlini shquhet edhe si kryeqendër e muzikës elektronike. Skena e muzikës techno në Berlin, në marsin e këtij viti u përfshi në listën e trashëgimisë kulturore jomateriale të UNESCO-s. Gjatë viteve ‘80, skena e klubeve të këtij qyteti u zhvillua në një nga bërthamat kryesore të subkulturës techno të asaj kohe në botë. Zhanri i muzikës elektronike u bë një lloj kolone zanore e viteve të ndryshimit pas ribashkimit të Gjermanisë. Si simbole të saj mund të përmenden klubi legjendar “Tresor”, i cili u hap në vitin 1991, si dhe Parada e Dashurisë. Kur kjo skenë u njoh nga UNESCO-ja, e ngarkuara e Qeverisë gjermane për kulturën, Claudia Roth, do ta vlerësonte si një shenjë të rëndësishme për një koncept të zgjeruar të kulturës, i cili udhëhiqet kundër “ndarjes absurde” midis kulturës serioze dhe kulturës zbavitëse.