Kulturë

“Digjitalizimi” e kriteret e Ministrisë, godasin skenën kulturore

Prej 362 aplikimeve me propozime për projekte në kulturë e trashëgimi kulturore, kriteret bashkë me mënyrën e aplikimit kanë bërë që lista fituese të jetë tepër e shkurtër. Janë vetëm 26 organizata në listën paraprake të përfituesve nga thirrja për projekt-propozimet kulturore për sivjet dhe 9 individë. Qysh muajin e kaluar, KOHA kishte raportuar se disa prej ngjarjeve tradicionale do të diskualifikohen sherri i telasheve me mënyrën digjitale të aplikimit dhe kritereve të përcaktuara

Maratona shtatëmujore e përpilimit të thirrjes, shpalljes së saj, vlerësimit të projekteve kulturore e shpalljes së rezultateve ka përmbyllur një kapitull: 26 organizata dhe 9 individë do të mbështeten nga MKRS-ja. Lista paraprake, e bërë publike të mërkurën, është tkurrur si asnjëherë më parë. Kanë qenë 181 aplikime nga organizata dhe po aq nga individë që kishin synuar të marrin subvencione për projekte në kulturë e trashëgimi kulturore. Kriteret bashkë me mënyrën e aplikimit kanë bërë që lista fituese të jetë tepër e shkurtër.

Pos kësaj, MKRS-ja e ka publikuar listën vetëm me poenë pa shumën e përkrahjes financiare. Në këtë thirrje rezulton se nuk kanë arritur të përkrahen organizime të mëdha e me nam si “DokuFest”, “Anibar” “PriFilmFest”, teatri “Oda”, festivali “EtnoFest” bashkë me disa prej ngjarjeve tradicionale që e mbajnë gjallë skenën e pavarur kulturore në vend.

Për një avari të brendshme në raport me projektet e skenës së pavarur kulturore, KOHA kishte raportuar qysh në pjesën e parë të korrikut. Bile, pikërisht në përgjigje për KOHËN, MKRS-ja më 5 korrik kishte bërë të ditur se “procesi i projekteve që kanë aplikuar për mbështetje financiare në fushën e kulturës dhe trashëgimisë kulturore ndodhet në fazën përfundimtare dhe rezultatet pritet të dalin në fund të kësaj jave ose në fillim të javës tjetër”. KOHA kishte raportuar se një numër ngjarjesh tradicionale do të diskualifikoheshin dhe MKRS-ja po i frikësohej publikimit të rezultateve.

Sivjet aplikimi është bërë online dhe MKRS-ja e ka ndryshuar krejt skemën.

Te lista paraprake e rezultateve gjendet edhe një sqarim i gjatë.

Aty shkruhet se nga vlerësimet e brendshme të të gjithë procesit, është konstatuar se “digjitalizimi i procedurës së aplikimit në këtë thirrje publike, është përcjellë me vështirësi objektive me potencial të zhvlerësimit procedural të aplikimeve jashtë përgjegjësisë së palëve”.

“Rrjedhimisht, MKRS, duke i zbatuar detyrimet e saj ligjore për qasje transparente dhe të papenguar në procedura administrative, përkatësisht, obligimin që pala të mos pësojë nga pengesat teknike dhe teknologjike gjatë ofrimit të dokumentacionit që e posedon pala dhe të kërkuar me thirrjen publike, do të sigurojë që në procedurën e mjeteve juridike (ankesat e palëve) të shqyrtojë dhe të vendosë mbi rastet potenciale që refuzimi i tyre ka ardhur si rezultat i këtyre rrethanave”, shkruhet në sqarim. Sipas MKRS-së, në mënyrë që ankesa të përmbushë kushtet procedurale për shqyrtim të mëtejmë të tyre, gjegjësisht, ankesave mbi refuzimet e aplikimeve për mungesa të dokumentacionit të kërkuar, pala duhet të përmbushë “kumulativisht kushtet”. “1. Të parashtrojë ankesë në afatin e përcaktuar sipas rregulloreve në fuqi; 2. Të nënvizojë pretendimet ankimore se posedon (nëse po) dokumentacionin përkatës lidhur me kriteret e thirrjes; 3. Të ofrojë të gjithë dokumentacionin faktik sikurse është kërkuar në thirrje; 4. Të argumentojë në ankesë se gjatë aplikimit online, ngarkimi i dokumentacionit është penguar nga faktorë teknikë/teknologjikë”, shkruhet në sqarim.

MKRS ka sqaruar po ashtu se mbetet e përkushtuar për të vijuar punën në sigurimin e transparencës së plotë gjatë shpërndarjes së granteve dhe subvencioneve në aktivitetet dhe iniciativat kulturore e artistike. Po ashtu është paralajmëruar edhe një tjetër thirrje.

“Në këtë drejtim do të bashkëpunojmë ngushtë me komunitetin për të adresuar të gjitha komentet dhe vërejtjet e tyre në thirrjet e radhës që do të shpallën në ditët në vijim”, shkruhet në sqarim. Reagimet kanë nisur menjëherë pas publikimit të listës.

“18 Qershor 2022, ministri i Kulturës ishte prezent në mbrëmjen finale në ndarjen e çmimeve ‘GrandPrix’ ‘Pianisti i ri 2022’ dhe qysh atë mbrëmje reagimi ishte: ‘Këtë vit shkoj qysh shkoj, vitin tjetër duhet me ju mbështet shumë’! Sot më 3 gusht u vërtetua që ‘Pianisti i ri’ pas 15 vjetëve rrugëtim të Festivalit nuk mbështetet nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Do të thotë që nga 18 qershori ka qenë e ditur se s’kemi mbështetje, pse pritëm deri sot?”, ka qenë reagimi i Vlora Barutit, drejtoreshë artistike e festivalit “Pianisti i ri”.

Skema e re e MKRS-së kishte pesë kategori dhe mundësia e aplikimit qe online nëpërmjet platformës “e-Kosova”. Por, telashet për të aplikuar nuk kanë qenë të vogla. Publikisht një numër bartësish të projekteve janë ankuar se ka qenë e vështirë të plotësohen e të ngarkohen formularët me informatat e kërkuara.

Sivjet, për herë të parë kanë hyrë në lojë grantet institucionale duke bërë që OJQ-të e profilizuara në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore sipas kategorisë “Mbështetje për zhvillim organizativ dhe programor të OJQ-ve të artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të përfitojnë nga 50 mijë deri në 100 mijë euro.

OJQ-të që hyjnë te kategoria “Ngjarjet tradicionale të artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të përfitojnë nga 25 mijë deri në 35 mijë euro.

Ndërsa sa i përket kategorisë “Projektet dhe ngjarjet në fushën e artit dhe trashëgimisë kulturore” mund të aplikojnë OJQ-të dhe individët. Shuma e përkrahjes është nga 10 mijë deri në 20 mijë euro.

“Projektet e krijuesve (artistëve) të rinj” është kategoria për të rinjtë dhe shuma e përkrahjes është prej 3 mijë deri në 5 mijë eurosh.

OJQ-të dhe individët mund të aplikojnë edhe në kategorinë e pestë “Fondi i mobilitetit për promovim ndërkombëtar të artit dhe trashëgimisë kulturore të Kosovës”, ku shuma maksimale e përkrahjes shkon në 10 mijë euro.

Sipas Ligjit mbi ndarjet buxhetore të këtij vitit te kategoria “përkrahja e kulturës”, prej ku edhe merren mjetet për thirrjen publike, MKRS-ja ka 2.2 milionë euro si subvencione dhe transfere.