Palestina ishte për shumë shekuj, e është edhe tani, vend i shenjtë për hebrenjtë, të krishterët dhe myslimanët. Pasi shumica e hebrenjve jetonin në Evropë deri në fund të shekullit XIX, lidhjet e tyre shpirtërore mbetën të forta me vendet e shenjta në Palestinë, ndaj vinin për pelegrinazh, kurse disa prej tyre mbeteshin atje deri në vdekje.
Në krahasim me “cionizmin fetar”, që ruajti gjallë identitetin dhe lidhshmërinë me vendet e shenjta në Palestinë – duke pritur kthimin e Messiahut për t’i kthyer të gjithë në “vendin e premtuar” – ”cionizmi politik” si lëvizje kombëtare laike u paraqit në gjysmën e dytë të shekullit XIX si reagim kundër hovit të antisemitizmit të egër që u paraqit së pari në Rusi e vendet tjera pas dështimit të atentatit kundër carit Aleksadri II më 1 mars 1881.
Themeluesi i “cionizmit politik”
“Babai i cionizmit politik” ishte shkrimtari hebraiko-hungarez Thedor Herzl (1860-1904), i lindur në Budapest në një familje të ardhur nga Zemuni i Serbisë. Th. Herzl ishte poet, dramaturg dhe gazetar, kurse pasi që familja u vendos në Vjenë më 1888, studioi edhe drejtësinë. Në fillim, ai ishte për integrimin e hebrenjve në vendet evropiane ku jetonin, kurse më vonë, si reagim kundër antisemitizmit, e botoi më 1896 në gjermanisht librin “Der Judenstaat” (Shteti çifut), që ishte kthesë e rëndësishme për një rilindje të re kombëtare.
Në këtë libër, tani Herzl e shihte zgjidhjen për hebrenjtë jo në integrim nëpër Evropë, por në vendosjen e tyre në vend të përshtatshëm. Ai preferoi dy vende (Argjentinën dhe Palestinën) duke treguar atraksionet e tyre, kurse e la zgjedhjen në duar të “Lidhës së çifutëve”, që e kishte propozuar formimin e saj. Megjithatë, ai shprehet se vetë emri i Palesintinës do t’i tërhiqte çifutët më shumë. Pasi që Palestina ishte nën sundimin osman, ai shpreh gatishmërinë që nëse sulltani ua ofron vendin çifutëve ata do ta nxjerrin Perandorinë Osmane prej krizës financiare.
Për ta jetësuar idenë e tij për një “shtet çifut” ai organizoi Kongresin Cionist në Bazel më 2931 gusht 1897, i cili u pajtua me idenë e tij dhe u shndërrua në Organizatë Cioniste Ndërkombëtare (WCO). Kongresi vendosi për zgjedhjen midis Argjentinës e Palestinës, duke theksuar se “cionizmi do të themelojë një atdhe për popullin çifut në Palestinë me anë të së drejtës ndërkombëtare”.
Ndonëse Kongresi e shtroi një program të ngjeshur për realizimin e këtij qëllimi, duke u bazuar në ndërtimin e kolonive cioniste për hebrenjtë e ardhur në Palestinë, Herzl bëri disa përpjekje që të takohet me sulltan Abdulhamidin II për të arritur një marrëveshje më të shpejtë, pasi që Palestina ishte nën sundimin osman. Takimi me sulltanin u arrit më në fund më 17 maj 1901. Duke qenë në dijeni për krizën financiare të Perandorisë Osmane, Herzl ia ofroi sulltanit gatishmërinë për ta ndihmuar financiarisht Perandorinë Osmane nëse lejon vendosjen e hebrenjve në Palestinë nën sundimin osman. Abdulhamidi II u pajtua që hebrenjtë e ikur prej antisemitizmit të vendosen në pjesë tjera të Sirisë, por jo vetëm në Palestinë.
Cionizmi pas sulltanit Abdulhamid II
Mirëpo, me rritjen e opozitës kundër absolutizmit të sulltan Abdulhamidit II, përkatësisht me nënshtrimin e tij më 24 korrik 1908, me shpalljen e rikthimit të jetës parlamentare dhe me ardhjen në fuqi të partisë “Ittihat ve Terakki” (Bashkim e Përparim), filluan të qarkullojnë lajme për lidhjet e kësaj partie me cionizmin, sidomos pas rrëzimit të sulltanit në prill të vitit 1909.
Artikullin e plotë mund ta lexoni në gazetën Koha Ditore. Klikoni këtu për t’u regjistruar.