Prishtinë, 11 dhjetor – Një pjesë të jetës ia kushtoi politikës, një tjetër lirisë e të drejtave të njeriut për t’u shndërruar në autoritet moral. Në Ditën e të Drejtave të Njeriut e në 70-vjetorin e shpalljes së Deklaratës së Lirive dhe të Drejtave të Njeriut nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, figura e veprimtarit Adem Demaçi është vlerësuar nga disa këndvështrime. Në tryezën e organizuar nga Kolegji AAB, të hënën, të ftuarit kanë paraqitur pikëpamjet e tyre për simbolin e rezistencës kombëtare që ka vdekur më 26 korrik të këtij viti.
Juristi Hajredin Kuçi, profesor universitar i së drejtës ndërkombëtare, ka thënë se secili gjatë jetës së Demaçit ka pasur mundësi të kontribuojë për të. Por, sipas tij, ai vetë ka qenë i tillë sa nuk ka lejuar të bëhet shumë për të. Sipas Kuçit, asnjë fjalë e asnjë rresht i jetës së tij nuk ka nevojë të ndryshohet. Ka thënë se nëse projektohet Adem Demaçi ashtu siç ka qenë, projektohet figura më e madhe kombëtare krahas Skënderbeut e Nënë Terezës në arenën ndërkombëtare.
“Historia ia ka dhënë mundësinë e tillë dhe ai e ka shfrytëzuar këtë mundësi. Ka shumë njerëz që e kanë sakrificën, por ai e ka pasur edhe zemërgjerësinë”, ka thënë Kuçi. Sipas Kuçit, i cili ka mbajtur edhe postin e zëvendëskryeministrit të Kosovës e atë të ministrit të Drejtësisë, Demaçi ka qenë një personalitet i frymëzuar nga Rilindja Kombëtare e shumë shpejt është shndërruar në frymëzues për brezat e tjerë.
“Deri në vitin 1990 baca Adem dhe të tjerët ishin objekt i abuzimit të të drejtave të tyre. Deri më 1990 është simbol i kërkesës politike. Nga viti 1990 filloi të shndërrohej në personalitet i kërkesave të së drejtës së njeriut duke marrë rolin e kryetarit të Këshillit për Lirinë e të Drejtat e Njeriut. Pas vitit 1999 ai u shndërrua në autoritet moral”, ka thënë Kuçi. Sipas tij, popujt që janë në transicion kanë nevojë nganjëherë për autoritetet morale më shumë sesa për ato legale. Ka thënë të mos ketë pasur rast të lexojë për asnjë autoritet legal dhe asnjë institucion që ka pasur më shumë autoritet tek qytetarët e vendit sesa që kishte Demaçi.
“Adem Demaçi është një vlerë që u takon të gjitha vendeve. Nuk ka popull të robëruar që nuk i duhet një Adem Demaç. Para dy vjetësh e kam bërë me shkrim një kërkesë që titujt e institucioneve në këtë vend kanë nevojë ta kenë emrin e Adem Demaçit”, ka thënë ai.
Historiani Hakif Bajrami ka thënë se Demaçit nuk i ishte dhënë rastësisht çmimi “Sakharov” më 1991. Sipas Bajramit, Programi për bashkimin e shqiptarëve i përpiluar nga Demaçi ishte studiuar mirë nga bota perëndimore dhe ajo lindore. Ka treguar se nëna e tij atë program nga viti 1983 e kishte ruajtur në magje të miellit.
Poeti e studiuesi i letërsisë Agim Vinca ka folur për Demaçin shkrimtar.
Bexhet Shala, i cili drejton KMDLNJ-në që ka bashkorganizuar tryezën për Demaçin, ka thënë se kur Demaçi më 1990 mori drejtimin e Këshillit ky organ është zgjeruar në gjithë territorin e Kosovës dhe e ka fituar një besueshmëri të madhe. Ai e ka krahasuar Demaçin me Nelson Mandelën. Ka thënë se shumë pak është bërë për të.
(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”).