Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Deliri i Van Goghut që erdhi nga lënia e alkoolit

Një studim pionier mbi shëndetin psikiatrik të Vincent van Goghut në vitet para se të kryente vetëvrasje ka zbuluar se artisti kishte delir, pjesërisht prej lënies së alkoolit kur preu veshin dhe u shtrua në spital. Një artikull i botuar prej kërkuesve të “International Journal of Bipolar Disorders” ka vënë në dukje dëshmitë se si Van Goghu po bëhej gjithnjë e më shumë i varur nga vera dhe glikanxhoja nga viti 1886 e deri në vdekjen e tij më 29 korrik 1890 në moshën 37-vjeçare.

Tre vjetët e fundit të jetës së artistit ishin prej më të frytshmeve, gjatë të cilave artisti holandez pikturoi më shumë se 30 portrete të vetes dhe një varg prej shtatë pikturash me lulediell. Si i ri kishte shenja që zhvilloi një gjendje të çrregullimit bipolar, por kjo “me gjasë u përkeqësua përmes përdorimit të çrregullt të alkoolit të gërshetuar me kequshqyerje, që më pas çoi, tok me tensionet psikologjike në rritje, në një krizë gjatë të cilës preu veshin e tij”, kanë thënë autorët e studimit, të kryesuar nga profesori i psikiatrisë Willem Nolen nga Universiteti i Groningenit në Holandë. Pasi ia kishte dorëzuar veshin një gruaje në një shtëpi publike, Van Goghu u shtrua në spital tri herë rresht në Arles, Francë, ndërmjet dhjetorit 1888 dhe majit 1889, dhe më pastaj u transferua për strehim në SaintRémy-de-Provence në maj të 1889-s.

Gjatë dy qëndrimeve të tij në spital, Van Goghu shkroi se ai vuante prej “halucinacioneve të padurueshme”, stresit dhe anktheve. Ai i përshkroi si “ethe mendore a nevrike apo marrëzi, nuk di as si ta them e as se ç’emër t’i vë”. Kërkuesit sugjerojnë se simptomat mund të kenë lidhje me një periudhë të detyruar pa përdorim alkooli. Ata tutje shtojnë se dy përçartjet e lidhura me lënien e alkoolit ishin pasuar me “episode të rënda depresive (prej të cilave një me veçanti psikotike) prej të cilave ai kurrë nuk e mori veten, duke çuar përfundimisht drejt vetëvrasjes”. Teoria vjen prej qëmtimit të 902 letrave të Van Goghut, 820 prej të cilëve ishin shkruar për vëllanë e tij Theo dhe të afërmit e tjerë, ashtu sikundër edhe intervista me tre historianë që kanë studiuar thellueshëm artistin. “Ata që konsumojnë sasi të mëdha të alkoolit në kombinim me kequshqyerjen, rrezikojnë dëmtimin e funksioneve të trurit, përfshirë edhe probleme mendore”, shkruajnë kërkuesit. “Për më tepër se kaq, ndalja e papritur e konsumimit të tepruar të alkoolit mund të çoje te dukuria e tërheqjes, përfshirë edhe delirin. “Ndaj është e gjasshme që të paktën psikoza e parë e shkurtër në Arles në ditët pas incidentit me veshin, gjatë të cilëve ai ndaloi papritur pijen, ishte në të vërtetë një delir nga lënia e alkoolit. Vetëm më vonë në Saint-Rémy, kur ai qe detyruar të minimizonte apo të linte pijen, ai me gjasë ia doli dhe nuk pati më probleme të mëtejshme me braktisjen e alkoolit”. Studimi tutje shkërmoq një numër teorish të tjera në lidhje me shëndetin mendor të Van Goghut. Një prej diagnozave të para pas vdekjes së tij ishte skizofrenia, por kërkuesit kanë vënë re se ai nuk kishte ndonjë simptomë psikotike para incidentit të veshit, në moshën 35-vjeçare, dhe as në intervalet mes episodeve psikotike në 15 muajt e fundit të jetës së tij. Ata kanë vënë re një mungesë të simptomave relevante, të tilla si shprehja e zvogëluar emocionale. Kërkuesit po ashtu sugjerojnë se është e pagjasshme që Van Goghu të kishte sifilis, ani pse ai ishte trajtuar për sëmundjen e gonorresë dhe Theo, i vëllai, vdiq gjashtë muaj më vonë bash prej këtij infektimi. Ata nuk kanë gjetur ndonjë sugjerim për sifilis në letrat e mjekëve të Van Goghut. Ata kanë vënë në dyshim edhe teorinë se ai bëri helmim me monoksid të karbonit nga llambat e gazit në shtëpinë e tij në Arles. “Nuk ka raporte të tjera të helmimit (të mundshëm) nga monoksidi i karbonit në Arles’, thotë studimi. Sidoqoftë, autorët nuk përjashtojnë mundësinë që ai të kishte epilepsi në muajt e fundit, “duke rezultuar në një shprehje të ndryshueshme të ankthit, deluzioneve dhe halucinacioneve”. Në studim shkruhet: “Pavarësisht të gjitha këtyre problemeve që kontribuuan në sëmundjen e tij, ne sidoqoftë duam të theksojmë se Van Goghu ishte jo vetëm një piktor i madh e me ndikim, por edhe një burrë inteligjent me një vullnet enorm për jetë, qëndrueshmëri dhe durim”. 

Marrë nga “The Guardian”. Përktheu Salih Mehmeti 

Artikuj të ngjashëm