Së paku formalisht, artisti e kuratori i Pavijonit të Kosovës në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia nuk do të jenë në dorë të ministrit të Kulturës për të miratuar propozimet që i bëhen, por ata do të përzgjidhen nëpërmjet ftesës publike. Për herë të parë, pas gati një dekade prejse vendi përfaqësohet në këtë ngjarje madhore, do të ketë garë edhe me propozim veprash. Për pjesëtarë të komunitetit artistik, ky është një hap i rëndësishëm që e decentralizon përzgjedhjen dhe është transparent
Se kush do ta përfaqësojë Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecia vitin që vjen, do të varet prej rezultatit të ftesës publike. Gati një dekadë prejse vendi merr pjesë në këtë ngjarje madhore, është hera e parë që Ministria e Kulturës nëpërmjet kësaj forme do të përzgjedhë artistin e kuratorin. Prej vetë komunitetit artistik, një lloj konkursi a gare ishte kërkuar kaherë me arsyetimin se në këtë mënyrë nuk do të kishte centralizim nga ana e ministrit të Kulturës, i cili deri më tash kishte në dorë miratimin e propozimit që i bëhej nga komisionerja e Pavijonit të Kosovës.
Ministria e Kulturës tashmë ka shpallur ftesën publike “për artistë dhe kuratorë për përfaqësim të Republikës së Kosovës në edicionin e 59-të të Bienales së Artit në Venecia, që do të hapet për publikun më 23 prill 2022”, tek ka dhënë tri javë afat për dorëzimin e aplikimit. Data e fundit është 3 nëntori.
“Thirrja është e hapur për projekt të përbashkët artist-kurator, për realizimin e një ose me shumë veprave të reja artistike që ndërlidhen me temën e përcaktuar për edicionin e 59-të të Bienales, me qëllim të prezantimit sa më dinjitoz të Pavijonit zyrtar të Republikës së Kosovës”, shkruhet në ftesë. Po aty jepen edhe kriteret, por edhe detaje për edicionin e sivjetmë të Bienales, që për kuratore ka Cecila Alemanin, e cila për këtë vit ka zgjedhur temën “Qumështi i ëndrrave/ Il latte de sogni”. “Ky emër është huazuar nga një libër i Leonora Carrington, në të cilin, siç thotë Cecila Alemano, artisja surrealiste përshkruan një botë magjike, ku jeta vazhdimisht ripërfytyrohet përmes prizmit të imagjinatës, dhe ku të gjithë ndryshojnë, transformohen, bëhen diçka dhe dikush tjetër”, ka shkruar Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Kosova në Bienalen Ndërkombëtare të Artit debutoi në vitin 2013 me artistin e shquar Petrit Halilaj. Në edicionin e fundit, më 2019, qe Alban Muja me “Albumin familjar”.
Pjesëtarë të komunitetit artistik e shohin si nismë e mirë që përfaqësuesi i radhës do të përzgjidhet nëpërmjet ftesës publike.
Arta Agani, ish-drejtoresha e Galerisë Kombëtare të Kosovës, teksa ka rikujtuar se kjo është hera e parë që Ministria e Kulturës artistin e kuratorin do t’i përzgjedhë në këtë formë, ka numëruar anët pozitive të kësaj qasjeje.
“Konkursi është një gjë e mirë, për shkak se i shtyn artistët të punojnë dhe të angazhohen më shumë. Në një mënyrë është më transparente”, ka thënë Agani për KOHËN.
Ajo ka shtuar se prej kohësh ka pasur kërkesa për hapje konkursi, porse ministrat të cilët kanë emëruar artistët për edicionet e kaluara kanë bërë përzgjedhjen e tyre me anë të konsultimeve.
“Shumë shtete nga e gjithë bota shkojnë me emërime nga Ministria dhe është në rregull që akoma e bëjnë këtë gjë. Është e ditur se këto shtete nuk ua kanë dhënë shansin artistëve të rinj, të cilët nuk kanë shumë përvojë ta përfaqësojnë shtetin e tyre në Bienalen e Venecias”, ka thënë ajo për KOHËN.
Jo rrallë midis qarqeve të komunitetit artistik ka pasur edhe akuza për ndërhyrje politike në përzgjedhje.
E për këtë jo pak artistë e konsiderojnë thirrjen e MKRS-së si kapitull pozitiv për përfaqësim në ngjarjen botërore.
“Është bërë një gjë shumë e mirë, e ndoshta asnjëherë më mirë nuk ka qenë. Tani personat që do ta përfaqësojnë Kosovën nuk do të përzgjidhen nga një individ, i cili mund edhe të jetë edhe i ndikuar nga politika, por do të përzgjidhet nga një komision, një gjë që e bëjnë edhe shtetet në rajon”, ka thënë për KOHËN, piktorja Zake Prelvukaj.
Ajo ka shtuar se është shumë e rëndësishme që vepra përfaqësuese gjithmonë të jetë një motiv, i cili lidhet me temën e përgjithshme.
“Por që del nga shpirti ynë dhe përjetimet tona, jodomosdoshmërisht të paraqesim vetëm vuajtjet dhe pjesët e zymta, por diçka që ka dy tehe dhe që na takon neve”, ka thënë Prelvukaj. “Uroj që komisioni të përbëhet nga njerëz të dëshmuar në arenën vendore dhe ndërkombëtare dhe se do të jetë me të vërtetë një komision serioz”.
Sipas ftesës publike, kriteret e përgjithshme për artistët që ia mësyjnë ta përfaqësojnë Kosovën në Bienale janë që të “jenë shtetas kosovarë apo të huaj” e si përparësi konsiderohen që “të kenë paraqitje të njohur ndërkombëtare e të kenë çmime të fituara ndërkombëtare”. E dëshirueshme cilësohet që të kenë dinamikë të aktivitetit artistik”. Ndër të tjera, kriteret për kuratorë janë që “të jenë të informuar me skenën e artit pamor në Kosovë, si dhe prezantimin e artit bashkëkohor në Kosovë” e të “kenë profil të njohur ndërkombëtar”.
Kur Kosova debutoi në Bienalen e Artit në Venecia, më 2013, Petrit Halilaj shpalosi veprën “Jam i untë me të pasë ngat. Po du me i gjetë fjalët që më ngopin, por në fund s’mbetet tjetër pos nji qark i mbyllun. Ironia asht që ti nuk je këtu, asni gja nuk asht këtu”. Më 2015, Flaka Haliti në “Spekulim në të kaltër” u mor me izolimin dhe kufijtë e dy vjet më vonë Sislaj Xhafa me “E humbur dhe e gjetur” ngriti zërin për të pagjeturit nga lufta e fundit në Kosovë.
E në Bienalen e Arkitekturës në Venecia, Kosova debutoi më 2012. Asokohe shteti ishte prezantuar me “Punuesi i filigranit”, të kuratorit Përparim Rama dhe për komisioner ishte caktuar arkitekti Bekim Ramku. “Punuesi i filigranit” mëtonte të hidhte dritë mbi trashëgiminë kulturore të Kosovës. Më 2014, Gëzim Paçarizi kishte përfaqësuar Kosovën me “Visibility (imposed modernism)” (Dukshmëria - Modernizmi i imponuar). Kulla e punuar nga 720 stola përcillte historinë arkitekturore të Prizrenit. Vënia në dukje e ndryshimeve që ka pësuar ky vend gjatë një shekulli ka qenë ajo që ishte prezantuar në konceptin kuratorial. Dy vjet më vonë, sherri i Ministrisë së Kulturës që nuk ishte kujdesur për procedurat, Kosova s’u përfaqësua, për t’u rikthyer më 2018 me Eliza Hoxhën, me veprën “Qyteti është gjithandej”, që zhvendosi atje shtëpinë kosovare të viteve ’90. Në edicionin e 2020-s, që u mbajt sivjet, Maksut Vezgishi me “C0ntainp0rary”, zbërthente pyetjen se si mund të jetojmë së bashku. Pavijoni i Kosovës ngrihet në Arsenale, i cili bashkë me Giardinin janë vendet kryesore ku shtrihen veprat e shteteve pjesëmarrëse.