Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Dan McCafferty – zëri i “Nazarethit” që shënoi historinë e rockut

Historia e rockut e ka të pashmangshëm rock-grupin “Nazareth” të cilit i dha zë Dan McCafferty. Hitet klasike si “Broken Down Angel”, “Hair Of The Dog” dhe “Love Hurts”, mbajnë vulën e tij. “Bota ka humbur një nga këngëtarët më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë”, ka thënë njëri prej miqve të tij

Dan McCafferty, një nga anëtarët themelues të grupit skocez të hard rock-ut “Nazareth”, ka vdekur në moshën 76-vjeçare. I lindur në Dunfermline, ai ishte i njohur për vokalin e tij të çjerrë në rock-këngët klasike të viteve ‘70 si “Broken Down Angel”, “Hair Of The Dog” dhe “Love Hurts”.

Ai qëndroi me grupin deri në vitin 2014, kur iu shfaq sëmundja e mushkërive që ia vështirësoi frymëmarrjen dhe e detyroi të tërhiqej.

Vdekja e tij u konfirmua nga basisti i “Nazareth”, Pete Agnew, të martën. Nuk u dha asnjë arsye.

“Ky është njoftimi më i trishtuar që kam bërë ndonjëherë”, shkroi Agnew në Instagram. “Maryann dhe familja kanë humbur një bashkëshort dhe baba të mrekullueshëm e të dashur. Unë kam humbur mikun tim më të mirë dhe bota ka humbur një nga këngëtarët më të mëdhenj që ka jetuar ndonjëherë. Shumë i mërzitur për të thënë diçka më shumë në këtë kohë”.

Image
McCafferty ishte me grupin “Nazareth” deri në vitin 2014, kur iu shfaq sëmundja e mushkërive që ia vështirësoi frymëmarrjen dhe e detyroi të tërhiqej

“Nazareth” u themelua në vitin 1968, por anëtarët kryesorë – McCafferty, Agnew, Manny Charlton (kitarë) dhe Darrell Sweet (bateri) – nisën karrierën e tyre në një grup që këndonin kovera, të quajtur “The Shadettes”, ku visheshin me kostume të verdha dhe në mesi i viteve '60 performonin në hapësirat përreth Dunfermline.

Edhe Bonnie Tyler –  një karrierë e ndërtuar mbi zërin e saj të veçantë Kulturë 2 j. më parë Bonnie Tyler – një karrierë e ndërtuar mbi zërin e saj të veçantë

McCafferty i ishte bashkuar grupit në të njëjtën mënyrë që më vonë Bon Scott iu bashkua “AC/DC”-së.

“Unë isha punësuar për të vendosur dhe mirëmbajtur pajisje gjatë kohës sa ata ishin në turne”, i tha ai revistës “Classic Rock”. “Kur njëri nga këngëtarët vendosi të largohej në ditën ku ata kishin koncert, djemtë vendosën të më provonin”. “Ishte një rast i menjëhershëm dhe pa prova. Kostumi i verdhë i Des, djalit që ishte larguar, pothuajse më binte tamam”.

Në vitin 1970, grupi ishte lodhur nga koverat dhe vendosi të ndiqte një karrierë si një rock-grup më vete.

Për ta bërë zyrtare, ata lanë punët e tyre ditore dhe u transferuan në Londër – të financuar nga milioneri i sallës së bingos, Bill Fehilly, një tjetër vendas i Dunfermline, i cili kishte rënë dakord të menaxhonte grupin.

Pas disa muajsh koncertesh nëpër kryeqytet, performancat e McCafferty tërhoqën vëmendjen e “Pegasus Records”, i cili në vitin 1971 nënshkroi kontratë me grupin.

Dy albumet e tyre të parë, “Nazareth” dhe “Exercises”, nuk ishin shumë të shitur, por ata ia dolën mjaft mirë për të organizuar një turne amerikan me gjigantët e rockut, “Deep Purple”. Basisti i grupit, Roger Glover ishte një fans i tyre dhe ra dakord të krijonte albumin e tyre të ardhshëm, “Razamanaz” të vitit 1973. Ky hap doli të jetë tepër e suksesshme, duke krijuar hite si: “Broken Down Angel” “Bad, Bad Boy”; si dhe një kover të frikshëm të klasikes popullore të Tim Rose, “Morning Dew”, e cila u bë hit i madh në Gjermani.

Vetëm gjashtë muaj më vonë, ata vazhduan me “Loud 'N' Proud’, një album më i vështirë dhe më agresiv që u rendit krye të listës në Australi dhe prodhoi një tjetër hit të madh në Gjermani – këtë herë një kover i “This Flight Tonight” të Joni Mitchell.

Por ishte “Hair of the Dog” e vitit të ardhshëm që grupin “Nazareth” e bëri të njohur ndërkombëtarisht, me titullin e këngës që u bë element kryesor i rock-radios së viteve 1970.

Edhe Një britmë që ndryshoi historinë e muzikës Showbiz 2 j. më parë Një britmë që ndryshoi historinë e muzikës

Koveri i këngës blues, “Love Hurts” – fillimisht një hit nga “The Everly Brothers” – ia dha grupit të vetmen këngë që arriti të renditej në top-10 në SHBA dhe shkoi në vendin e parë në gjashtë vende të tjera, përfshirë Norvegjinë, ku qëndroi në listë për 60 javë rresht.

Grupi vazhdoi të incizonte albume të suksesshme edhe në pjesën e mbetur të viteve 1970 dhe u shfaq disa herë në programin “Old Grey Whistle Test” të BBC-së, ku falë një miqësie me producentin Mike Appleton, u bë grupi i cili ishte i gatshëm të këndonte sa herë që dikush anulonte prezencën në minutën e fundit.

Megjithëse pati rënie në vitet 1980 dhe ‘90, “Nazareth” vazhdoi një turne popullor në Evropë, e posaçërisht në Gjermani. Por grupi ishte gjithashtu viktima të praktikave të dyshimta të industrisë së diskografisë, të epokës së hard rock-ut.

“Ne kemi pasur rëniet dhe ngritjet tona dhe disa avokatë u pasuruan gjatë rrugës”, i tha McCafferty gazetarit suedez të rokut, Michael Erikkson, më 1989.“U shkatërruam plotësisht nga dy menaxherë në dy raste të ndryshme. Tani ne nuk e dimë as sa disqe kemi shitur në të vërtetë”.

Reputacioni i grupit nuk u zbeh kurrë. “Guns N' Roses” përmendën “Nazareth” si një grup i cili pati ndikim tejet të madh te ta. Në albumin e tyre të vitit 1993 “The Spaghetti Incident?” ata bënë edhe një kover të këngës së “Nazarteth”, “Hair Of The Dog”

Në vitin 2014 McCafferty u detyrua të largohej nga grupi për shkak të sëmundjes së tij.

“Nuk mund të këndoj më në turne si dikur”, tha ai për “Classic Rock”. “Mendoj se nëse nuk mund ta bësh punën, atëherë me të vërtetë nuk duhet të jesh aty. Jam i trishtuar për këtë, por thjesht nuk mund të këndoj më një album të tërë”.

Megjithatë, ai vazhdoi të incizonte në studio me ç’rast në vitin 2019 publikoi albumin e tij të fundit solo.

Edhe Vdiq Bonnie Tyler, ikona e muzikës së viteve ’80 Showbiz 2 j. më parë Vdiq Bonnie Tyler, ikona e muzikës së viteve ’80

Marrë nga BBC. Përktheu: Mirjetë Sadiku