Kulturë

“DAM” sivjet nis komunikimin me publikun nëpërmjet “Zë DAM”

Studentja hungareze që studimet i përfundoi në Prishtinë kthehet pas 30 vjetëve me koncert në kryeqytetin e Kosovës . Do t’i japë zë edicionit të sivjetmë të “DAM-it”, që do të nisë më 31 gusht dhe do të zgjasë deri më 5 shtator

Festivali Ndërkombëtar i Muzikës “DAM” është në prag të edicionit e tij të 16-të. Por, para se të nisë zyrtarisht festivali, organizatorët kanë paraparë që të mbahet një lloj parangjarjeje. “Zë DAM” është titulluar programi katërditor që do të nisë sot (e hënë). Ai do të sjellë tinguj muzike e do ta nisë lidhjen me publikun. Fijet e para të komunikimit do të bëhen nëpërmjet zërit të mexosopranos së njohur hungareze Tünde Gajdos, e lojës në piano të Syzana Jakupit.

Tünde Gajdos është mexosoprano me origjinë hungareze e rritur në Novi Sad (Vojvodinë). Studimet universitare i përfundoi në Prishtinë në degën e solo këndimit, me pedagogen e mirënjohur Julijana Anastasijeviq. Gjatë periudhës së studimeve ishte anëtare e Korit të Radio Prishtinës dhe soliste e ansamblit kameral. Paralelisht, Gajdos ndoqi konkurse të ndryshme të kantos në vend. Studimet pasuniversitare i përfundoi në Akademinë e Muzikës në Mynster të Gjermanisë, ku edhe jeton e ushtron aktivitetin e saj profesional.

Drejtori artistik i “DAM”-it, Dardan Selimaj, ka thënë se sivjet fillojnë me Gajdos dhe do të tentojnë ta mbajnë këtë ritëm për këngëtarët lirikë, me aksent te studentët e solo këndimit në Kosovë. “Këtë vit në fokus është literatura gjermane, e çdo vit do të ketë një tematikë që e karakterizon masterklasën”, ka thënë ai.

Mysafirja që nis “Zë DAM”, Tünde Gajdos, ishte anëtare e Operës së Mynsterit dhe sot punon si artiste e pavarur, duke realizuar koncerte solo të zhanreve të ndryshme - muzikës klasike, mjuzikëllit dhe shansonës. Gajdos ka performuar në Hungari, Holandë, Austri, Spanjë, Australi dhe në të gjitha vendet e ish-Jugosllavisë. Si e specializuar në disa fusha, në kuadër të punës së saj pedagogjike, Gajdos ligjëron jo vetëm të kënduarit klasik, por edhe në zhanret mjuzikëll dhe pop. Nxënësit dhe studentët e saj janë fitues të çmimeve të para në Gjermani, në gara federale në të tri fushat e sipërpërmendura. Tünde Gajdos ishte anëtare e Shoqatës Federale të Pedagogëve të Muzikës në Gjermani për më shumë se 20 vjet.

Dyshja programin e tyre do ta nisë me “Et exultavit - Oratorio “Magnificat” të Johann Sebastian Bach, “Ombra mai fu - Opera “Xerxes” të George Frideric Händel, “Laudamus - Mesha e madhe në c-mol” e Wolfgang Amadeus Mozart, “Frühlingsglaube” dhe “Die Forelle” të Franz Schubert, “Arabeske, Op.18 për piano” e Robert Schumann, pastaj “Mezei bokréta” dhe “Honnan jö a fény?” e Rudolph Lavotta, “Lekaszálták már a rétet”, “Sej mikor engem katonának visznek” dhe “Ez a kislány gyöngyöt füz” të Bela Bartók. Mbrëmja, që do të nisë në orën 20:00 në Atelienë e Pallatit të Rinisë dhe Sportit, do të përfundojë me “Húzzad csak kivilágos virradatig” – operat “Csardasprincess” – të Imre Kálmán dhe dy këngë hungareze rome, “Leestek a téli havak” e “Zsuzsi neni”.

E pianistja Syzana Jakupi, e cila do ta shoqërojë Tünde Gajdosin, ka kryer studimet universitare në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” - Fakulteti i Arteve, dega e Artit muzikor, në profilin e performimit/piano, në klasën e prof. Lejla Pula. Ajo njihet për kontributin e saj si pedagoge dhe ka merita të veçanta në formimin dhe trajnimin e pianistëve të rinj, një numër i të cilëve janë edhe fitues në gara të ndryshme në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar. Disa herë ishte ftuar në cilësinë e anëtares së jurive profesionale në gara të ndryshme për instrumentin e pianos, të organizuara në vend dhe në Maqedoni të Veriut. Jakupi ndër paraqitjet e saj publike veçon ato në vendet si: Mali i Zi, Maqedoni e Veriut, Shqipëri, Turqi, Bullgari, Gjermani dhe Itali. Aktualisht punon si pedagoge e pianos në Fakultetin e Arteve në kuadër të Universitetit publik “Haxhi Zeka” në Pejë.

Vitin e kaluar, “DAM-i” paralajmëroi atë që e ka quajtur “Edicion tektonik”, duke sjellë koncertin e titulluar “Një koncert, një dëgjues”. Koncerti pati thyer heshtjen pandemike. I quajtur “Edicion tektonik”, “DAM” u zhvendosur me dy koncerte në Prizren, e bukurshkroi historinë e vet me projektin “Një muzikant, një dëgjues”, që solli një përvojë të re të koncertit. Komunikimi i tij ishte intim në kufijtë e konfortit. Solli muzikën e artistes Agona Shporta dhe Visar Kuçit.