Kulturë

“DAM” nis zyrtarizimin e bashkëpunimeve me shkollat e muzikës

E ardhmja është arsyeja kryesore e nismave të reja të festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike dhe eksperimentale “DAM”. Duke pasur parasysh vitet që vijnë, organizatorët janë duke u zgjeruar sa u përket bashkëpunimeve, sidomos atyre që kanë të bëjnë me gjeneratat e reja. “Në 15-vjetorin e tij, festivali duhet të mendojë për të ardhmen”, ka thënë Dardan Selimaj, themelues e njëherësh edhe drejtor artistik i festivalit “DAM”, derisa ka treguar për zyrtarizimin e bashkëpunimit me shkollën e muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Të hënën, palët kanë nënshkruar një memorandum të bashkëpunimit.

Kanë shprehur vullnetin dhe gatishmërinë për bashkëpunim dhe njohje të ndërsjellët në promovim dhe mbështetjen që mund t’i bëjë pala- palës në realizimin e aktiviteteve të përbashkëta muzikore. Po ashtu edhe organizimin e punëtorive, programeve edukative dhe krijimin e platformave inovative për promovim dhe prezantim të nxënësve të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë. Gjithashtu janë pajtuar edhe për shkëmbim të përvojave dhe ndërtim të dialogut ekstra kurikular me mysafirët e festivalit – muzikantë e profesionistë të fushës – nga vendet e rajonit, Evropës dhe më gjerë.

Sipas memorandumit, palët pajtohen për shfrytëzimin e hapësirave të shkollës së muzikës “Prenk Jakova” në Prishtinë për organizimin e punëtorive dhe masterklasave gjatë organizimit të festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike dhe eksperimentale “DAM”. Pastaj shfrytëzimin e kësaj hapësire edhe gjatë organizimit të punëtorive që kanë karakter parësor edukimin muzikor, si dhe organizimin e një apo më shumë koncerteve të festivalit me pjesëmarrjen e nxënësve të drejtimeve të ndryshme në shkollën e muzikës “Prenk Jakova”, në Prishtinë.

Dardan Selimaj ka thënë për KOHËN se kanë menduar që një marrëveshje e zyrtarizuar do të rrisë përgjegjësinë e të gjitha palëve të përfshira dhe do të ndihmojë në arritjet e qëllimeve të tyre.

“Bashkëpunimi me Shkollën e Muzikës ka qenë jo i duhuri në të gjithë këta vjet, dhe konsiderojmë që është më se e nevojshme që kjo të nisë qysh tani të intensifikohet”, ka thënë ai.

Derisa ka folur për të ardhmen e “DAM-it”, ka theksuar se ajo burimin e ka te ky institucion edukativ, duke marrë parasysh faktin që emrat të cilët do të jenë pjesë e skenës së Festivalit janë prurje e këtij institucioni.

Sipas memorandumit, përgjegjësitë e festivalit “DAM” janë që të ofrojë programin e saj të masterklasave dhe punëtorive për nxënësit e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” pa pagesë, të ofrojë mundësi të prezantimit të punës së nxënësve brenda programit të festivalit dhe të ofrojë dhe bashkë organizojë një koncert me Shkollën e Muzikës.

Në anën tjetër, përgjegjësitë e shkollës së muzikës “Prenk Jakova” janë që të ofrojë mbështetje dhe lehtësime institucionale me qëllim të arritjes së synimeve të kësaj marrëveshjeje, të ofrojë hapësirën e organizimit të punëtorive dhe masterklasave në objektin e shkollës, të bashkëpunojë me festivalin në përzgjedhjen e programit dhe paraqitjes sa më të mirë të nxënësve brenda festivalit, të përfshijë disa nxënës me rotacion në organizimin e festivalit me punë vullnetare. Po ashtu të promovojë bashkëpunimin me festivalin dhe t’i inkurajojë nxënësit të bëhen pjesëmarrës aktivë në të, si dhe të ofrojë mundësinë e promovimit të festivalit.

Selimaj, po ashtu ka theksuar se do të tentojnë që ngjashëm të veprojnë edhe me shkollat e tjera të muzikës në Kosovë.

Një memorandum të tillë, po ashtu me afat 3-vjeçar, me mundësi zgjatjeje, “DAM-i” e nënshkroi edhe javën e kaluar, më 1 qershor. Dega e Artit Muzikor në Fakultetin e Arteve dhe “DAM-i” zyrtarizuan bashkëpunimin një akt që u pa si rritje e përgjegjësisë së të dyja palëve, të cilat në forma të ndryshme kanë bashkëpunuar për më shumë se një dekadë.

Edicioni i 16-të i festivalit ndërkombëtar të muzikës klasike dhe eksperimentale “DAM” sivjet pritet të mbahet prej 1 deri më 9 shtator.