Kulturë

Çmimi prestigjioz arkitekturor për Kunstsilon si shembull i transformimit

Çmimi prestigjioz arkitekturor për Kunstsilon si shembull i transformimit

“Prix Versailles” për muzeun më të bukur në botë për vitin 2025 iu dha Kunstsilos në Kristiansand, një qytet i vogël bregdetar në jug të Norvegjisë. Ky muze nuk është thjesht një ndërtesë e re dhe vezulluese, por një shndërrim i guximshëm dhe spektakolar i një depoje gruri e vitit 1935 (Foto: Kunstsilos)

Në një konkurrencë të ashpër me muze nga Parisi, Seuli dhe Bali, çmimin prestigjioz “Prix Versailles 2025” e ka marrë Kunstsilo, projekti i jashtëzakonshëm i transformimit të një gjiganti industrial në një tempull arti në qytetin e vogël norvegjez Kristiansand. Lajmi për çmimin me nam në botën e arkitekturës është dhënë në selinë e UNESCO-s në Paris. “Prix Versailles” për muzeun më të bukur në botë për vitin 2025 iu dha Kunstsilos. I vendosur në Kristiansand, një qytet i vogël bregdetar në jug të Norvegjisë, ky muze nuk është thjesht një ndërtesë e re dhe vezulluese, por një shndërrim i guximshëm dhe spektakolar i një silosi monumental për grurë nga viti 1935. Juria vlerësoi projektin që në mënyrë unike bashkon vizionin artistik, respektin e thellë për trashëgiminë industriale dhe parimet e qëndrueshmërisë, duke e kthyer një gjigant të harruar betoni në atë që shumëkush tashmë e cilëson “fener të modernizmit nordik”.

Fitorja e Kunstsilos nuk është vetëm një vlerësim për arkitektët, por edhe një festim i idesë se strukturave të vjetra mund t’u jepet një jetë krejtësisht e re, duke u shndërruar në simbole të së ardhmes dhe jo vetëm në mbetje të së kaluarës.

Fitorja është edhe më domethënëse po të shihet lista e konkurrentëve. Kunstsilo ishte i vetmi muze nordik mes shtatë finalistëve dhe ishte në garë me disa prej projekteve kulturore më mbresëlënëse në botë. Ndër të nominuarit ishin “Grand Palais” i rinovuar në Paris, një perlë arkitekturore e ndërtuar për Ekspozitën Botërore të vitit 1900, muzeu ekzotik Saka në Bali, i cili mishëron filozofinë e ishullit në formën e tij, si dhe Audeum në Seul, vepër e arkitektit të famshëm Kengo Kuma, i konceptuar si një “instrument muzikor arkitektonik”. Në konkurrencë ishin gjithashtu futuristikja “Diriyah Art Futures” në Arabinë Saudite që i bën vend artit digjital, si dhe dy ndërtesa amerikane: Muzeu i Historisë Natyrore në Cleveland dhe “Joslyn Art Museum” në Omaha. Vendimi për t’ia dhënë çmimin projektit norvegjez të transformimit konfirmon një trend global në arkitekturë që vlerëson përdorimin adaptiv dhe qëndrueshmërinë, në vend të ndërtimit nga e para.

Kjo hapësirë qendrore u bë zemra e muzeut, “Salla e Silosit”, nga e cila shtrihet pamja drejt të gjitha kateve dhe që vizitorëve u zbulon vazhdimisht bukurinë e betonit të papërpunuar (Foto: Kunstsilos)

Historia e ndërtesës fillon në një epokë krejt tjetër. Silosi origjinal, vepër e arkitektëve norvegjezë Arne Korsmo dhe Sverre Aasland, pionierë të funksionalizmit në Norvegji, u ndërtua në vitin 1935, në mes të Depresionit të Madh. Në atë kohë ai ishte simbol i modernizimit dhe fuqisë industriale, i projektuar me një qëllim të vetëm: ruajtjen e pesëmbëdhjetë mijë tonëve grurë të importuar për ushqimin e një kombi në rritje. Tridhjetë cilindrat e tij masivë prej betoni, të renditur në mënyrë ritmike dhe të lartë gati dyzet metra, dominonin pamjen e portit në ishullin Odderøya. Ai u ndërtua me një teknikë inovative të kallëpeve rrëshqitëse, që mundësonte ndërtim të shpejtë dhe të fortë pa lidhje në beton. Për dekada me radhë i shërbeu qëllimit të tij, por në fillim të viteve 2000, me mbylljen e mullirit lokal, silosi heshti dhe mbeti bosh, i lënë në mëshirë të kohës si një dëshmitar i heshtur i së kaluarës industriale të qytetit.

Transformimin arkitekturor, i cili filloi pasi filantropi Nicolai Tangen ia dhuroi qytetit koleksionin e tij të madh të artit, e nënshkruan një konsorcium studiosh: “Mestres Wåge Arquitectes”, “BAX” dhe “Mendoza Partida”. Vizioni i tyre nuk ishte të fshihnin apo të zhbënin karakterin industrial të ndërtesës, por ta festonin atë. Ndërhyrja më dramatike dhe mbresëlënëse ishte prerja e saktë e pjesëve të cilindrave masivë për të krijuar një atrium madhështor, njëzet e një metra të lartë, një hapësirë që me monumentalitetin dhe lojën e dritës dhe hijes i ngjan brendësisë së një katedraleje. Kjo hapësirë qendrore u bë zemra e muzeut, “Salla e Silosit”, nga e cila shtrihet pamja drejt të gjitha kateve dhe që vizitorëve u zbulon vazhdimisht bukurinë e betonit të papërpunuar. Rreth kësaj hapësire boshe janë vendosur galeri me dizajn minimalist të tipit “white-box”, duke krijuar një kontrast të qëllimshëm që lejon si strukturën e vjetër ashtu edhe artin e ri të shprehen në plotësi.