Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Çmimi “Dragoi i artë” për Mirash Martinoviqin

Shkrimtari i mirënjohur Mirash Martinoviq, është fituesi i çmimit ndërkombëtar Dragoi i Artë (Zlatni zmaj), i cili ndahet për kontributin ne zhvillimin dhe promovimin e letërsisë fantastike.

I nominuari për këtë vit, Martinoviq, u zgjodh në mesin e dhjetëra kandidatëve nga vendet e rajonit, për, siç u tha, kontributin e tij afatgjatë në krijimtarinë me trill dhe elemente epike kushtuar temave të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe historike të Malit të Zi dhe të vendeve përreth. Sipas këshillit organizativ, është veçanërisht e rëndësishme që Mbretëria ilire është tema e edicionit të 8-t të festivalit të mbajtur në Bijello Pole, për të cilin fituesi i sivjetshëm shkroi disa romane përgjatë dekadave të fundit.

Mirash Martinoviq është njëri ndër shkrimtarët më të rëndësishëm në rajon dhe më gjerë, veprat e të cilit janë përkthyer në disa gjuhë të huaja. Është autor i dhjetëra përmbledhjeve me poezi, tregime dhe romane, ndërsa te lexuesi shqiptar njihet me romanin “Teuta”. Këshilli organizativ njofton se versioni i ri “Teuta, mbretëresha e ilirëve” do promovohet në kuadër të këtij edicioni të 8-të të Festivalit Rajonal të Letërsisë Fantastike “REFESTICON”, në Bjello Pole, të cilin e mbështet Ministria për Kulturë e Malit të Zi.

Martinoviq është fitues i Çmimit për Vepër Jetësore “TEUTA” nga Shoqata Rajonale e Shkrimtarëve “TEUTA” si dhe fitues i Cmimit të Tetorit (Octobarska Nagrada), nga qyteti i Herceg Novit, ku edhe jeton dhe vepron.