Romani “Dritarja e Marin Shkrelit”, në larminë e tij narrative, në filozofinë e tij thelbësore, në frymën e përçuar, përbën një risi të mirëfilltë në qëmtimin letrar të kësaj ane akoma të errët të hënës kosovare
Elvi Sidheri
Meqenëse Ndue Ukajn e kam njohur gjer më tani, kryesisht përmes vargjeve e krijimeve të tij poetike, duke u thelluar në poetikën e tij jo rrallë edhe si përkthyes në spanjisht të vargëzimeve të tij në poezi, “Dritarja e Marin Shkrelit”, do të përbënte për mua njëherësh, një ëndje të veçantë letrare, një kërshëri të cytur fuqimisht nga frymëzimi i tij në prozë, e mbi të gjitha, një zbulim e zbulesë njëkohësisht, të universit jetësor, shpirtëror e përditësor të Kosovës së kapërcyellit të shekujve XX-XXI, e sidomos dhjetë viteve vendimtare 1989-1999.
Është fjala për një roman, sigurisht, të përvijuar sipas tipareve thelbësore të një mundimi të këtillë letrar, ku përshkruhen me ndjeshmëri, realizëm e frymë të përkorë narrative, ngjarjet parësore në urën metaforike dhjetëvjeçare, që do t’i shpinte shqiptarët e Kosovës, nga rrëmbimi i dhunshëm i autonomisë së tyre krahinore në gjirin e Jugosllavisë së kalbur e në grahmat e saj të fundit të ekzistencës, deri në ditët pas bombardimeve shpëtimtare të NATO-s kundër regjimit gjenocidues të Millosheviqit.
Urë që pastaj merr edhe një zgjatim të mëtejshëm tejet kuptimplotë, jetik për arsyen e shkrimit dhe vlerën e patjetërsueshme të këtij romani, duke përfshirë edhe periudhën traumatike të pasluftës.
Një periudhë mendësisht anarkike, gëluese nga mitizime, harresë kolektive e hibridizime plagësh e vragash lufte, me shpërdorime e makutëri përkohësie tranzicionesh shoqërore, që shuajnë e përthajnë çdo lulëzim të mundshëm të fryteve të haresë së çlirimit.
Marin Shkreli është një djalosh i ri në moshë, që në njëfarë mënyre, plaket e fishket nga koha e rrethanat, nga shtypja, nga frika e rrënjosur në palcën e shqiptarëve të Kosovës, për shkak të aparteidit e racizmit të skajshëm të ushtruar nga sundimi brutal i Millosheviqit e zagarëve të tij të armatosur anekënd Kosovës.
Atij i rri pezull jeta, rrahjet e zemrës i ngadalësohen, gurgullimat e gjallërisë rinore i meken, e mbase vetëm dashuria i përflaket në vena, si një formë e pagjasë qëndrese ndaj këtyre kohëve të mugëta pasigurie, nëpërkëmbje të miratuar me ligj të qenësisë shqiptare në trojet e veta, e një lufte mizore që ndihet në ajër, e avitet kërcënueshëm, bashkë me pasojat e pastrimit etnik, e dhunimeve masive të femrës shqiptare nga bishat e tërbuara të ndërsyera prej kutërbimeve gojore të Millosheviqit.
E tëra ndërkaq ndërthuret, në mendjen pjellore të Marin Shkrelit, me një prirje të tij filozofike të pashoqe, përkundër gjithçkaje, zymtësisë rrethanore, thatësirës shpirtërore, ngushtësive ekonomike, bjerrjes së pandalshme të çdo të drejte shqiptarësie në Kosovë në këtë dhjetëvjeçar shtypës, trysnive të pashembullta e censurës edhe për t’u frymëmarrë lirisht prej tij e gjithë bashkëkombësve të vet në këtë truall stërgjyshor.
Ajka e letërsisë botërore, mendjet më gjeniale të poezisë, prozës, filozofisë e letërsisë evropiane në shekuj, nga Dante te Shekspiri, Kavafis, Gëte, Kadare, e në veçanti Emil Zola (me përkufizimin mbresëlënës të qenësisë njerëzore, ku shumëkush denjon veç të na shohë përciptas syprinën, ndokush parathënien, shumica u besojnë kritikëve, e ndoca të paktë syresh, kanë gjasa ta njohin thelbin e përmbajtjes sonë), ravijëzohen në faqet e këtij romani, jo vetëm si përforcues të kumteve të tij parimorë.
Ngase Marin Shkreli, e doemos krijuesi i tij si personazh letrar kaq i goditur, i shumanshëm e bashkëkohor, janë pa asnjë dyshim mishërues të alter ego e rinisë kosovare të atyre viteve të zjarrta e kaq mbrojtëse për historinë e mëtejshme të Kosovës e banorëve të saj autoktonë shqiptarë, aq shpesh të përballur me mohimin, jo thjesht të rrënjëve të tyre të përligjura historike, por edhe me zhbërjen e plotë e sistematike, të pranisë së tyre fizike në viset e lashta dardane.
Pas dhunës e shtypjes së ardhur me tanke e tyta automatikësh nga veriu e Beogradi, liria do të vijë në formë bombash e predhash nga qielli, pikërisht si një shpëtim e shëlbim hyjnor, për Marinin e bashkatdhetarët e tij të përvuajtur, megjithëse të shumtë do të dergjen të pajetë, të dhunuara të dashurat, gratë e motrat e shumëkujt, të vrarë fizikisht e shpirtërisht, mijëra e mijëra.
Shpëtimi do të vijë konkretisht e mirëfilli, nga Perëndimi, nëpërmjet Aleancës së Atlantikut të Veriut dhe avionëve të saj bombardues që do ta shkërmoqnin ngrehinën ushtarake e paramilitare të Millosheviqit, duke ia ngrirë buzëqeshjen në gojë Kasapit të Ballkanit, pa e përmbyllur dot veprën e tij djallëzore të pastrimit etnik të plotë të shqiptarëve nga Kosova.
Njëfarë Zgjidhje Finale, në shkallë ballkanike, që asnjë arsye për zili nuk do të kishte ndaj politikave hitleriane gjatë Holokaustit sidoqoftë.
Megjithatë, ky shpëtim në Perëndim, do të jetësohet edhe nga qindra mijëra refugjatët kosovarë të luftës, që do të vërshojnë në Shqipëri, aty ku sipas ushtarëve, milicëve e paramilitarëve serbë, e kishin edhe vendin, sikurse lexojmë shpesh në këtë libër.
Shqipëria nuk është vetëm shteti amë, koka e dytë e shkabës dykrenare, por edhe perëndimi fizik e faktik për Kosovën, e kaq shumë shqiptarë të Kosovës, aty do ta gjejnë shpëtimin, si Marin Shkreli.
Më tej, paslufta do të shndërrohet në brengë gjithaq të dhembshme, derisa mërgimi, i shmangur me kthimin e rrufeshëm në Kosovë e Prishtinë, në gjurmët e Donikës së shënjuar mizorisht nga traumat e luftës dhe vrazhdësisë së pashembullt të hordhive millosheviqiane, do të bëhet i pashmangshëm për Marin Shkrelin.
Një vizë, radhët në dyer ambasadash, nevoja e domosdoshme për t’u larguar, paçka se jo nga lufta, as nga armët, as nga genocidi.
Tranzicioni, lufta për jetën e përditshme, beteja e përhershme me harresën, plagët e pambyllura të përgjakura që tanimë ballafaqohen me një aktualitet të poshtër, përbuzës e mosmirënjohës, edhe ndaj vetë vuajtjeve, flijimeve e historisë së shoqërisë e popullit shqiptar në Kosovë.
Ky mërgim rishtas, në kohë paqeje, në liri e demokraci të hamendësuar, larg barbarëve (ose ende në pritje të tyre, për ta kujtuar edhe një herë Kavafisin mahnitës), është po aq prekës, shterues shpirtërisht e qenësisht për Marin Shkrelin, lexuesin, e autorin e tij, gjithashtu.
Sidoqoftë, “Dritarja e Marin Shkrelit”, në larminë e tij narrative, në filozofinë e tij thelbësore, në frymën e përçuar, përbën një risi të mirëfilltë në qëmtimin letrar të kësaj ane akoma të errët të hënës kosovare.