Kulturë

Cikli i pikturave “Njeriu i harruar” me zymtësinë e Kosovës në vitet ’90 vidhet në Paris

Ishte cikël pikturash që Lendita Zeqiraj e punonte gjatë hulumtimeve të saj si artiste në vitet ’90. Personazhe të ngrysura të një shoqërie nën okupim, zbehtësi sa më s’ka e realitet të trishtë paraqisnin veprat e saj nga cikli “Njeriu i harruar”. Pas luftës së fundit në Kosovë do t’i ekspozonte në Francë e në disa vende të tjera evropiane. I kishte lënë në një banesë familjare në periferi të kryeqytetit francez. Por pikturat i janë vjedhur e janë shitur. “Kam pasur lidhje të fortë emocionale me ato piktura”, ka shpjeguar ajo. Katër prej tyre i ka gjetur te një blerëse e cila i është lajmëruar. Për të tjerat pret që të marrë epilog hetimi policor

Të zymtë sa më s’ka, me çehre të humbur e portret të shpërfytyruar do ta paraqiste një prej personazheve të saj në pikturë, artistja Lendita Zeqiraj. Ishin ditët kur kosovarët me veshët katër prisnin kur do të plasin bombat e NATO-s në caqet serbe. Zeqiraj që nuk kishte shumë kohë që kishte përfunduar shkallën e tretë të studimeve në pikturë, ato ditë marsi të vitit 1999 po i kalonte në atelienë e saj në lagjen “Arbëria”. Po punonte me vaj në pëlhurë një pikturë me dimensione 51 me 72 centimetra. Në prapavijë të portretit shihen komplekset banesore. Personazhi i Zeqirajt duket si njeri që ka humbur shpresën dhe vrojton me një ndjesi të njeriut që nuk e di çfarë do të ngjajë. “Duke lënë qytetin” e kishte titulluar këtë pikturë, pasi shpejt piktorja do të ikte si refugjate.

Prapa do të linde ciklin e pikturave “Njeriu i harruar”. Bëhet fjalë për vepra të viteve ’90 kur Kosova po përjetonte një pushtim klasik të Serbisë e shqiptarët ishin organizuar në institucione paralele. Krejt cikli është i zymtë sikurse edhe ajo kohë.

Zeqiraj më pas do të bëhej regjisore e suksesshme. Por edhe piktore me emër. Janë 40 vepra të atij cikli për të cilat as që bëhej fjalë se mund t’i shiste.

“Kam pasur lidhje të fortë emocionale me ato piktura”, ka shpjeguar ajo. Por gjatë dhjetorit të vitit të kaluar do t’i lajmërohej një qytetare e Parisit. Sandra i kishte thënë se ka blerë 4 piktura të saj dhe se ishte e interesuar që të blinte më shumë. Për Zeqirajn kjo porosi elektronike qe njëfarë rrufeje në qiell të hapur.

“Unë u çudita. Por u binda kur m’i nisi fotografitë”, ka shpjeguar Zeiqraj. Shitja e pikturave të saj ishte bërë në Dammarie-lès-Lys, një komunë në juglindje të Parisit. Sipas shpjegimit të blerëses, një person me një kamion ishte ndalur në rrugë dhe ofronte piktura për të shitur. Kurse Sandra pos atyre katrave që kishte blerë i kishin ngelur merak edhe disa të tjera.

Zeqiraj do të alarmohej për këtë. Pikturat i kishte zhvendosur në Paris menjëherë pas luftës së fundit në Kosovë. Në kohën e bombardimeve të NATO-s ishte bashkë me familje refugjatë në Paris. Atje kishte studiues edhe për estetikë të filmit në Universitetin “Paris 8”.

“Gjatë luftës kemi dalë me një çantë krahu dhe pikturat kanë mbetur në atelie. Fatmirësisht i kanë shpëtuar luftës”, ka rrëfyer ajo. Lajmërimi që kishte marrë nga blerësja franceze, e kishte bërë ta kuptojë se cikli i pikturave të kohës së okupimit i ishin vjedhur nga banesa familjare në periferi të kryeqytetit francez.

“Siç më ka treguar blerësja, shitësi u kishte thënë se artistja ‘ka vdekur dhe tash po shiste pikturat e saj’”, ka rrëfyer Zeqiraj, e cila qysh prej kthimit në Kosovë më 2008 është regjisore e disa filmave të suksesshëm. Menjëherë do të njoftonte policinë franceze dhe sipas autoriteteve të atjeshme çështja është duke u hetuar. Zeqiraj kishte një lidhje të fortë me ato piktura.

“Pikturat ishin dëshmi e një artisti për okupimin e Kosovës në vitet ’90. Kam pasur disa ekspozita në Francë gjatë vitit 2000 dhe 2001. Pastaj kam marrë pjesë në disa ekspozita kolektive, sidomos në ato ku prezantohej lufta në Ballkan. Krejt këto punime për mua e kanë atë nuancë. Është koha e prezantimit të Kosovës kur njerëzit nuk e dinin as ku është Kosova. Në ato punime prezantohej vuajtja e Kosovës”, ka shpjeguar Zeqiraj. Krejt tablotë që shihen nëpër katalogë të ndryshëm e kanë të pranishme zymtësinë. Janë personazhe të tretuar në mendime e me sy të mbyllur.

Te “Qetësia” e vitit 1997 paraqitet një person që mban duart në mjekër. Nuk i shihen fare sytë e simbolikisht as nuk i duhen, pasi nga okupimi serb nuk ka as çfarë të shohë. “Pianisti” i po atij viti paraqet një person që ka mbështetur ballin në duar dhe mban një cigare të ndezur. “Në erë” paraqet një personazh në dritare derisa vështron se çfarë po ndodh.

Veprat ishin ekspozuar në Lille, Paris, Stuttgart e në disa qytet të tjera evropiane.

“Këtu në Prishtinë” nuk kisha ndonjë opsion të ruajtjes së pikturave. T’i shes nuk isha e interesuar pasi kishin shumë domethënie nuk ishin veç një kërkim i imi në punë krijuese. Në banesën familjare në periferi të Parisit i kam lënë edhe këto piktura. Në atë lagje kemi qenë si refugjatë”, ka treguar Zeqiraj.

Sipas aj pos raportit policor për rastin është njoftuar edhe Ambasada e Kosovës në Paris.

“Janë 40 punime të formateve të mëdha. Mesatarisht 1 me 1.50 vaj në pëlhurë të gjitha. Pastaj ka pasur shumë skica e vizatime. Më pas kanë qenë edhe disa të paekspozuara”, ka rrëfyer Zeqiraj.

Veprat e saj ishin vlerësuar lart edhe nga kritika vendore dhe ajo e huaj.

“Vizatimet e Lenditës janë në gjysmërrugën e pikturës ‘metafizike’ të Kirikos dhe të vizatimeve të Gjakometit. Që nga forma e fisnikëruar e fytyrave me pika uji janë modelet e pikturës ose të themi janë manekinet prej druri, vazhdimisht në fund të dezartikulimit prej nga fillestarët fërkojnë vizatimet e tyre”, do të shkruante më 2002, akademik Muhamedin Kullashi pas hapjes së ekspozitës së Zeqirajt në galerinë “Le Lys” në Paris. Sipas Kullashit, cikli “Njeriu i harruar” i Zeqirajt ofron figura të reduktuara individësh që shikojnë me sy e nuk shohin.

“Ata sodisin përmes dritares qetësinë e së përditshmes, botë kjo e reduktuar në format e saj më elementare”, shkruante Kullashi, i cili asokohe ishte profesor në Universitetin “Paris 8” e më pas edhe ambasador i Kosovës në Francë.

Zeqiraj e konsideron fatmirësi që blerësja e katër pikturave i është lajmëruar dhe të paktën, katër prej 40 do të mund t’i ketë. E kushdo që i ka blerë të tjerat, mban në shtëpi nga një personazh Kosove të viteve ’90. Aso personazhi të pashpresë e që hap sytë, por nuk sheh.

Image

“Qetësia”, 1997, vaj në pëlhurë, 120x90 cm