Kulturë

“Çfarëdo që ndodh, ne do të jemi të gatshëm” në kohë të paparashikueshme

Pamundësia e parashikimit të kohës është konstantë, e në pandemi ishte fuqizuar edhe më. Ishte paraparë që ekspozita “Çfarëdo që ndodh, ne do të jemi të gatshëm”, të hapej vitin e kaluar, por ndodhi tek tani. Por Alban Muja nuk e zbërthen vetëm këtë lloj paparashikueshmërie. Ekspozita e tij vjen si një leksion se si duhet bashkëjetuar me të edhe në kontekstin social e politik. Pa pasur nevojë që ato t’i formësojë gjuhësisht, ai shtron pyetje tek hyn në rrafshin e mejautikës. Gjen edhe mënyrën e thumbimit të realitetit gjatë dy dekadave, por jo vetëm kaq

Ata që do t’ia mësyjnë ndërtesës së Galerisë Kombëtare të Kosovës gjatë ditës, apo veç do të kalojnë përballë këtij objekti, në kulm do të shohin mbishkrimin “HOTel”. E ata që e bëjnë këtë rrugë natën do të shohin veç mbishkrimin “HOT”.

Është provokim i artistit Alban Muja. Të njëjtin e ka bërë edhe në tetor të vitit 2014 në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit në kuadër të projektit me kurator Klod Dedjen, “Informal Mind”. Asokohe provokonte me tranzicionin politik e ekonomik e deri te nxehtësia që dikur përdorej në atë që tash është rrënojë komuniste.

Por për dallim nga atje, prej së enjtes, kur u hap ekspozita “Whatever hapens, we will be prepared” (Çfarëdo që ndodh, ne do të jemi të gatshëm), artisti Alban Muja e fut publikun në një rreth vicioz provokimesh. Në ekspozitën me kuratore Maria Isserlis, artisti transicionin e prek goxha thellë.

Zbërthimi konstant artistik

Me të hyrë në katin përdhese zë vend fotografia e Mujës si refugjat në Shqipëri, ku shihet me ish-kryeministrin spanjoll, Jose Maria Aznar. Ishte kohë lufte dhe ish-kryeministri spanjoll po vizitonte kampe refugjatësh. Më pas vjen vepra “Family Album” (Albumi familjar), me të cilin Muja kishte përfaqësuar Kosovën në Bienalen Ndërkombëtare të Artit në Venecie më 2019. Videoinstalacioni bazohet në tri fotografi rrëqethëse, të realizuara para dy dekadash, por që në memorien kolektive vazhdojnë të jetojnë. Ajo e nënës nga Kosova me foshnjën në dua, u pa gjithandej nëpër mediat më me nam nëpër botë, dhe nëna Sherife Luta me vajzën e saj u shndërruan në simbol të luftës e sakrificës. Jo më pak e njohur është fotografia e babait të përlotur që mban në dorë fotografitë e dy fëmijëve të tij, për të cilët nuk e di se a janë gjallë, dhe ajo e djaloshit mes telave të hekurt, të cilin e bartin familjarët nga njëra anë në tjetrën.

Image
Alban Muja në hapjen pa ceremoni të ekspozitës së tij personale, “Çfarëdo që ndodh, ne do të jemi të gatshëm”, të enjten pasdite në Galerinë Kombëtare të Kosovës

Personazhet e këtyre fotografive sot janë të gjithë të rritur dhe Muja i rikthen edhe një herë në vëmendjen e opinionit publik, nëpërmjet videove që u prezantuan edhe në Pavijonin e Kosovës. Tri ekrane të përmasave të mëdha janë vendosur në përdhesen e Galerisë, ku zëri i protagonistëve ndodhet në qendër të vëmendjes. Rrëfejnë për luftën.

“Emri i ekspozitës është një prej segmenteve të ekspozitës ‘Family Album’. Në njërën prej videove Besimi dhe Jehona tregojnë se prindi u ka thënë se çfarëdo që ndodh duhet të jenë të përgatitur”, ka thënë Muja pak para hapjes së ekspozitës në GKK, si për të rikujtuar se hulumtimi e zbërthimi artistik ende vazhdojnë edhe atëherë kur pikënisja e një vepre është e njëjtë.

Ka rikujtuar se fiks dy dekada më vonë i ka marrë kujtimet e tyre. Për fotografinë e tij me ish-liderin spanjoll ka shtruar një pyetje?

“Aty jemi me kryeministrin e Spanjës dhe shtrojmë pyetje se ku janë marrëdhëniet tona me Spanjën 20 vjet pas luftës”, ka thënë Muja.

Identitete personale, kombëtare dhe shoqërore

Në katin e sipërm janë edhe tre sektorë të tjerë të ekspozitës, që do të qëndrojë në GKK deri në ditën e dytë të nëntorit. Titullohen “Kombëtare”, “Personale”, “Sociale”. Nëpërmjet tyre Muja prek shumë çështje e pyetjet i ka të panumërta.

“Ekspozita krahason një përzgjedhje të larmishme të veprave ekzistuese dhe veprave të reja nga Muja. Është një udhëtim përmes rrëfimeve vizuale shumështresore, në të cilat vizitori ftohet të zbulojë një sërë pozicionesh sociale dhe gjeopolitike, si dhe procese të shumta që formojnë identitete personale, kombëtare dhe shoqërore”, ka shkruar Isserlis në tekstin kuratorial.

Image
“Albumi familjar”, videoinstalacion, 2019

Identitetin personal e zbërthen fort mirë videoja “Forca”. Aty një e re tregon se si u bë e mundur që të jetojë në Evropë nëpërmjet shfrytëzimit të identitetit të krejt dikujt tjetër. U tjetërsua të paktën zyrtarisht për t’u hapur rrugë synimeve të saja bashkë me familjen. Në po këtë sektor “Emri im, qyteti juaj” shtjellon dashurinë e shqiptarëve të Kosovës për Shqipërinë e viteve të socializmit, ku fëmijëve u vinin emra të qyteteve të Shqipërisë.

Te “Kombëtarja”, Muja i ka hyrë “thikë” hartës së botës. Në një xham ku reflektohet harta ai ka përjashtuar një pjesë të madhe të shteteve. Janë pikërisht ato që nuk e kanë njohur Kosovën. Është “Harta që vërtet ka rëndësi”. E serinë “Kufijtë pa kufij” e ka prekur me veprën “Muzeu i Historisë Bashkëkohore”, ku shihet imazhi i urës së Ibrit në Mitrovicë, e cila e ndan qytetin në dysh. Tashmë edhe zyrtarisht janë dy Mitrovica, ajo jugore dhe veriorja.

“Nuk na duhet një hero tjetër”, paraqet një bust. Është portreti i vetë artistit. Muja aty ironizon fort me ata që njihen si uzurpues të hapësirave publike me heronjtë e luftës, ku porositja e busteve nuk ka të ndalur. Muja ka kohë që flet për një tjetër rend artistik në hapësirat publike.

Sa u përket sektorëve në të cilët është ndarë ekspozita, Muja thotë se janë një rrugëtim i tij.

Image
“Harta që ka vërtet rëndësi”, instalacion, UV-printim në pleksiglas, 2021

“Kati i parë është projekti i Venecias. Kati i dytë është kryesisht me projekte të reja. Sallat e tjera i kemi ndarë në tre sektorë. I kemi ndarë pasi më kanë shoqëruar mua prej vitit 2004”, ka thënë ai.

Naim Spahiu, i cili është zëvendësues i drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës, ka thënë se janë të relaksuar si staf për shkak të përgatitjes me sukses të ekspozitës së Alban Mujës.

“Kjo ekspozitë ishte në programin e vitit 2020, por për shkak të pandemisë nuk kemi munduar ta hapim. Kjo jehonë e ekspozitës do të thotë shumë për neve si institucion. Muja na ka përfaqësuar ne në Bienalen e Venecias më 2019. Komplet retrospektiva e ekspozitës së Albanit tregon shumë”, ka thënë ai. Ka shpjeguar se në ekspozitë është krejt veprimtaria e tij artistike e Mujës ndër vite.

“Do të jetë një ekspozitë me mjaft vlera dhe presim të ketë shumë vizitorë. Njerëzit do të kenë mundësi të largohen nga ngjarjet e dhimbshme të pandemisë dhe të vijnë të shohin veprat e Mujës. Ne e kemi të kufizuar hyrjen e vizitorëve. Nuk kemi hapje solemne dhe mund të futen brenda deri në 20 persona”, ka thënë ai.

Artisti konceptual ndër vite ka prekur shumë probleme. Siç ka sqaruar në tekstin e saj kuratoria Isserlis, ai përdor mediume të ndryshme, si videot, vizatimin, pikturën e skulpturën.

“Ne mësohemi se si të jetojmë në kohëra të paparashikueshme. Ky është momenti kur qasja artistike e Mujës bëhet gjithnjë e më e rëndësishme duke demonstruar aftësinë e artit për të kapur ndryshimet shoqërore dhe politike në kohë të trazuara për të reflektuar mbi to dhe për të na ofruar alternativa të reja mbi tema të njohura, të cilat nuk do t’i vërenim dhe duke ta bërë me sy”, ka shkruar Isserlis.

Image
“Ne nuk na duhet një hero tjetër”, skulpturë në gips, 2021

Në njëfarë forme Muja me veprat e tij prek ecjen e Kosovës në këto dy dekada. Prej refugjatëve e deri te shtetësia në rrafshin ndërkombëtar. Përfshihet edhe manifestimi i lirisë nëpërmjet shtatoreve, të cilat artisti në njëfarë forme i refuzon. Këtë e bën nëpërmjet thirrjes se “Nuk na duhet një tjetër hero”. Por se cili do të jetë reflektimi i vizitorëve përballë pyetjeve e dilemave të Mujës, pritet të shihet pas një muaji e gjysmë.