Burt Bacharach, kompozitori dhe interpretuesi që i shndërroi këngët e lehta në art elitar, ka vdekur në moshën 94-vjeçare. Emrin e tij e mbajnë 73 hite që kanë hyrë në top-lista në SHBA dhe në Britaninë e Madhe.
Menjëherë pas publikimit të lajmit, muzikantë, adhurues dhe miq të këngëtarit shprehën ngushëllime.
“Më vjen shumë keq për ikjen e Burt Bacharach. Burt ishte një hero i imi dhe me shumë ndikim në punën time”, shkroi Brian Wilson i “Beach Boys” në Twitter. “Ai ishte një gjigant në biznesin e muzikës. Këngët e tij do të jetojnë përgjithmonë”.
Dave Davies i “Kinks” e përshkroi Bacharach si “një frymëzim të madh” dhe “një nga kantautorët më me ndikim të kohës sonë”. Gilbert O'Sullivan shkroi në Twitter se Bacharach kishte një “ndikim të madh” në karrierën e tij si tekstshkrues këngësh dhe krijoi “melodi të përjetshme që nuk harrohen kurrë”.
I lindur në vitin 1928 në Kansas City, Misuri, dhe i rritur në New York, Bacharach do të hynte fshehurazi në klubet e jazzit, për të dëgjuar interpretues si Count Basie dhe Dizzy Gillespie, teksa zhytej në punën e kompozitorëve si Stravinsky dhe Ravel. U shkollua në mënyrë klasike në shkollat e Montrealit, New Yorkut dhe të Kalifornisë, u bë pianist shoqërues, duke përfshirë Vic Damone, Ames Brothers dhe gruan e tij të parë, Paula Stewart. Ai gjithashtu punoi si aranzhues dhe dirigjent për Marlene Dietrich kur ajo në fund të viteve ‘50 dhe në fillim të viteve ‘60 organizoi turne nëpër Evropë.
Përparimi i Bacharach-it në shkrimin e këngëve erdhi në vitin 1957, kur ai u takua me tekstshkruesin Hal David në Brill Building në New York. Ata u renditën të parët në Britaninë e Madhe me dy nga këngët e tyre më të hershme, “The Story of My Life” nga Marty Robbins (Michael Holliday në versionin hit në Britaninë e Madhe) dhe “Magic Moments” të Perry Comos.
Në krye të teksteve çuditërisht të ndryshme, prekëse dhe tejet romantike të Davidit, Bacharach krijoi aranzhime me harmonizim të ngushtë vokal, seksione harqesh, piano jazz dhe detaje dalluese, të tilla si ato me goditje apo me fishkëllimë.
Së bashku me Davidin krijuan një varg këngësh klasike si: “I Say a Little Prayer”, kënduar nga Aretha Franklin, “What's New Pussycat?” nga Tom Jones, “The Look of Love” nga Dusty Springfield, “Make It Easy on Yourself” nga Walker Brothers e shumë të tjera.
“Raindrops Keep Fallin' on My Head”, interpretuar nga BJ Thomas e i paraqitur në filmin “Butch Cassidy and the Sundance Kid”, fitoi një “Grammy” dhe një “Oscar” më 1969, ndërsa muzika që Bacharach kishte bërë për filmin fitoi “Oscarin” për muzikën më të mirë origjinale.
Dionne Warwick u bë një nga bashkëpunëtorët më të qëndrueshëm dhe më të frytshëm të Bacharach. Hitet e tyre përfshijnë: “Walk on By”, “A You Know the Way to San Jose?”, “Anyone Who Had a Heart”, “A House is Not a Home” (më vonë një hit për Luther Vandross) dhe versionin e saj origjinal të “I Say a Little Prayer”. Warwick më vonë e paditi me sukses Bacharachin pasi që, kur ajo dhe David pushuan së punuari së bashku, duke e lënë atë pa materiale. Ishte një mosmarrëveshje “shumë e kushtueshme dhe fatkeqe”, siç do të thoshte Bacharach për “The Guardian” në vitin 2019: “Unë e kam trajtuar gabimisht atë”. Ai dhe Warwick u pajtuan për këngën bamirëse kundër HIV-it më 1985, “That's What Friends Are For”.
Pasi ai dhe Stewart u divorcuan në vitin 1958, Bacharach u martua edhe tri herë të tjera, me Angie Dickinson (1965), Carole Bayer Sager (1982) dhe Jane Hansen (1993). Ai dhe Hansen, me të cilën qëndroi i martuar deri në vdekje, patën dy fëmijë, Oliver dhe Raleigh. Pas një historie me problemeve me shëndetin mendor, Nikki Bacharach, vajza e tij me Dickinson, vrau veten në vitin 2007, në moshën 40-vjeçare.
Bayer Sager u bë një bashkëpunëtor i suksesshëm i tij në vitet ‘80, duke shkruar tekste për këngët e reja të Bacharach të kënduara nga Neil Diamond, Roberta Flack dhe Christopher Cross, me ç’rast kënga e filmit “Arthur” të vitit 1981 i dha Bacharach, “Oscarin” e tij të dytë për këngën më të mirë origjinale.
Popullariteti i tij kishte pësuar rënie në mesin e viteve ‘80, por ai vazhdoi të krijonte bashkëpunime tërheqëse, ndër të tjera, ato me Ronald Isley, Dr Dre dhe Sheryl Crowa. Ai bëri disa albume me Elvis Costellon me të cilin bëri edhe një version të “I'll Fall Fall Again” për filmin “Austin Powers” të vitit 1997.
Marrë nga: “The Guardian". Përktheu: Mirjetë Sadiku