Vepra e parë që bie në sy është ajo e Alije Vokshit.
“Ina” e punuar më 1972 paraqet një grua të moshuar që bart shami në kokë. Nuk është një asi portreti realist, shkruan sot Koha Ditore.
Autorja nuk është ndalur në detaje. Por detaj i rëndësishëm në historinë e këtij punimi është fakti që artistja Alije Vokshi është e para shqiptare e Kosovës që kishte diplomuar në pikturë.
E në ekspozitën “Burrneshat”, që është hapur në Galerinë Kombëtare të Kosovës të premten mbrëma, vepra e Vokshit qëndron bashkë me ato të shtatë shqiptareve të tjera të Kosovës e 14 britanikeve. Si pjesë e projektit rajonal, “Perceptimet”, “Burrneshat” ka bërë bashkë artistet për të folur nëpërmjet veprave në temën e të qenit artiste.
Sfidat e artisteve shpërfaqen po nëpërmjet veprave të tyre. Në kontekst të ekspozitës, titulli figurativ “Burrneshat” tregon guximin e sigurinë e grave për të marrë rrugën e artit. (Më shumë lexoni sot në Koha Ditore).