Ajo iu fut botës së artit në vitet ’60 dhe u bë e para femër shqiptare nga Kosova që do të diplomonte në pikturë. Alije Vokshi – e cila vdiq të hënën e 31 janarit në moshën 77-vjeçare – historinë gati gjysmëshekullore të vendit e ka shpalosur në veprat e veta, kryesisht portrete. Aty shihen vuajtjet, dhimbja, gjendja ekonomike... Shpaloset edhe tradita e në një tjetër periudhe në fytyrat e personazheve të saj vërehen edhe shenjat e gëzimit. “Pikturoj portrete pasi aty mund të gjej shprehjet siç janë dhimbja e gëzimi”, kishte thënë Vokshi në bisedën për “E diela me Kohën Ditore”, në fillim të nëntorit të vitit 2016
Prishtinë, 6 nëntor, 2016 – Ngjyrat në tavolinën e punës së Alije Vokshit nuk janë fort të freskëta. Janë tregues se piktorja nuk e prek fort shpesh brushën. Por Vokshit i ndërron çehrja posa hedh hapin e parë në atelienë e saj jo larg qendrës së Prishtinës. Veprat që ka aty e bëjnë të kthehet prapa në kohë. Ia kujtojnë studimet, periudhat që ka paraqitur në punime e vitet kur ka qenë profesoreshë në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës.
“Shpallja e Pavarësisë së Kosovës i ndanë veprat e mia. Para Pavarësisë kam punuar me ngjyra më të errëta. E pas saj kam punuar akte me ngjyra më të çelura. Kanë më shumë pozitivitet”, thotë Vokshi, e përsërit disa herë se është piktorja e parë në Kosovë. Ashtu ka hyrë në histori: e para shqiptare nga Kosova që diplomoi për pikturë në vitin 1969 në Akademinë e Arteve në Universitetin e Beogradit.
Rrëfimi i ngjarjeve nëpërmjet fytyrave
Portretet i ka pasur gjithmonë në qejf. Thotë se varësisht si punohen ato, tregojnë shumë. Për këtë merr shembull një të tillë që e ka realizuar duke e ndalur një të moshuar tek po kalonte rrugës. Mosha e ka bërë të veten dhe Vokshit nuk i kujtohet saktë koha kur e ka realizuar veprën. Për një gjë është e sigurt: ishin vitet e paraluftës kur gjendja e shqiptarëve në vend ishte goxha e rënduar. Derisa po qëndronte tek nëna e saj kishte parë një të moshuar me kalë. Ai po qëndronte në qerre. Me ta parë atë Vokshit ia kishte tërhequr vëmendjen, nuk ishte menduar dy herë që të dilte në rrugë për ta ndalur. I kishte kërkuar që t’i bënte një portret.
“Ai nuk përtoi”, kujton Vokshi. Portreti nuk shkëlqen sikurse figurat e kohës kur Kosova shpalli Pavarësinë. Fshatari paraqitet faqekuq. Kjo ngjyrë bëhet edhe më e mbyllet tek mollëzat. Duket sikur është ulur dhe e kanë rrëmbyer telashet e nuk ka nga ia mban. Pos gjendjes së rënduar psikologjike, Vokshi ka paraqitur në detaje edhe atë materiale. Ballin dhe plisin ia ndan shalli. E plisi ka ngjyrë të hirtë. Duket i papastër. Vokshi tregon se ai personifikon një gjendje të rëndë psikologjike, sociale e ekonomike.
“Edhe plisin e ka të mbylltë, të përlyer. Ashtu e kam bërë. Njëjtë siç ka qenë”, thotë Vokshi derisa nis të shpalosë pikturat të cilave kohëve të fundit ua ka ndërruar kornizat. Shumë prej tyre i ka edhe në vende të tjera. E në banesën që e ka shndërruar në atelie ka një numër të konsiderueshëm punimesh.
Koha e luftës së fundit në Kosovë ka lënë goxha gjurmë në krijimtarinë e saj. Kujton se në një periudhë i mbanin dritaret e mbuluara me perde. Në një tablo të formatit të madh ka shkrirë errësirën. Duket sikur asgjë nuk merrte frymë e as hëna nuk ekzistonte. Të paktën për shqiptarët gjatë asaj kohe. Por Vokshi thotë se diku në qoshe zë vend një zog që ngjall shpresë.
“Shpresa nuk vdes kurrë”, thotë ajo derisa heq syzet e diellit dhe ulet krahas dhjetëra pikturave.

Lufta si përjetim artistik
Vokshi kishte qenë nxënëse e Shkollës Pedagogjike në Prishtinë. Thotë se ka pasur profesor artistin shqiptar me nam gjithandej botës, Gjelosh Gjokajn. Bile në këtë rast citon profesorin që prej shtatorit të këtij viti, nuk jeton më. “Në vitin e parë ai pati thënë: ‘Alije Vokshi punon më mirë se studentët e vitit të tretë në Beograd’”, kujton ajo. Pas Shkollës Pedagogjike kishte vazhduar studimet themelore e ato në shkallën e tretë në Beograd. Kishte diplomuar në klasën e piktorit të njohur në ish-Jugosllavi, Nedelko Gvozdenoviq. Po në Beograd ishte bërë magjistre duke pasur mentor Radenko Misheviqin. Më pas për një vit kishte shkuar për specializim në Paris e me t’u kthyer nisi punën në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës ku vazhdoi deri në pensionim. Thotë të ketë pasur nota të larta gjatë studimeve. Vizatimet me tush në letër i ka të panumërta. Por ia merr vëmendjen një pikturë e kohës së luftës. E kishte prekur fort masakra e Reçakut ku më 15 janar të viti 1999 mbetën të vrarë 45 veta. Vokshi rrëqethet edhe sot kur ndodhet përballë pikturës. Nëpërmjet një figure të pazbërthyer në detaje ajo ka shpërfaqur gjendjen e fshatit të Shtimes. E kuqja mbizotëron si ngjyrë dhe theksohet me një vijë goxha të gjatë që është bërë vetëm me një ndërhyrje të brushës.
“Aty ka qenë edhe ai i huaji”, thotë ajo derisa e ka fjalën për shefin e atëhershëm të OSBE-së në Kosovë, William Walker.
Pasi shpalos shumë piktura, gjen një ku ka paraqitur një grua me veshje kombëtare me maramë e lidhëse. Gruas nga Vokshi, i ka dhënë jetë nëpërmjet ngjyrave. Bie në sy varësja me lirë e një pjesë të flokëve i ka jashtë shamisë.
“E këtu e kam një grua andej prej nga e kam prejardhjen”, thotë Vokshi me mburrje.

Numëron tetë ekspozita personale e shumë sosh kolektive. Për herë të fundit kishte ekspozitë personale në vitin 2007. Më 1973 në Prishtinë kishte marrë çmimin “Mosha Pijade”, përderisa më 1976 ishte fituese e Sallonit të Nëntorit në kryeqytetin e asaj që në atë kohë quhej Krahina Socialiste Autonome e Kosovës. Mendon ta ketë edhe një ekspozitë retrospektive për të shpalosur krejt krijimtarinë e vet, prej veprave të para me të cilat nisin karrierën e që u shqua për stilin e saj, siç shihet edhe në një kronikë të vitit 1969.
Në pamje bardhezi të realizuara, kronika e asaj kohe nis me një portret femre. Ajo paraqitet me shami të zezë dhe mban njërën dorën e djathtë mbi të majtën. Asokohe kamera kishte fokusuar Vokshin si mësimdhënëse. Edhe aty përmendet se është piktorja e parë shqiptare e Kosovës e diplomuar në Akademi të Arteve. Përballë gazetares Vera Hima, Vokshi tregon se qysh në fëmijëri ka pasur dëshirë të punojë me laps në fletë të bardhë.
“Pikturoja imagjinatën e botës së fëmijëve”, thotë artistja në kronikën e ritransmetuar nga emisioni “Pa skenar” i Antigona Qena-Kaçanikut.
Aty arsyetohet se përse i do shumë portretet.
“Pikturoj portrete pasi aty mund të gjej shprehjet siç janë dhimbja e gëzimi”, thotë Vokshi. Paralajmëron se më 8 mars të atij viti do të ketë ekspozitën e parë në hollin e atij që sot është Teatri Kombëtar i Kosovës.
Edhe tash, kur flitet për artin e Kosovës, theksohet se Alije Vokshi qe e para piktore. Në një interviste për fondacionin “Erste”, ish-drejtori i Galerisë kombëtare të Kosovës, Erzen Shkololli e kujton se Vokshin dhe Violeta Xhaferin si femrat e para që nisen të merren me art pamor në Kosovë. Disa vepra të saj janë edhe pjesë e fondusit të GKK-së. Për të fundit herë, një vepër e Vokshit qe ekspozuar aty në kuadër ekspozitës kolektive “Portrete” më 2015.
Kohëve të fundit thotë se po i tërhiqet vërejtja.
“Shumë njerëz po më japin vërejtje që nuk jam duke punuar shumë kohëve të fundit”, thotë Vokshi. Tregon se gjatë gjithë jetës është munduar të paraqesë ndodhitë e popullit të vet. Andaj nuk ka lënë periudhë pa e “prekur” me brushë. “Prishtina do të ndryshojë me pikturat e mia”, thotë ajo tek e ka fjalën te ekspozita retrospektive që i rri në mendje. Me të mbyllur derën e ateliesë, takon një oficere të Policisë së Kosovës. Zyrtarja policore thotë të jetë oficerja e parë femër në Kosovën e pasluftës. E Vokshi nuk pret fare të kundërpërgjigjet. “Edhe unë jam piktorja e parë”, thotë me krenari profesoresha e pensionuar më 2010 por që deri vitin e kaluar ka qenë e angazhuar në Fakultetin e Arteve të Universitetit të Prishtinës.
Ky tekst u botua në “E diela me Kohën Ditore” të 6 nëntorit të vitit 2016. Ribotohet në vend të përkujtimit të piktores Alije Vokshi, e cila vdiq të hënën e 31 janarit