Libri i Antonia Youngut, “Gratë që u bënë burra – virgjineshat e betuara shqiptare” – përktheu nga origjinali anglisht: Harald Çela, botoi: Skanderbeg Books, Tiranë, 2013, 252 faqe – është një ndihmesë e veçantë për fushën e antropologjisë, por edhe për fushat e tjera humane. Libri ka zgjuar interesim të madh në shkollat e antropologjisë kulturore në vende të ndryshme të botës. Kjo vepër, pa dyshim se, i zgjeron dhe i plotëson edhe më shumë studimet rreth këtij fenomeni ndër shqiptarë
Libri i antropologes angleze, A. Young, i titulluar “Gratë që u bënë burra – virgjineshat e betuara shqiptare”, për herë të parë në gjuhën angleze u botua në vitin 2000, me titullin në origjinal “Women who become man”. Vetëm pas trembëdhjetë vjetësh, ky libër u përkthye edhe në gjuhën shqipe nga shtëpia botuese “Skanderbeg books” e Tiranës. Frymëzimi dhe ideja për këtë hulumtim, autores i kishin lindur në vitin 1987, ndërsa po merrte pjesë në konferencën shkencore të mbajtur në Universitetin e Bradfordit në Angli, ku kishte prezantuar temën “Gratë udhëtare në Ballkan”.
Nga këtu e më pastaj, interesimet e autores, A. Young, për këtë temë u intensifikuan dhe, kështu, në vitin 1989 kërkimet e saj u përqendruan në pjesën veriore të Shqipërisë për të vërtetuar ekzistimin e fenomenit “virgjineshat”. Mirëpo, tek në vitin 1993, studiuesja A. Young, arriti që në një dasmë të organizuar në një fshat afër Thethit, ta takonte dhe ta njihte për herë të parë një “burrneshë” të tillë, Pashkën, mikpritjen dhe bujarinë e së cilës (“të cilit”), autorja, krahas përshkrimit etnografik të fshatit, i sjell në hollësi. Kësisoj, autorja, në këtë vepër, pra, trajton fenomenin interesant të “virgjëreshave të përbetuara”, duke vënë në pah edhe shumë të dhëna të tjera të vjela nga terreni dhe duke bërë krahasime antropologjike dhe të argumentueshme edhe me kohët e hapësirat e vendeve të tjera.
Në hyrjen e kësaj vepre (fq. 11-13) gjejmë të pasqyruar listën e hartave të fotografive të virgjëreshave, të realizuara në terren (gjithsej 32), ku autorja ka arritur që këto materiale t’i ndajë për lexuesit e këtij botimi. Secila nga fotografitë ka përshkrimin e vet, që e bën më të lehtë të kuptuarit e fenomenit të virgjëreshave, pamjen e tyre, por dhe vendet ku ato janë fotografuar dhe ku ky fenomen i ka mbijetuar kohës në kulturën shqiptare.
Shenjat e Kanunit brenda familjes
Para se të bëjë fjalë për subjektin e studimit të saj, përkatësisht për fenomenin “Gratë që u bënë burra – virgjineshat”, antropologia Young, na jep një përshkrim të përgjithshëm për udhëtimet e saj në Ballkan, me theks të veçantë për udhëtimet në fshatrat e Shqipërisë veriore (fq. 15-23).
Edhe
Mbi kufijtë e trupit, femicidi si reflektim i kulturës dhe pushtetit
Në pjesën e parë të librit, lexojmë një vështrim të përgjithshëm për shqiptarët, më pastaj bëhet fjalë për qëllimin e studimit të kësaj teme, qasjen vrojtuese në terren, metodologjinë e punës, keqkuptimet kulturore, zbulimin e virgjëreshave, hulumtimet teorike dhe rezultatet e studiuesve të tjerë që janë marrë me studime të këtilla (fq. 29 - 43).
Vepra, po ashtu, përmban edhe shumë të dhëna të tjera me interes për lexuesit dhe studiuesit (fq. 45-96)., si p.sh. për organizimin e familjes, për mënyrën e jetesës, farefisninë, hierarkinë familjare, kryefamiljarin, pronën dhe trashëgiminë, për pozitën e gruas sipas së drejtës zakonore, për fejesën, martesën, vdekjen e burrit, për ndarjen e punëve brenda një bashkësie familjare e të tjera. Të gjitha këto, antropologia A. Young, i sheh brenda dhe në pajtim me ligjet e Kanunit të Lekë Dukagjinit, të përcjella brez pas brezi. Për këtë arsye, në këtë pjesë vështrohen edhe disa aspekte të tjera të Kanunit, si p.sh.: për nderin, për dhënien e besës, për mikpritjen, për mysafirin, për faljen e gjakut dhe për ndërmjetësuesit e të tjera.
Zanafilla e fenomenit
Me mjaft interes shkencor dhe me vlerë janë edhe diskutimet e autores për zanafillën e fenomenit të virgjëreshave, si dhe bashkëbisedimet e saj me subjektet e ndryshme, të cilat i janë përkushtuar me shpirt një vendimi të tillë, edhe pse në shumë situata, siç e thekson edhe vetë autorja, nuk është parë si e volitshme për t’u interesuar dhe për t’i pyetur për hollësira gjatë intervistave dhe komunikimit me to. Nga puna hulumtuese në terren, rezulton se fenomeni i virgjëreshave asnjëherë nuk është i njëjtë, ndryshojnë rastet, jo vetëm nga struktura e familjeve ku bëjnë pjesë ato, por edhe nga vetë interpretimi dhe roli i virgjëreshave. Në këtë kontekst, për t’u kuptuar më mirë arsyet e kalimit gjinor nga femër në mashkull, autorja i jep disa shpjegime dhe numëron disa arsye, si: mungesa e një djali në shtëpi dhe lindja e disa vajzave, ruajtja e nderit të familjes, marrja e kompetencave për t’u bërë kryefamiljar dhe trashëgimtar në truallin e babait, betimi i tyre i hershëm për beqari të përhershme, veshja e rrobave si të burrave, ndryshimi i emrit nga gjinia femërore në atë mashkullore, përfshirja në aktivitete sociale të përcaktuara vetëm për burra, për ta gëzuar autoritetin e gjinisë mashkullore, për të mos u shuar hiseja e babait dhe e fisit, për të pasur një liri më të madhe të lëvizjes e të tjera.
Tri llojet e virgjëreshave
Nga studimet e bëra për virgjëreshat, autorja (fq. 97-154) tregon për tri lloje të këtij fenomeni. Në të parin hyjnë ato të përzgjedhura nga prindërit qysh në fëmijërinë e hershme, madje edhe para ose menjëherë pas lindjes; në të dytin hyjnë ato që vendimin e marrin pasi kalojnë moshën e pubertetit. Në grupin e tretë, ndërkaq, bëjnë pjesë ato virgjëresha gjysmëfetare, por të cilat mendohet se janë zhdukur prej kohësh.
Është për t’u theksuar fakti se nga hulumtimet e realizuara për këtë vepër, autorja konstaton se fenomeni i virgjëreshave në vendet ku ato jetojnë, pritet mirë nga rrethi i tyre, kanë mirëkuptim dhe respekt reciprok, por duke shtuar se ky fenomen nuk ka të bëjë fare me transvestizmin apo lesbizmin. Vendimi i burrneshave është i përjetshëm dhe ai ndryshim nuk shihet si një sjellje e devijuar brenda shoqërisë. Vendimi i tyre nuk buron si rezultat i ndonjë dallimi psikologjik, por si një rol e një model i rregullt mes shumë pozitave të tjera. Nga puna dhe përvoja e studiueses A. Young në terren dhe mbledhja e të dhënave të tjera për to, as që bëhet fjalë për ndonjë devijim seksual të tyre. Edhe nga vetë emërtimi “virgjëreshë”, kuptojmë se bëhet fjalë për një vajzë që nuk ka pasur kurrë marrëdhënie seksuale me dikë, një vajzë që e ka ruajtur virgjërinë e saj. Ose edhe emërtimi tjetër “tybeli”, tregon betimin e saj për të mos u martuar, për të hequr dorë nga martesa përgjithmonë.
Ato pas betimit të tyre, e mbajnë statusin e burrit dhe në asnjë rast nuk janë të penduara për mënyrën e jetesës së tyre. Prerja e flokëve, pirja e duhanit, bartja e armës, mbrojtja e nderit të familjes, veshja e tyre si e burrave, ndërrimi i emrit..., e forcojnë statusin gjinor që ato e zgjedhin, pra nga ato bëhen ata. Por edhe emërtimin tjetër “burrneshë” që haset në të këtilla raste, flet për statusin mashkullor të tyre.
Edhe
“Prapa mureve...” brenda familjes shqiptare para 50 vjetësh
Veshja tradicionale shqiptare
Një kapitull tjetër i kësaj vepre me mjaft interes (155-174), i kushtohet edhe trajtimit të veshjes tradicionale shqiptare. Veshjet luajnë rol të rëndësishëm në formimin shoqëror mes gjinive, të dallueshme në ngjarjet e rëndësishme të jetës. Veshja vepron si karakteristikë e një shoqërie, ndaj edhe ajo ndahet sipas moshës e gjinisë, por klasifikimi i saj mund të jetë edhe sipas funksionit, qoftë atij praktik, estetik, ceremonial e qoftë edhe ritual. Pikërisht për këtë, A. Young, bën një përshkrim të hollësishëm të veshjes së një nuseje të kësaj zone (pra, pjesa veriore e Shqipërisë), që ka karakteristika të veçanta, bukuria e së cilës u kishte rënë në sy edhe shumë studiuesve e udhëpërshkruesve të tjerë që kishin kaluar nga këto anë, siç përmendet këtu, antropologia angleze Edith Durham e shumë të tjerë.
Krahas hulumtimeve dhe rezultateve mjaft interesante për veshjen shqiptare, autorja, pashmangshëm trajton veshjen e subjektit kryesor të studimit të saj – të virgjëreshave. Për veshjen e tyre, autorja konstaton se në disa zona, burrneshat vishen që nga koka e deri në këmbë tamam si burra, por ka të tjera që vishen pjesërisht me rroba meshkujsh dhe pjesërisht me rroba femrash.
“Shkurtani dhe Hakiu gjatë kohës së të korrurave me fqinjët e tyre. Shquhet kontrasti mes veshjeve të grave që gjenden në mes të fotografisë dhe veshjeve të dy “virgjëreshave” në dy cepat e fotografisë dhe të vetmit burrë. AY: fshat në dalje të Bajram Currit, viti 1994 (foto nr. 26)” – është shënimi të cilin autorja A. Young i ka vënë një fotografie të realizuar nga ajo në vitin 1994 në një fshat të Bajram Currit, emrin e të cilit nuk na e ka dhënë.
Fenomeni i virgjëreshave sipas studimeve të A. Young, përveçse në pjesën veriore të Shqipërisë, del të ketë qenë i pranishëm edhe në pjesën e Kosovës. Aty bëhet fjalë për Ramadanin (përkatësisht Rabën) nga një fshat i Rugovës. “Raba, pjesën më të madhe të jetës së saj, e kishte kaluar si bareshë në bjeshkët e vendlindjes dhe se identitetin e saj e dinin vetëm miqtë e ngushtë dhe familjarët”. Së këndejmi, mendojmë se Raba që jetoi në dekadat e fundit të shekullit XX dhe në fillim të shekullit XXI, është nga të fundmet virgjëresha në Kosovë, me të cilën edhe përmbyllet ky fenomen dhe kjo traditë, e cila sot më shumë ka mbetur si kujtesë e një të kaluare jo shumë të largët. Antropologia A. Young, thekson se në bazë të hulumtimeve të saj, deri në botimin e parë të këtij libri në vitin 2000, numri i burrneshave ka qenë rreth 100, por sot numri i tyre është shumë i vogël.
Më tutje, libri ka edhe një shtojcë për Kanunin (fq. 203-207), ku me të drejtë thuhet se kanunet kanë tërhequr vëmendjen e shumë vizitorëve dhe studiuesve të huaj dhe se, varësisht nga zonat, bartin edhe emrat e disa personaliteteve dhe vendeve, si: Kanuni i Lekë Dukagjinit, Kanuni i Çermenikës, Kanuni i Papa Zhulit, Kanuni i Labërisë, Kanuni i Skënderbeut.
Gjatë Luftës së Dytë Botërore, sistemi komunist kishte arritur që zbatimin e Kanunit ta ndalonte në Shqipëri, por pas rrëzimit të këtij sistemi, në vitin 1989, dhe me ardhjen e demokracisë, si mungesë efikase e rendit dhe ligjit në shtetin shqiptar, u rikthyen normat e Kanunit dhe gjetën zbatim. Një shtojcë tjetër bën fjalë për një fenomen tjetër mjaft tragjik dhe të përhapur ndër shqiptarët – për gjakmarrjen (f. 210-223). Kurse në shtojcën e tretë bëhet fjalë për Lëvizjen e gruas në Shqipëri (fq. 224-229).
Shikuar përgjithësisht, libri i antropologes së Antonia Youngut, “Gratë që u bënë burra – virgjineshat e betuara shqiptare”, është një ndihmesë e veçantë për fushën e antropologjisë, por edhe për fushat e tjera humane. Libri ka zgjuar interesim të madh në shkollat e antropologjisë kulturore në vende të ndryshme të botës. Është përkthyer në disa gjuhë, si: në gjuhën frënge, në gjuhën iraniane, në gjuhën italiane etj. Për shkak të interesimit që ka ngjallur ky libër për fenomenin e virgjëreshave, gjithandej nëpër botë janë realizuar një sërë reportazhesh dhe dokumentarësh rreth personazheve të kësaj vepre, por edhe nga të tjera të ngjashme.
Edhe
“Prapa mureve të gurit” brenda familjes shqiptare para 50 vjetësh
Kjo vepër, pa dyshim se, i zgjeron dhe i plotëson edhe më shumë studimet rreth këtij fenomeni ndër shqiptarë. Themi kështu, sepse ky nuk është studimi i vetëm rreth kësaj problematike, por me të janë marrë dhe e kanë trajtuar, në periudha të ndryshme kohore, edhe studiues të shquar shqiptarë andej e këndej kufirit.
Autori është hulumtues i pavarur shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës