Antropologia angleze Edith, pas vizitës në veriun e Shqipërisë, takohet me Sosen, njërën nga pak burrneshat e mbetura shqiptare. Të dyja udhëtojnë në Londër, në një seri të prezantimeve publike në London University. Pjesa tjetër është histori, por në esencë “Burrneshat”, me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Erson Zymberit, vjen si një lloj zbërthimi në gjuhën e së sotmes të një fenomeni që rëndom është kundruar nga perspektiva perëndimore “kryesisht ekzotike, pra, një shikim i ‘botës së civilizuar’ ndaj asaj ‘të pacivilizuar’”.
“Burrneshat” tash do të flasë në shqip dhe premiera e saj në Prishtinë po merr formë. Vjen para publikut vendor pas inskenimit në gjermanisht, në Zvicër. Versioni i ri është produksion i “Qendrës Multimedia”, e cila të mërkurën nëpërmjet njoftimit për media ka dhënë disa detaje. Premiera do të jetë të martën e dhjetë majit, në teatrin “Oda” në kryeqytet.
Në njoftim shkruhet se “Burrnesha” trajton fenomenin e burrneshave, nën dritën edhe të debatit të tanishëm mbi çështjet gjinore, si dhe adreson konceptin e lirisë, respektivisht moslirisë në shoqëritë me vlera, koncepte e konstrukte të ndryshme shoqërore. Aty bëhet e ditur se Sose gjatë vizitës në Angli “bëhet pjesë e një queer performance që është duke u përgatitur nga Julian, që është një drag-queen e njohur e Londrës”. “Për Sose-n takimi me një kulturë kaq të huaj bëhet çështje ekzistenciale”, shkruhet në njoftim i cili jep edhe një historik të shkurtër të këtij fenomeni. “Ka pasur po ashtu njëlloj eksploatimi të llojit të vet që i është bërë këtij fenomeni dhe i cili është shfrytëzuar dhe përdorur nga të gjithë, veçanërisht nga mediat ndërkombëtare, por edhe nga hulumtuesit e fushave të antropologjisë, sociologjisë, etnografisë e kështu me radhë”, shkruhet në njoftim, duke dhënë edhe disa referenca. Siç shkruhet, një lloj intimiteti që këtyre burrneshave u ka garantuar akti i të kthyerit në burrneshë, krejt përnjëherë u është ekspozuar mediave dhe publikut, i cili nuk u ka sjellë ndonjë përfitim burrneshave, përkundrazi, në shumë raste ato janë portretizuar në dritën e primitivizmit dhe si “relikte” të një shoqërie skajshmërisht patriarkale. “Por për shumë nga këto gra, të vishesh si burrë dhe të bëhesh burrneshë ka qenë një akt emancipues. Ato e lidhin këtë akt me idenë e ‘lirisë’. Dave King e ka quajtur këtë fenomen si ‘migrim gjinor’, duke e krahasuar me migrimin gjeografik”, shkruhet në njoftimin për shfaqjen ku luajnë: Tringa Hasani, Semira Latifi dhe Kushtrim Qerimi. Skenografinë e shfaqjes e ka realizuar Bekim Korça, muzikën Trimor Dhomi, koreografinë Gjergj Prevazi, kostumet Yllka Brada, menaxhere e produksionit është Aurela Kadriu, dritat i ka realizuar Mursel Bekteshi, mbështetja teknike vjen nga Pajtim Krasniqi e Bujar Bekteshi, video nga Ilir Gjocaj, kurse asistente kostumografe është Flaka Rrustemi.
-
“Burrnesha” thyen paragjykimin në rikthim te rrënjët femërore
-
“Burrnesha” e Kosovës në Itali e Rumani
-
“Prizren Festi” i guximit dhe i lirisë zhduk kufijtë truporë në hapje
-
“Prizren Fest” kthen qytetin në skenë teatri si hapësirë reflektimi e dialogu
-
Lord Byroni ringjallet në skenën e Londrës me rrëfimin për Shqipërinë