Prishtinë, 3 qershor – Në korrikun e para pesë dekadave bota do të kthente sytë nga një ngjarje e veçantë. Arritjet e njerëzimit po preknin një cak që për shumëkënd as që imagjinohej. Apollo 11 po dërgonte njerëzit në hënë. Neil Armstrong bashkë me Buzz Aldrin shënuan një pikë kthese në histori. Rrëfimet e atyre që kanë përcjellë krejt këtë nismë nga e mbarë bota janë të shumta.
Këtyre u shtohet edhe një rrëfim nga Kosova. Shkrimtari e publicisti, Veton Surroi, me romanin e tij të tretë “Fshehtësia e zbulimit të Hanës” sjell katër ditë të verës së vitit 1969 shikuar nga kërshëria e një fëmije. Libri i ri i tij në Panairin e librit në Prishtinë do të jetë midis 9 titujve të rinj e 16 botimeve që vijnë midis dy panaireve nga Botimet KOHA.
Në Panairin, që hap dyert në mesditën e së mërkurës e vazhdon deri të dielën, Botimet KOHA sikurse çdo vit sjell vepra të ndryshme, që tradicionalisht janë ndër më të kërkuarat në Panairin e librit. Pos librit të Surroit, i cili numëron vite që veprat e tij janë më të shiturat në ngjarjen e librit, titujt e tjerë të KOHËS përmbajnë romane, vepra dokumentare, publicistikë, e opinione.
Në “Tetëdhjetë vjet rrëfime” të autores Ajten Pllana vinë një jetë e tërë, shumë përvoja, ngjarje, e pjesëza historie të shkruara me shumë nostalgji, humor e gjuhë të pakomplikuar. Gjuhëtari e studiuesi, Skënder Gashi, është i njohur për hulumtimet e tij, të cilat nxjerrin në pah shumë për të kaluarën e shqiptarëve. Sivjet me librin “Institucioni i fisit te shqiptarët, në dritën e onomastikës”, autori mëton që në dritën e të dhënave onomastike e gjuhësore të nxjerrë në dritë edhe ndonjë segment, i cili do ta relativizonte idenë se institucioni mesjetar i fisit, si formacion social-juridik i mbështetur te lidhja e gjakut në vijën mashkullore, mund ta ketë atë kuptim e forcë sociale edhe në ditët tona. Histori më të re sjell një tjetër autor.
Në kohën kur një marrëveshje potenciale midis Serbisë dhe Kosovës është e pranishme në deklaratat politike vendore e ndërkombëtare, Eliott Behar nëpërmjet Botimeve KOHA flet me “Tregoji botës”. Në këtë vepër dokumentohen krimet e Serbisë në Kosovë gjatë luftës së fundit. “Është libër që do të duhej ta lexonin edhe në BE, para se të insistonin për marrëveshje pa i përfillur viktimat e vërteta”, shkruhet në katalog.
Romani fitues i shpërblimit “Rexhai Surroi” për vitin 2018, “Gosti në natën e parë të vjeshtës” i autorit Gëzim Aliu, vjen në shtandin e Botimeve KOHA si një ndërlidhje e shumë storieve në boshtin fabular, që përfshin tri periudha të mëdha të ngjarjeve në Kosovë, paraluftën, luftën e pasluftën, në mënyrë kuptimplotë e domethënëse, pa patetikë, retorikë ideologjike e mbindjeshmëri.
Në anën tjetër, rrëfimi i një refugjati vjen në veprën “Refugjatë nën qiellin e ri” të Ganimete Pashoja-Myftiut. Zëshëm e haptazi ka folur për të kaluarën edhe Valbona Mehmeti me veprën e saj “Mbrojtësi”, që vjen si biografi e avokatit brilant Bajram Kelmendi.
Fëmijëria e mohuar, pjekja e dhunshme e personalitetit në adoleshencë derisa dergjej në burg, etja e pashuar për nxënie, ambicia për ta mbytur varfërinë dhe vendosmëria për t’i sjellë drejtësi vendit të vet të shkelur me dekada e shekuj, barten te lexuesi me një përshkrim sa të lehtë e të sinqertë, aq edhe të rëndë dhe pikëllues. e Bajram Kelmendit, i vrarë nga forcat serbe më 1999 bashkë me të bijtë e tij. “Kosova: Një histori dokumentare”redaktuar nga Robert Elsie dhe Bejtullah Destani dokumenton një prej periudhave me ngjarje të shumta të shtetit më të ri të Evropës.
Kushdo që është i interesuar për historinë e shqiptarëve të Kosovës dhe përpjekjet e tyre për pavarësi nga Serbia do të duhej t’i qasej këtij libri. Historia zbërthehet edhe nëpërmjet romanit “Teuta” të Mirash Martinoviqit. Mbretëresha e fundit e perandorisë ilire nuk ia doli ta shpëtonte popullin e saj nga pushtimi i pamëshirshëm romak. Megjithatë, ishte shëmbëlltyra e saj ajo që bëri që populli ilir të mos u nënshtrohej kurrë romakëve.
Lexuesit e gazetës “Koha Ditore” çdo të shtunë lexojnë kolumnet e Flaka Surroit. E në Panair të librit “Të shtunën nga zgafellja” sjell 158 kolumne të zbërthyera në informata e vlerësime të argumentuara mirë e thjesht për ngjarjet me rëndësi të viteve 2016-2018, duke të rikthyer kështu në historinë e afërt. Flaka Surroi në cilësinë e redaktores sjell edhe librin “Politika serbomadhe nga Garashanini deri te Akademia”, ku janë përfshirë dokumentet më të rëndësishme shtetërore serbe, të cilat kanë shërbyer si platformë për t’i copëtuar trojet shqiptare, për t'i dëbuar shqiptarët në masë, për t'ua shuar të drejtat qytetare e kombëtare, dhe në fund, për t'ua shuar edhe jetët pa paragjykim. Reportazhet, po ashtu, janë pjesë e “menysë” së Botimeve KOHA këtë vit. “Hotel Grandi” me autore Nerimane Kamberin ftojnë të shihet, ndihet e kuptohet një e kaluar e afërt që duhet t’i përcillet rinisë së këtij vendi, rinisë jashtëzakonisht dinamike, e cila duhet ta krijojë të ardhmen e saj.
Gjeneratat e reja për të kaluarën mund të mësojnë edhe në librin e ri të Ibrahim Kadriut, “Varri i shitur në Damask” që është një biografi e veçantë për një familje kosovare të shtyrë nga presioni dhe tortura serbe të dyndej në Turqinë e Ataturkut. Mëtimi i pushtetit atje për t’i turqizuar shqiptarët, duke insistuar që kryepersonazhi ta heqë plisin, si shenjën e vetme kombëtare që mban me vete, e detyron që të shkojë aty ku mund ta ruajë atë. Familja përfundon në Siri dhe aty përballet me aq shumë kundërthënie. “Gërsheti i prerë” i Majlinda Bregasit është një roman që flet me një gjuhë tërësisht lakuriqe. “Historia e tri gjeneratave, tri vendeve, tri kohëve që kapërdredhen me njëra-tjetrën na zbulon situata ekstreme”, shkrihet në katalog.
Në serinë e sivjetshme për Panair, Botimet KOHA vjen me “Monument VI” të Artan Krasniqit, që si seri e shkëlqyer kushtuar trashëgimisë kulturore e historisë së Kosovës, përmbyllet me këtë vëllim që vazhdon të lexohet edhe si një roman, sepse është shkruar nga një mjeshtër i rrëfimit pasi ka shumë personazhe, legjenda, histori të gjalla.
(Gjerësisht, sot nç "Kohën Ditore")