Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën
Kulturë

Botimet e çmimet e Ministrisë midis akuzave për favorizime e pa diversitet

Ministria e Kulturës dhe Këshilli i Librit nuk po e respektojnë diversitetin e botuesve në vend me rastin e botimit të librave, blerjes së tyre, si dhe ndarjes së çmimeve vjetore për letërsi. E këto të fundit, të dhëna më 17 shkurt në kuadër të aktiviteteve për Ditën e Pavarësisë, sipas disa botuesve, kanë favorizuar shtëpi botuese që ishin financuar më parë nga MKRS-ja. Kështu çmimi kombëtar letrar për vepër jetësore “Azem Shkreli” i është dhënë Sabile Keçmezit-Bashës, e cila është kryesuese e Këshillit të Librit. Sipas jurisë profesionale, në përbërje të së cilës ishin Hysen Matoshi, Adem Zejnullahu, Faik Shkodra, Emin Emini dhe Riza Haziri, tri çmime u janë akorduar titujve të shtëpisë botuese “Armagedoni”, dy shtëpisë botuese “Buzuku” dhe nga një shtëpisë botuese “Beqir Musliu” e “Rozafa”.

Gjithnjë sipas vendimit të jurisë, Çmimi për veprën më të mirë në prozë “Anton Pashku” i është dhënë Rrahman Paçarizit për veprën “Shtatë udhë” (botim i “Armagedonit”) dhe Albina Idrizit për veprën “Përsëri mars” (“Buzuku”), çmimi për veprën më të mirë në poezi “Ali Podrimja” iu dha Xhevdet Bajrajt për vëllimin “Kur qajnë hardhitë” (“Armagedoni”) dhe Nexhat Rexhës për vëllimin “Duke kërkuar hijen tënde” (“Beqir Musliu”). Çmimin për veprën më të mirë në kritikë letrare dhe eseistikë “Ibrahim Rugova” e ka marrë Berat Dakaj për studimin “Dramat e Qosjes” (“Armagedoni”) e atë për veprën më të mirë të përkthyer në gjuhën shqipe dhe anasjelltas “Pjetër Bogdani”, Isa Memishi për përkthimin e romanit “Guaska” të Mustafa Halifas (“Buzuku”). Çmimin për veprën më të mirë për fëmijë e të rinj “Vehbi Kikaj” e ka marrë Jonuz Fetahaj, për veprën “Libri i përrallave të gjyshit” (“Buzuku”).

Hysen Matoshi, kryetar i jurisë profesionale për vlerësimin e çmimeve, ka mohuar të ketë trajtuar konfliktin e interesit. Ka thënë se juria vetëm ka bërë vlerësimin e kandidatëve dhe veprave të përfshira në konkurs.

Departamenti i Kulturës në MKRS tashmë ka shpallur sivjet tri konkurse për përkrahjen financiare për botimin e librave për vitin 2020, për blerjen e librave për vitin 2020, si dhe botimin e revistave letrare/ Salih Mehmeti.

(Gjerësisht, sot në “Kohën Ditore”)

© KOHA Ditore