“Letrat e mia kredenciale” e kanë rikthyer në Prishtinë, shkrimtarin e ish-diplomatin Besnik Mustafaj. Në përurimin e veprës së tij, në kuadër të Panairit të Librit, ai ka folur për natyrën e shkrimtarit të kufizuar e në liri. “Një shkrimtar në mungesë lirie është si një lojtar tenisi, i cili detyrohet të luajë në një fushë pingpongu dhe e ka fushën aq të vogël – flas për një shkrimtar të vërtetë – saqë fuqia e tij, energjia e tij duhet të kufizohen, të shmangen përndryshe ai do ta hedhë topin jashtë fushe”, ka thënë ai. Të enjten janë përuruar edhe tituj të tjerë e njëri prej tyre ka qenë edhe “Ndërtesa të vjetra, dizajne të reja: transformime arkitekturale” të Charles Bloszies
Besnik Mustafaj ka qenë shkrimtar në kohë diktature, ka shkruar e vazhdon të shkruajë edhe në liri. Mbi 15 veprat e tij shtrihen midis ndarjes së madhe të historisë shqiptare. Ish-diplomati shqiptar i njeh mirë këto kohë, edhe ndjesinë e të qenit shkrimtar në këto antonimie.
“Letrat e mia kredenciale”, një rrëfim me Arta Markun, e ka rikthyer Mustafajn në Prishtinë, me përurimin e kësaj vepre, të enjten në ditën e tretë të Panairit të Librit në Prishtinë. Ka folur pikërisht për qenien e shkrimtarit. Shembullin e ka pasur të thjeshtë.
Mbështete KOHËN. Ruaje të vërtetën.
Gazetaria profesionale është interes publik. Mbështetja juaj ndihmon që ajo të mbetet e pavarur dhe e besueshme. Kontribuoni edhe ju. 1 euro e bën dallimin.
Letër lexuesit — pse po kërkojmë mbështetjen tuaj Kontribuo“Një shkrimtar në mungesë lirie është si një lojtar tenisi, i cili detyrohet të luajë në një fushë pingpongu dhe e ka fushën aq të vogël – flas për një shkrimtar të vërtetë – saqë fuqia e tij, energjia e tij duhet të kufizohen, të shmangen përndryshe ai do ta hedhë topin jashtë fushe, do të prishë lojën dhe do të marrë penalitetet e armikut”, ka thënë ai. Në liri, shkrimtari sipas Mustafajt është ai që nxjerr maksimumin nga vetja.
“I njëjti lojtar, në fushën e vërtetë të tenisit do të përpiqet që të nxjerrë edhe nga fundi i shpirtit të vet energji që edhe mund të mos i ketë, pra të bëjë të pamundurën në mënyrë që topi i tij të ketë një shpejtësi maksimale, të ketë atë çka i duhet për ta mundur kundërshtarin. Shkrimtari nuk ka kundërshtar, por ai si lojtar tenisi në këtë kontekst, do të përpiqet që të japë maksimumin sepse nuk ka asnjë kufizim”, ka thënë ai.
Për tema si këto, ai flet në “Letrat e mia kredenciale” i ndërtuar në stilin e intervistës e cila zhvillohet midis tij dhe gazetares nga Shqipëria, Arta Marku.
Marku, e cila kishte realizuar disa intervista me shkrimtarin Mustafaj mori rolin e intervistueses edhe gjatë promovimit të veprës më të re. Pyetja e saj kishte të bënte me dilemën e madhe letrare se “çfarë vlere ka një intervistë” dhe nëse shkrimtari duhet të japë intervista”.
Mbi të gjitha, sipas Mustafajt, shkrimtari duhet të intervistohet që të jetë sa më afër lexuesit.
“Unë kam dhënë shembullin se po, se duhet të japë, sepse kamë dhënë vetë intervista dhe njeriu beson që ajo që bën vetë është më e mira, në shkëmbim të librit. Në këtë kohë komunikimi që jetojmë ne, shkrimtari dashje pa dashje detyrohet që ta shoqërojë librin, ta shoqërojë veprën letrare që të lehtësojë arritjen te lexuesi, sepse është një kohë, kur individi ka një mijë arsye për t’u larguar nga libri, për t’u marrë me gjëra të tjera që janë më të sipërfaqshme, më të përkohshme, por më tërheqëse sesa të lexosh një libër”, ka thënë ai.
Gjatë intervistave të saj të shumta, te Mustafaj, Marku ka thënë se kishte hetuar një koherencë në përgjigjet e tij.
Ai u shpreh se për shkak të realizimit të intervistave të shumta, gjatë krijimit të kësaj vepre ai tashmë kishte pasur “disa koncepte të konsoliduara dhe që besonte në to”.
Ambasadori i Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, shkrimtarin dhe ish-ministrin e Jashtëm, ish-ambasadorin e Shqipërisë në Francë, e ka konsideruar si shkrimtar dhe politikan të avashtë i cili ecën gjithmonë me hapa të ngadaltë, por të sigurt.
“Unë kam një mendim se Besniku si karakter, si personalitet është një person i avashtë dhe edhe kur Arta i bën një pyetje se mos keni pak vepra tani që jeni në moshën 60-vjeçare? Mendoni se duhej të shkruanit më tepër? Nuk jeni pak të ngadalshëm? Përgjigja e tij është shumë interesante. Nuk mund të jetë një shkrimtar i ngadalshëm që shkruan një faqe në ditë dhe viti ka 365 ditë dhe shkojnë 365 faqe. Këtë virtyt Besniku e ka pasur dhe si politikan. Ka qenë një njeri vendimmarrës joemotiv, jopartiak, por njeri që i ka parë gjërat në një rrafsh shumë interesant”, ka thënë ambasadori Minxhozi.
Në përurim ka folur edhe Ibrahim Fadlalla, i cili ka përkthyer në arabisht “Një sagë e vogël” të Mustafajt. Ka paralajmëruar se e ka në plan përkthimin edhe të një vepre të këtij shkrimtari.
“Përkthimi në arabisht është pritur shumë mirë dhe për të kanë shkruar shkrimtarë të rrallë të cilët kanë dhënë mendimet e tyre për këtë libër. Për momentin kam edhe një tjetër projekt me zotëri Besnikun, i cili është përkthimi i librit ‘Dëmtuar gjatë rrugës’, që shpresoj që do të dalë këtë vit” ka thënë Fadlalla.
Përurimi i “Letrat kredenciale”, botuar nga “Buzuku”, ka qenë njëri nga shtatë përurimet e së enjtes. Po këtë ditë është përuruar edhe libri “Ndërtesa të vjetra, dizajne të reja: transformime arkitekturale” të Charles Bloszies.
Florina Jerliu, e cila ishte përkthyesja e këtij libri ka thënë se sjellja në shqip e kësaj vepre ka peshë pasi është njëri ndër librat bazë të Fakultetit të Arkitekturës.
“’Ndërtesë të vjetra, dizajne të reja’, është më tepër një paradigmë dhe kjo ka qenë arsyeja se pse u angazhova që ta kemi shqip. Ne në Fakultetin e Arkitekturës punojmë me këtë libër qe diku katër vjet tashmë mos edhe më tepër, dhe na ka shërbyer si bazë për t’u orientuar apo për të krijuar idenë e shkollave të ndryshme, qasjeve të ndryshme që e kemi ndaj tyre”, ka thënë Jerliu. Ajo ka thënë se rrënimi dhe rinovimi i ndërtesave të vjetra është një çështje aspak e lehtë dhe e cila duhet të shikohet nga disa dimensione.
“Ne si arkitektë jemi të preokupuar edhe me dimensionin estetik edhe dimensionin vleror, por edhe me dimensionin ekonomik të qëndrueshmërisë së ndërtesave, sepse nuk është e lehtë që të ndërtosh e të rrënosh, të ndërtosh e të rrënosh vazhdimisht. Kjo do të thotë se dëshmitë e së sotmes shkojnë në atë drejtim sepse nuk e kemi më atë hesap. Pra, deshëm a s’deshëm ne do të duhej disi t’i konsiderojmë ato që ekzistojnë para se të angazhohemi në diçka të re”, ka thënë ajo.
Arsim Canolli, profesor i antropologjisë dhe njëherësh drejtuesi i “Cuneus”, shtëpisë botuese që e sjell në shqip këtë libër, ka lavdëruar punën e profesoreshës Jerliu duke theksuar rëndësinë dhe nevojën për përkthimin e një vepre të tillë.
“Jam shumë i lumtur që jam këtu me profesoreshën Jerliu, e cila ka bërë një punë të jashtëzakonshme për përkthimin e librit duke shkuar fjalë për fjalë, paragraf për paragraf duke i sitë e duke e shoshë këtë përkthim nga gjuha angleze dhe pastaj duke e promovuar edhe te studentët e saj, sepse ka qenë një libër i cili ka kaluar gjeneratë pas gjenerate te studentët e saj dhe i cili ka qenë një libër kyç në Fakultetin e Arkitekturës”, ka thënë Canolli.
Genc Demeraj, ish-student i arkitekturës, teksa ka konstatuar për intervenimet në objektet private, ka pyetur se çfarë ngjanë me objektet publike, kur në to po intervenohet me projekte fondesh të huaja.
“E di që ka donatorë që vinë, japin fonde për izolim. Si ta ndërrojmë këtë qasje dhe në çfarë forme faktikisht? A duhet kjo të vijë nga politikat apo nga profesionistët?”, ka pyetur ai.
Jerliu ka kujtuar se si arkitektët në bashkëpunim me qytetarët kishin arritur t’i pengonin disa ndërhyrje në objekte të trashëgimisë, por që iniciativat e tilla duhet të vinë më shumë nga vetëdijesimi i qytetarëve.
“E vërtetë është kjo që thua ti. Çka kemi arritur ne si qytetarë ka qenë me i ndalë disa intervenime siç e dimë të gjithë në “Grand” e në Ferizaj tek objekti i Ferizajt ku e kemi kamerierin. Janë iniciativa qytetare që e kanë më të qartë ketë vlerën e ndërtesës së vjetër, përkatësinë që ajo ta jep, më shumë sesa vetë institucionet”, ka thënë ajo.
Panairi i 22-të i librit “Prishtina 2022” do të vazhdojë edhe për tri ditë të tjera ku do të sjellë edhe promovime të tjera autorësh, shkrimtarësh e studiuesish të ndryshëm.