Kulturë

Besimet parahistorike në figurinën 12 mijë vjet të vjetër

Një figurinë argjile 12 mijë vjet e vjetër (majtas) e zbuluar në një zonë arkeologjike me pamje nga Deti i Galilesë në veri të Izraelit

Një figurinë argjile 12 mijë vjet e vjetër (majtas) e zbuluar në një zonë arkeologjike me pamje nga Deti i Galilesë në veri të Izraelit, i quajtur Nahal Ein Gev II; një rikonstruksion artistik i figurinës (djathtas). Imazhet u publikuan më 17 nëntor 2025. Laurent Davin dhe Vic Oh/ REUTERS

Figurina që paraqet gruan dhe rosën mund të jetë njëri prej interpretimeve të panjohura deri më tash të një skene mitologjike. E zbuluar në veri të Izraelit, është artefakti më i hershëm i njohur në botë që tregon ndërveprim midis njeriut dhe një kafshe. Po ashtu është paraqitja më e hershme e njohur natyraliste e jo e stilizuar, e një gruaje në artin e Azisë Jugperëndimore

Will Dunham

Një figurinë argjile rreth 12 mijë vjet e vjetër që është zbuluar në një zonë të fshatit parahistorik pranë Detit të Galilesë në Izraelin verior shfaq një grua dhe një rosë. Ky mund të jetë një nga interpretimet më të vjetra në botë të një skene mitologjike.

Hulumtuesit kanë thënë se figurina, e gjatë 3.7 centimetra, është zbuluar brenda një strukture gjysmërrethore guri me diametër 5 metra në një zonë të quajtur Nahal Ein Gev II. Fshati kishte qenë pjesë e kulturës natufiane të Azisë Jugperëndimore që ka parë transformimin parahistorik mes gjuetarmbledhësit nomad dhe komuniteteve të vendosura në agro-kulturë.

Është figurina më e hershme e njohur në botë që tregon ndërveprim midis njeriut dhe një kafshe, sipas Laurent Davin, kërkues pasdoktoral në arkeologji në Universitetin Hebraik të Jerusalemit dhe autor kryesor i studimit të botuar të hënën në revistën “Proceedings of the National Academy of Sciences”. Po ashtu është paraqitja më e hershme e njohur natyraliste e jo e stilizuar, e një gruaje në artin e Azisë Jugperëndimore, ka thënë Davin.

Rosa është e pozicionuar mbi shpinën e gruas që rri ulur, me krahët e hapur në një pozicion çiftëzimi. Skena hedh dritë mbi sistemin e besimit të kulturës parahistorike, ka thënë arkeologu dhe bashkautori nga Universiteti Hebraik, Leore Grosman.

“E kemi interpretuar skenën e ndërveprimit si ilustrim i një çiftëzimi imagjinar mes shpirtit të një kafshe dhe njeriut. Kjo temë është mjaft e zakonshme në shoqëritë animistike në gjithë botën, në situata të veçanta, si në ëndrra erotike, vizione shamanike dhe mite”, ka thënë Grosman.

Animizmi është një sistem besimi që në parim thuhet se gjërat në natyrë – organizmat e gjallë si bimët dhe kafshët, si dhe objektet jo të gjalla si gurët dhe lumenjtë – posedojnë një gjë shpirtërore.

“Vetë skena që paraqet një ndërveprim të seksualizuar midis një njeriu dhe një kafshe, është pjesë e një tradite të gjatë në mitologji. Imazhe të këtilla nuk e bartin gjithmonë kuptimin e parë. Shpesh simbolizojnë fertilitetin, besimet spirituale dhe shenjtërinë e jetës”, ka thënë Natalie Munro, antropologe dhe bashkautore në Universitetin e Connecticutit. “Në plot mite gjatë historisë dhe kulturave, perëndi ose qenie, i shohin format hibride njeri-kafshë si diçka që përcjellin kuptime simbolike, jo domosdo aktivitet seksual real”, ka thënë Munro.

Studiuesit Natalie Munro dhe Laurent Davin shqyrtojnë figurinën prej argjile 12.000-vjeçare, e zbuluar në një zonë arkeologjike me pamje nga Deti i Galilesë në veri të Izraelit, i quajtur Nahal Ein Gev II, në Universitetin Hebraik të Jerusalemit në këtë fotografi pa datë, e publikuar më 17 nëntor 2025. Laurent Davin dhe Vic Oh/ REUTERS
 

Figurina duket se është shembulli më i vjetër i një skene mitologjike në Azinë Jugperëndimore dhe një nga më të vjetrat në botë, por është më e re, për shembull, se një skenë e dukshme mitologjike mes pikturave të Shpellës Lascaux në Francë, që datojnë rreth 18 mijë vjet më parë, kanë thënë studiuesit.
Figurina është gdhendur nga argjila e lënë për t’u tharë para se të piqet, për ta bërë të qëndrueshme dhe më pas është ngjyrosur me një pigment të kuq, gjurmë të të cilit kanë mbijetuar. Një gjurmë gishti e skulptorit shihet mbi figurinë.

Objekti tregon risi artistike për kohën e atëhershme. Skulptori ka përdorur dritëhijen për të krijuar një ndjesi thellësie dhe perspektive, metoda këto që do të lulëzonin shumë më vonë.

“Duke marrë parasysh mënyrën se si është modeluar, me theks në profilin e saj të majtë, ne e dimë se kjo figurinë ndoshta ishte ekspozuar në një vend të caktuar për të marrë dritë, nga dielli ose një oxhak, mbi profilin e saj të majtë, për të zbuluar lojën e dritës dhe hijeve që i jep jetë ndërveprimit midis rosës dhe gruas”, ka thënë Davin.

Figurina të këtilla mund të kenë shërbyer si ornamente, objekte me veti mbrojtëse ose magjike apo si rekuizita për të treguar storie. Kjo mund të ketë qenë pjesë e një instalacioni skenik që banorët e fshatit kishin ardhur ta shikonin, ka thënë Davin.

Në një moment, ajo është varrosur në mbushjen e strukturës ku e gjetën studiuesit, së bashku me objekte të tjera me kuptim ritual, si një depo dhëmbësh njerëzorë dhe mbetjet e një fëmije.
Populli natufian ka qenë një ndër gjuetarmbledhësit e parë në Azinë Jugperëndimore që kanë adaptuar një stil jetese më pasive, një transformim dramatik që i ka paraprirë ardhjes së bujqësisë. Banorët e këtij fshati kanë gjuajtur gazela, kanë praktikuar zhvillimin e mjeshtërive si thurja dhe kanë mbledhur materiale të lëndës së parë si gurë flinti dhe gurë gëlqerorë.

Mbetjet e rosave nga gërmimi i zonës janë evidenca për gjuajtje, therje dhe përdorim puplash. Me sa shihet, skena e figurinës nuk lidhet me gjuajtjen.

“Aluzioni i këtij zbulimi është se stili pasiv i jetës ka prodhuar transformime të mëdha në strukturat shoqërore, edhe midis njerëzish, por edhe mes njerëzve dhe mjedisit rrethues, gjë që ka çuar pastaj në transformime të të treguarit të storieve, shprehjeve simbolike dhe teknikave artistike.