Juria ndërkombëtare ka përzgjedhur projektin e studios projektuese “Oppenheim Architecture” nga Zvicra për të realizuar muzeun “Besa” në Tiranë. Projekti synon që të paraqesë historinë e popullit shqiptar në raport me hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore. Në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, të hënën janë prezantuar projektet finaliste.
Konkursi Ndërkombëtar qe shpallur shkurtin e sivjetmë dhe prej 17 projekteve vetëm 5 i ishin nënshtruar vlerësimit final. Pos projektuesve zviceranë, në garë ishin edhe “MVRDV” nga Holanda, “Emre Arolat Architecture” nga Turqia, “Schneider & Schumacher” nga Gjermania dhe “Cook Haffner Architecture Platform” nga Anglia. Qeveria shqiptare prej datës 12 prill, kur u bë shpallja e finalistëve, nisi edhe fazën e dytë, gjatë së cilës finalistët u ftuan për t’u njohur nga afër me godinën ekzistuese të banesës së Libohovitëve, monument kulture i kategorisë së parë që gjendet në qendrën historike të Tiranës.
“Përtej çdo qasjeje klasike, si arkeologjia e të tjera, koncepti i besës është një koncept shpirtëror e si i tillë patjetër që gjen nevojën për t’u treguar jo vetëm përmes librave të historisë, por me një hapësirë që flet shqip e mbi të gjitha flet edhe me gjuhën e vitit 2023. Shkurt dhe shqip, ky koncept quhet besa. Një dimension shpirtëror i shqiptarëve dhe me këtë plotëni që ekziston në Shqipëri, e themi me bindje se nuk ekziston në asnjë vend tjetër”, ka thënë ministrja e Kulturës, Elva Margariti. Sipas autoriteteve shqiptare, muzeu “Besa” është i lidhur shpirtërisht me Muzeun Hebraik në Vlorë. Ndërtimi i tij përbën një sfidë, pasi nga njëra anë bëhet fjalë për restaurimin e muzealizimin e një godine historike në zemër të Tiranës, por njëkohësisht duhet të flasë me zërin e kohës.
“Si një metropol gjithnjë e më shumë në rritje Tirana ka nevojë që të tregojë jo vetëm dimensionin e saj modern, por mbi të gjitha rrënjët që na lidhin me elementet karakteristike identitare e më të bukura të shqiptarisë”, ka thënë ministrja Margariti. Sipas saj, mbrojtja e hebrenjve nga shqiptarët ka qenë një nga momentet më simbolike të asaj që në Shqipëri e marrin si të mirëqenë, që është toleranca e bashkëjetesa shqiptare.
“Mënyra e fuqishme se si komunikon mesazhin dhe tregon historinë e ‘Besës’, i jep asaj një identitet dhe frymëzon vizitorët që të përqafojnë vlerat e saj; ndërhyrja minimaliste arkitekturore, që nxjerr në pah vlerat e ndërtesës si pjesë e trashëgimisë, e trajtuar me respekt dhe ndjeshmëri, koncepti i zhvilluar mirë si muze dhe qendër kulturore, harmonia e funksioneve me kontekstin përreth, e shpallën fituese mes 5 finalistëve projektin e ‘Oppenheim Architecture’”, ka thënë ministrja Margariti pas publikimit të vlerësimit të jurisë.