Kulturë

“Berlinalja” përzgjedh filmat për edicionin e prekur nga pandemia

Berlin, 11 shkurt (Deutsche Welle) – Festivali Ndërkombëtar i Filmit në Berlin të enjten ka bërë të ditur përzgjedhjet për garën kryesore për filmin më të mirë gjatë një konference online të dhënë nga drejtoresha menaxhuese, Mariette Rissenbeek, dhe drejtori artistik, Carlo Chatrian. Lista prej 15 filmash përfshin filmbërës që kanë fituar çmime, si dhe dy vepra debutuese.

Regjisorët gjermanë janë të mirëpërfaqësuar në përzgjedhje. Ylli gjerman, Daniel Brühl, do të japë premierën e tij si regjisor me një film debutues: projekti i tij personal “Next Door” është vendosur në lagjen e varfër berlineze të Prezlauer Bergut, ku edhe jeton aktori.

Filmi i regjisorit të njohur Dominik Graf, “Fabian: Going to the Dogs”, është një përshtatje e romanit klasik të Erich Kästnerit më 1931. Rrëfimi mbi rritën dhe pjekurinë është vendosur në Berlin, fill pasi nazistët vijnë në pushtet.

I njohur më së shumti ndërkombëtarisht për miniserinë e saj në Netflix, “Unorthodox”, regjisorja Maria Schrader është në garë me “I Am Your Man”, një komedi romantike për dashurinë me një robot, që shfaq Maren Eggertin krahas aktores që ka fituar çmime, Sandra Hüller, e cila luajti në komedinë e vitit 2016 “Toni Erdmann”. (Hüller ka luajtur edhe në “Exile” të Visar Morinës v.j.)

Regjisorja Maria Speth ka kaluar vite duke punuar në “Mr. Bachmann and His Class”, që Chatrian e ka përshkruar si “një epikë, megjithatë ende dokumentar intim”.

Yje ndërkombëtarë

Përtej Gjermanisë, 15 vende të tjera përfaqësohen në garë, me shumë bashkëproduksione. Duke pasuar të vlerësuarin “Portrait of a Lady on Fire” më 2019, regjisorja franceze Celine Sciamma do të japë premierën e “Pettite Maman”. Regjisori i nderuar jug-korean, Hong Sang-soo, rikthehet në garën e “Berlinales” me “Introduction”. Edhe regjisori rumun, Rudu Jude, që fitoi “Ariun e Argjendtë” më 2015, si regjisori më i mirë për filmin “Aferim!”, është kthyer sërish me “Bad Luck Banging or Loony Porn”. Një tjetër fitues i mëhershëm i “Ariut të Argjendtë”, regjisori meksikan Alonso Ruizpalacios (me “Museum”, 2018), është në garë me filmin e tij “A Cop Movie”, që kapërthur dokumentarin dhe fiksionin për të qëmtuar punën e policisë në Meksikë.

Vitin e kaluar, “Ariu i Artë”, shpërblimi për filmin më të mirë, u fitua nga regjisori iranian Mohammad Rasoulof. Ky vend është përfaqësuar sërish me “Ballad of a White Cow”, nën regjinë e Behtash Sanaeeha dhe Maryam Moghaddam.

Ngjarjet e tepihut të kuq në qershor

Për shkak të pandemisë së koronavirusit, për “Berlinalen” e sivjetme janë planifikuar një sërë ndryshimesh. I mbajtur tradicionalisht në shkurt, festivali i 2021-s është shtyrë për data të mëvonshme dhe është ndarë në dy ngjarje të veçanta.

“Nuk ka qenë opsion për ne thjesht anulimi i ‘Berlinales’”, ka thënë Rissenbeek gjatë konferencës online të shtypit të mbajtur të enjten, duke theksuar se pas shumë muajsh mbylljeje të kinemave, një numër i madh filmbërësish po kërkonin “urgjent” një platformë që do të promovonte veprat e tyre.

Nga 1 deri më 5 mars, përzgjedhja e garës kryesore, sikundër edhe filmat prej kategorive të tjera të festivalit, do të shfaqen online gjatë një ngjarjeje të kufizuar vetëm për njerëzit e industrisë së filmit.

Duke shpresuar që gjendja me COVID-19 do të jetë nën kontroll nga mesi i vitit, një ngjarje si “Sumer Special” do të lejojë publikun të ndjekë përzgjedhjen e festivalit nëpër kinema, si dhe të shijojë shfaqjet në tepihun e kuq dhe ngjarjet gala, përfshirë edhe ceremoninë e çmimeve. Është vendosur të mbahet nga 9 deri më 20 qershor.

Seksioni special

“Berlinale Special”, një tjetër kategori e festivalit për të cilën u fol gjatë të enjtes, shfaq filma të ndryshëm që potencialisht do të sjellin yje në tepihun e kuq, kur të shfaqen publikisht gjatë verës.

Mes tyre është edhe një dokumentar për Tina Turnerin “Tina”. Aty do të shfaqet edhe komedia surreale “French Exit”, ku interpreton Michelle Pfeiffer. Michael Caine luan në “Best Sellers” dhe Jodie Foster e Benedict Cumberbatch në “The Mauritanian”, kurse Natalie Morales është kryesorja në “Languages Lessons”.

Duke qenë se “Berlinalja” njihet si festival politik, kjo kategori do të shfaqë edhe tituj që përqendrohen në çështje të tanishme, përfshirë “Courage”, një dokumentar mbi gjendjen në Bjellorusi dhe “Who We Wre” në çështjet mjedisore.

Ani pse çmimet do të ndahen vetëm në qershor, filmat fitues do të zgjidhen në mars. Juria e caktuar për kategorinë kryesore të sivjetshme përbëhet nga gjashtë regjisorë, që të gjithë fitues të dikurshëm të çmimit “Ariu i Artë”: Mohammad Rasoulof (Iran), Nadav Lapid (Izrael), Adina Pintilie (Rumani), Ildiko Enyedi (Hungari), Gianfranco Rosi (Itali) dhe Jasmila Zhbaniq (Bosnjë-Hercegovinë).

Edhe me programin e zbehur për shkak të pandemisë, festivali online përfshin edhe kategoritë e njohura si Berlinale Special & Berlinale Series, Encounters, Berlinale Shorts, Panorama, Forum & Forum Expanded, Generation and Perspektive Deutsches Kino.

Një tjetër garë tradicionale në festival është “Retrospective”, që vazhdon edhe këtë vit si pjesë e programit.

Përzgjedhja e 2021-s fokusohet në filma që u bënë kur Hollywoodi imponoi një vistër rregullash morale të njohura si Motion Picture Production Code, që u quajt edhe si “Hays Code”. I përshtatur më 1930, kodi ndalonte paraqitjen e seksit, promiskuitetit dhe profanisë.

Sidoqoftë, aktoret Mae West, Rosalind Russell dhe Carole Lombard gjetën mënyra të holla për t’i tejkaluar këto rregulla, duke bërë që të lulëzonte zhanri i komedisë “screwball”.

Përktheu: Salih Mehmeti