Artistë, hulumtues e programues nga Kosova, Maqedonia e Veriut e Franca do të bëhen bashkë për të reflektuar mbi mundësinë e bashkëpunimit. Ata dhe mysafirë të tjerë nga Gjermania e shtete të tjera të lidhura me Organizatën ONDA gjithashtu do të takohen me skenën teatrore në Kosovë. Kjo do të bëhet nëpërmjet shfaqjeve e bashkëbisedimeve me qëllim diskutimin për format e bashkëpunimit. Realitetet e kontekstit dhe mënyrat se si ato ndikojnë në krijimin, qarkullimin dhe pranimin e veprave artistike do të jenë prej pikave që do të trajtohen. Qendra “Multimedia” nga Prishtina, “Lokomotiva” nga Shkupi dhe institucione kulturore franceze do të bëhen subjekt i ciklit tematik “Bashkëpunimi në kontekst” i nisur prej ONDA-s – Zyra Franceze për Qarkullimin e Arteve Bashkëkohore Performuese.
Takime në qytetet franceze Paris dhe Cognac, në Prishtinë e Shkup, e ndërtojnë ngjarjen që nis më 17 prill dhe zgjat deri më 23 të këtij muaji. Në tërësi trajton çështjet politike dhe sociale që përshkojnë sektorin kulturor dhe që janë bërë të pandashme nga sfidat e krijimit dhe programimit. Në qendër të saj është çështja e bashkëpunimit.
“ONDA” ka lansuar ciklin tematik për sezonin 2022-2023 me metodën e “Reshape” – proces kërkimor bashkëpunues që propozon instrumente për kalimin drejt ekosistemit alternativ të artit, si më i drejtë dhe i unifikuar.
Ky cikël është lansuar në partneritet me qendrën “Multimedia” në Kosovë dhe qendrën për nisma të reja në arte dhe kulturë “Lokomotiva” në Shkup, si dhe me organizata franceze, si “Festival d’Automne à Paris”, “Théâtre Jean Vilar in Vitry-sur-Seine”, hapësirën për vallëzim bashkëkohor “Atelier de Paris / CDCN dhe qendra të tjera “Villette”, “Avant-Scène Cognac” dhe “Vaguement compétitifs”.
Rreth 25 mysafirë nga Franca, Gjermania, Maqedonia e Veriut dhe vende të tjera të ndërlidhura me ONDA-n do të kenë rastin të njihen nga afër me artin skenik në vend. Kjo do të bëhet me prezantimin e shfaqjeve “The Handke Project” me tekst të Jeton Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt dhe “Burrnesha” me tekst të Nezirajt, nën regji të Erson Zymberit të qendrës “Multimedia”, që do të jepen në teatrin “Oda”, më 18 dhe 19 prill.
Drejtori i “Multimedias”, dramaturgu Jeton Neziraj ka shkruar në rrjete sociale se palët “nëpërmjet shfaqjeve dhe diskutimeve me artistët dhe kolektivat artistikë do të kenë shansin të bashkëveprojnë me skenën teatrore të Kosovës në Kosovë”.
Arti skenik vendor do të prezantohet edhe përmes audioperformancës në ecje nëpër gjurmët e kulturës underground’ të viteve ‘90 në Prishtinë me Florent Mehmetin, me shfaqjen “Unë jam vetë grua”, nën regji të Kushtrim Koliqit, produksion i “Integra”, më 19 prill, në teatrin “Dodona” dhe “a.y.l.a.n” me tekst të Nezirajt, nën regji të Blerta Nezirajt, produksion i Teatrit të qytetit të Gjilanit, që do të jepet po në këtë teatër më 20 prill.
Aurela Kadriu nga “Multimedia” ka thënë se kjo është bërë për të parë nga afër artin skenik në vend, duke iu referuar si një “mini-festival”. Ka treguar se qendra ka pasur bashkëpunime paraprakisht me ONDA-n, duke i pasur përfaqësuesit e saj si të ftuar në ngjarjen “Kosovo Theatre Showcase”. Gjithashtu kishin qenë mysafirë në takimet në kuadër të këtyre cikleve tematike që janë organizuar në vende të tjera. Kadriu i ka konsideruar të rëndësishme këto takime për mundësitë e bashkëpunimeve që ofrojnë. “Këto bashkëpunime rezultojnë në ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërmjet skenës lokale teatrore dhe asaj ndërkombëtare, si dhe shërbejnë si hapësira për promovim të Teatrit të Kosovës në botë. Ne besojmë që është jetike për skenën teatrore në Kosovë që të ekspozohet ndërkombëtarisht, duke qenë një nga skenat më vibrante të Teatrit në rajon”, ka thënë ajo.
Sipas Kadriut, ky bashkëpunim është në vazhdën e shumë të tjerave të qendrës “Multimedia” me institucione ndërkombëtare të teatrit e më gjerë.
“Aq sa kemi ne për të mësuar nga këto shkëmbime e përvoja, aq kanë edhe institucionet evropiane e botërore për të mësuar nga mënyra se si i qasemi teatrit në Kosovë. Prandaj, shkëmbime të këtilla janë jetike dhe ndikojnë në jetëgjatësinë edhe në sigurimin e një qëndrueshmërie të skenës së teatrit, por edhe në kualitetin artistik të saj”, është shprehur Kadriu në një përgjigje për KOHË-n. Ajo dhe dramaturgu Jeton Neziraj do të jenë pjesë e takimeve. Në kuadër të tyre, komuniteti ndërkombëtar do të takohet edhe me artistë të tjerë të Teatrit dhe drejtues institucionesh publike. Do të ketë edhe vizita të institucioneve kulturore në vend.
Ky cikël tematik është i treti me radhë dhe me të përmbyllet ky me titull “Bashkëpunimi në kontekst”. I pari ishte organizuar në Francë e Angli, ku ishte trajtuar tema e kufizimit të integrimit të nocioneve të qasshmërisë dhe përfshirjes në praktikat profesionale. Kishte zgjatur 9 muaj gjatë 1 shtatorit të 2020-s deri më 30 qershor 2021 në partneritet me “British Council”. Më 6 dhe 7 dhjetor të vitit të kaluar ishte organizuar cikli i dytë në kuadër të “Le Festival d’Automne à Paris” (Festivali i Vjeshtës në Paris). Ishte mbajtur gjithashtu një punëtori si turne ndërkombëtar, ku synohej promovimi i bashkëpunimit midis strukturave pritëse në mënyrë të rritjes së shikueshmërisë së shfaqjeve franceze dhe atyre të huaja.
ONDA (Zyra Kombëtare për Difuzion Artistik) është organizatë jofitimprurëse e themeluar në vitin 1975. Është e financuar prej Ministrisë së Kulturës dhe Komunikimit të Francës me misione dhe qëllime të specifikuara në marrëveshjet e nënshkruara me Ministrinë.
“Të luash rol aktiv në jetën e rrjetit profesional ka të bëjë gjithashtu me vëzhgimin e asaj që po ndërtohet diku tjetër, identifikimin e proceseve të eksperimentimit dhe inkurajimin e praktikave të reja. Për të zhvilluar këto iniciativa, ONDA në përgjithësi punon në një qasje partneriteti”, shkruhet në prezantimin e organizatës në ueb-faqe. ONDA promovon shpërndarjen e veprave të artit interpretues që janë në përputhje me procesin e krijimit artistik bashkëkohor dhe stimulon shkëmbimet në fushën e interpretimit si brenda e jashtë vendit.